string(61) "e-bujshme-nga-spanja-barcelona-e-blindon-yamalin-deri-me-2031"

Sport

Gazeta Express

26/05/2025 22:22

E bujshme nga Spanja: Barcelona e ‘blindon’ Yamalin deri më 2031

Sport

Gazeta Express

26/05/2025 22:22

Barcelona ka arritur marrëveshje me supertalentin Lamine Yamal për rinovimin e kontratës, sipas raporteve të shumta të publikuara në Spanjë. 17-vjeçari, që ka shpërthyer me një rritje të rrufeshme në skenën e futbollit botëror, konsiderohet tashmë nga drejtuesit blaugrana si një nga shtyllat kryesore të projektit afatgjatë.

Jorge Mendes, agjenti i lojtarit, ndodhej në Barcelonë të hënën për të diskutuar çështje të ndryshme merkatoje, por prioritet absolut ishte kontrata e Lamine Yamal, e cila ka qenë objekt diskutimi që nga dhjetori. Pavarësisht zërave dhe interesimeve të klubeve të tjera, vetë Yamal ka deklaruar vazhdimisht se nuk ka ndërmend të largohet nga “Camp Nou”.

Sipas “Mundo Deportivo”, vetëm dy-tre detaje të vogla kanë mbetur për t’u finalizuar pas takimit të fundit mes Mendes dhe presidentit Joan Laporta, me palët që kanë pasur një klimë pozitive. Ndërkohë, Fabrizio Romano ka zbuluar se marrëveshja do të vlejë deri në vitin 2031, edhe pse fillimisht ishte planifikuar të përfundonte në 2030.

Kontrata e re do të hyjë në fuqi në muajin korrik, kur Yamal mbush 18 vjeç, pasi rregulloret kufizojnë lojtarët e mitur në kontrata maksimale trevjeçare. Me këtë marrëveshje, Yamal do të jetë ende vetëm 23 vjeç kur kontrata të përfundojë – një shifër që thekson se Barça ka menduar në mënyrë strategjike për ta mbajtur afatgjatë.

Sipas gazetës Sport, nëse Yamal përmbush disa objektiva dhe bonuse të përfshira në kontratë, ai do të bëhet lojtar i paguar më mirë në skuadër. Megjithatë, drejtori sportiv Deco ka mohuar që talenti 17-vjeçar të ketë kërkuar ndonjëherë të jetë më i paguari në ekip, edhe pse konfirmoi se Paris Saint-Germain kishte pyetur për të verën e kaluar.

Një tjetër sinjal i qartë i besimit që Barcelona ka ndaj tij është se, pas largimit të pritshëm të Ansu Fati, Yamal pritet të marrë fanellën legjendare me numrin 10, duke trashëguar simbolikisht rolin e liderit të ri të gjeneratës së ardhshme.

Rinovimi i Lamine Yamal është jo vetëm një fitore e rëndësishme për klubin katalanas, por edhe një deklaratë e qartë: e ardhmja e Barcelonës fillon nga ky djalosh 17-vjeçar.