Real Madrid po kalon një fazë transformimi që më në fund po i jep vlerën e duhur talentit të akademisë së saj. Kanë kaluar vitet kur të rinjtë nga Valdebebas e kishin të vështirë të depërtonin në ekipin e parë. Sot, nën drejtimin e Xabi Alonso-s, vlerësohet merita dhe jo emri. Shembulli më i mirë i kësaj filozofie të re është Gonzalo García.
Sulmuesi i ri i Real Madridit, 21-vjeçari Gonzalo, ka përfituar nga mungesa e Kylian Mbappé për të lënë gjurmë në Kupën e Botës për Klube. Paraqitjet e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re: një gol kundër Al Hilal, një asist për Arda Güler ndaj Pachuca-s dhe një tjetër gol kundër Salzburgut. Përtej statistikave, ajo që vlerëson më shumë trajneri bask është aftësia e tij për të shqetësuar mbrojtësit qendrorë, për të ofruar zgjidhje për skuadrën dhe për të kontribuar në mbrojtje – një profil sulmuesi shumë ndryshe nga ai që kërkonte Ancelotti.
E ardhmja e Gonzalo-s te “Los Blancos” është e lidhur drejtpërdrejt me vendimin e Xabi Alonso-s. Nëse trajneri e mbështet si referencë në sulm, ai mund të kthehet në një pjesë kyçe të erës së re të Madridit. Në të kundërt, situata e tij mund të kthehet në pikën zero, pasi disa klube tashmë kanë shprehur interes për kontratën e tij.
Pas katër sezonesh zhvillimi nën drejtimin e Raúl-it te ekipi rezervë, Gonzalo ndodhet tani në një moment motivues, ku ndien se mund të rritet. “Jam i përqendruar te Kupa e Botës,” u shpreh ai, pa e humbur fokusin nga e tashmja. Megjithatë, qëllimi i tij kryesor është të fitojë vazhdimësi në ekip. Tani gjithçka është në dorën e Xabi Alonso-s, njeriut që mund të ndryshojë jetën e talentit më të fundit nga akademia e Real Madridit.