Gjykata e Posaçme ka dënuar me 4 vite e 6 muaj burg ish-gjyqtaren Mimoza Margjeka, e cila dyshohet se mori 6 mijë euro përmes bashkëshortit Arben Cara për të lehtësuar masën e sigurisë së një personi të ndaluar në Pogradec për veprën penale “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Dënimi i saj është pezulluar për t’u kthyer në 3 vite shërbim prove dhe i hoqi të drejtën për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.
Ndërsa bashkëshorti i Margjekës, Arben Cara, është dënuar me 4 vite burg me akuzën e korrupsionit pasiv.
Klaudjo Zhilla, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, është dënuar me 3 vite burg.
Ndërkohë, avokati Skënder Deminaj, edhe ai i akuzuar për “Korrupsion aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, u dënua me 3 vjet burg, por dënimi u pezullua në shërbim prove.
/Gazeta Express