Dyzet të vrarë nga dhuna ndëretnike në Mali - Gazeta Express
string(43) "dyzet-te-vrare-nga-dhuna-nderetnike-ne-mali"

Dyzet të vrarë nga dhuna ndëretnike në Mali

Gazeta Express

15/02/2020 9:13

Dyzet persona, përfshirë nëntë ushtarë, janë vrarë në një varg sulmesh në pjesën qendrore të shtetit afrikan, Mali. Shumica e vdekjeve u shkaktuan nga dhuna ndëretnike në rajonin e goditur nga trazirat.

Qeveria e këtij shteti njoftoi se 31 persona u vranë gjatë një sulmi që ndodhi natën e së premtes në Ogossagou, fshat i banuar kryesisht nga pjesëtarët e grupit Fulani. Në mars të vitit të kaluar, 160 persona u masakruan në këtë vend. Militantët e grupit Dogon ishin të dyshuar për këtë sulm.

Lexo Edhe:

Kryetari i këtij fshati, Aly Ousmane Barry, tha se sulmi i së premtes u krye nga rreth 30 persona të armatosur. “Kasolleve dhe të mbjellave ua vunë flakën, kafshët shtëpiake u dogjën ose u vodhën”, shtoi ai.

Një zyrtar tha se sulmuesit erdhën në fshat vetëm disa orë pas tërheqjes së trupave qeveritare nga kjo zonë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Ushtria e Malit njoftoi se tetë ushtarë u vranë dhe katër të tjerë u plagosën në një sulm tjetër në rajonin Gao. Një ushtar tjetër u vra në një kamp ushtarak në Mondoro.

Mali po përballet nga dhuna ndëretnike nga viti 2012, kur një grup i xhihadistëve i filloi sulmet në pjesën veriore të këtij shteti.