Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.B., i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Sipas njoftimit zyrtar, gjyqtari i procedurës paraprake ka vendosur që A.B. t’i caktohet masa e paraburgimit prej një muaji, duke vlerësuar se lirimi i tij mund të ndikonte negativisht në rrjedhën e procedurës penale. Gjykata ka konsideruar se ekziston rreziku që i pandehuri të largohet, të ndikojë mbi dëshmitarët, të fshehë apo falsifikojë prova, apo të përsërisë veprën penale.
Nga të dhënat e paraqitura nga Prokuroria Speciale, dyshohet se A.B., që nga viti 2005 e deri më sot, ka përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve fetare, si dhe ka propaganduar ideologji ekstreme fetare përmes rrjeteve sociale, përfshirë Facebook dhe TikTok. Ai dyshohet se ka bërë thirrje për t’iu bashkuar luftërave të armatosura, për luftë xhihadi, si dhe ka shfaqur publikisht përkrahje për organizatën terroriste ISIS.
Në postimet e tij, i pandehuri ka përdorur pseudonimin “Ubejdullah Ebu Suhejla” dhe ka shprehur kundërshtime ndaj sistemit demokratik dhe ligjeve shtetërore, duke kërkuar që të zbatohen vetëm ligjet e Sheriatit. Ai gjithashtu është shfaqur me simbole të ISIS-it dhe ka shpërndarë përmbajtje që, sipas gjykatës, mund të rrezikojnë rendi dhe qetësinë publike.
Më datë 11 mars 2025, A.B. kishte publikuar një video në Facebook ku, përveç thirrjes për dhunë, ishte e pranishme edhe një hartë që përfshinte territorin e Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa në TikTok postimet e tij përmbajnë përmbajtje që nxisin urrejtje, përçarje dhe dhunë me sfond ekstremist dhe radikal./BetimipërDrejtësi/