E ardhmja e Cristiano Ronaldos është vënë sërish në pikëpyetje pasi Al-Nassr ka rënë në vendin e katërt në tabelën e Saudi Pro League, vetëm katër javë nga përfundimi i sezonit 2024/25.
Ylli portugez, i cili iu bashkua klubit saudit në vitin 2022 pas një ndarjeje të tensionuar me trajnerin e atëhershëm të Manchester United, Erik ten Hag, ka dhënë kontribut të madh me 91 gola dhe 19 asistime në 103 paraqitje – përfshirë 33 gola këtë sezon.
Megjithatë, forma e dobët e skuadrës së tij ka ndikuar negativisht te e ardhmja e Ronaldos, me kontratën e tij që pritet të përfundojë për vetëm dy muaj.
Sipas MARCA, Ronaldo kishte pritshmëri të rinovonte për edhe dy vite të tjera, çka do t’i mundësonte të luante deri në moshën 42-vjeçare. Por negociatat janë ndalur për shkak të rezultateve të dobëta të klubit, përfshirë eliminimin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve të Azisë pas humbjes 3-2 kundër ekipit japonez Kawasaki më 30 prill.
Kjo vjen pasi vetë Ronaldo kishte deklaruar në vitin 2024 për televizionin portugez Now (cituar nga TNT Sports) se do të “përfundonte ndoshta” karrierën te Al-Nassr:
“Nuk e di nëse do të pensionohem së shpejti, pas dy apo tre vitesh, por ndoshta do të pensionohem këtu te Al-Nassr. Jam i lumtur në këtë klub dhe ndjehem mirë në këtë vend. Dua të vazhdoj të luaj këtu.”
Ndërkohë që mediat vazhdojnë të spekulojnë rreth të ardhmes së tij, Ronaldo mbetet favorit për të fituar Këpucën e Artë në Saudi Pro League, me 23 gola në kampionat – tre më shumë se Ivan Toney i Al-Ahli, i cili së fundmi fitoi edhe Ligën e Kampionëve të Azisë për herë të parë në histori.
Sipas vetë Ronaldos, vendimi për t’u tërhequr nga kombëtarja do të jetë një akt spontan, por i menduar mirë:
“Kur të largohem nga kombëtarja, nuk do t’i tregoj askujt paraprakisht. Do të jetë një vendim spontan, por gjithashtu shumë i menduar.” /GazetaExpress/