Thashethemet e ditëve të fundit për të ardhmen e pasigurt të Alisson Becker te Liverpooli i kishin vënë në alarm dy gjigantët e Serie A, Juventus e Inter, të cilët po i ndiqnin me shumë vëmendje zhvillimet dhe mundësinë për ta marrë portierin si lojtar të lirë gjatë verës.
Megjithatë, klubi anglez ka reaguar menjëherë dhe e ka mbyllur çdo dyshim mbi të ardhmen e brazilianit.
Sipas raportimeve të “The Athletic”, “Reds” e kanë aktivizuar opsionin për rinovimin njëvjeçar në kontratën e portierit 33-vjeçar, duke e zgjatur marrëveshjen e tij deri në vitin 2027, përcjell “Gazeta Express”.
Kjo do të thotë se ish-portieri i Romës do të qëndrojë në “Anfield” të paktën deri në fund të sezonit 2026-27.
Një vendim që në fakt nuk surprizon, pasi klubi anglez e kishte avantazhin për ta aktivizuar këtë klauzolë dhe ta mbante lojtarin edhe për një sezon tjetër.
Alisson është portier titullar i “Reds” që nga transferimi i tij nga Roma në vitin 2018 dhe ka qenë një figurë kyçe në sukseset e klubit, duke i fituar ndër të tjera Premierligën dhe Ligën e Kampionëve.
Mbajtja e tij në skuadër për një tjetër sezon garanton stabilitet, përvojë dhe lidership në një moment të rëndësishëm për ekipin e drejtuar nga Arne Slot.
Ndërkohë, trajneri holandez ka menduar edhe për të ardhmen duke e transferuar në verën e vitit 2024 portierin Giorgi Mamardashvili, i cili shihet si pasuesi i mundshëm i brazilianit.
Por për momentin nuk ka ende një ndërrim “roje”: Alisson mbetet numri një i Liverpoolit dhe objektivi i Interit apo Juventusit duket se është shtyrë për më vonë. /Gazeta Express