"Dyshohet se përvetësuan cigaret e kontrabanduara në vlerë 30.000 euro", IPK rekomandon suspendimin e 4 policëve – një tjetër u ndalua - Gazeta Express
string(129) "dyshohet-se-pervetesuan-cigaret-e-kontrabanduara-ne-vlere-30-000-euro-ipk-rekomandon-suspendimin-e-4-policeve-nje-tjeter-u-ndalua"

Lajme

Gazeta Express

17/03/2026 20:51

“Dyshohet se përvetësuan cigaret e kontrabanduara në vlerë 30.000 euro”, IPK rekomandon suspendimin e 4 policëve – një tjetër u ndalua

Lajme

Gazeta Express

17/03/2026 20:51

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës njoftojnë se kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore ndaj pesë zyrtarëve policorë të angazhuar në Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë në kuadër të  Departamenti Kufitar të  Policisë së Kosovës.

Bazuar në të dhënat fillestare hetimore dhe provat e siguruara deri në këtë fazë, “ekziston dyshimi se zyrtarët policorë më 13 Mars 2026  gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë””

Sipas dyshimeve fillestare zyrtarët policorë  në këtë rast, “pasi paraprakisht kishin sekuestruar mbi 100 paketa me cigare nga persona të dyshuar për kontrabandë brenda territorit të Republikës së Kosovës, dyshohet se i kanë përvetësuar 24 paketa me cigare, rreth 12,500 pako cigare në vlerë rreth 30.000 euro, kurse në Doganën e Kosovës i kanë dorëzuar vetëm 84 paketa me cigare të cilat janë dyshuar si të kontrabanduara”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Pas veprimeve hetimore një zyrtar policor është arrestuar dhe me vendim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë kurse  katër zyrtarët tjerë janë duke u hetuar në procedurë të rregullt, vijon njoftimi.

“IPK në interes të hetimit dhe pasi që natyra e veprës penale që lidhet drejtpërdrejt me keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe integritetin e zyrtarit policor i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për të pesë zyrtarët policorë të përfshirë si të dyshuar në këtë rast”, theksohet në njoftim.

“Inspektorati Policor i Kosovës mbetet i përkushtuar në realizimin e mandatit të vet ligjor për hetimin e rasteve ku dyshimet bien mbi zyrtarët policorë dhe siguron opinionin publik se çfarëdo ankese e qytetarëve për përfshirje eventuale të zyrtarëve policorë në vepra penale do të trajtohet me profesionalizëm të plotë”, përfundon njoftimi.

Advertisement
Advertisement
Advertisement