Një rast i ndjeshëm i dhunës në familje është raportuar në Pejë, ku një fëmijë i mitur dyshohet se ka qenë viktimë e keqtrajtimit nga nëna e tij.
Rasti është paraqitur më 17 mars rreth orës 10:00 në rrugën “Cenë Abdyl Kapeshnica”, ku ankuesi V.C., rreth 25-vjeçar ka raportuar në polici për sjelljet e bashkëshortes së tij.
Sipas deklarimit, çifti ka rreth 4 vite martesë dhe kanë një fëmijë 3-vjeçar, ndërsa i njëjti pretendon se bashkëshortja D.B., rreth 23-vjeçare tash e një kohë ushtron dhunë fizike ndaj fëmijës.
Si dëshmi, ankuesi ka dorëzuar në polici edhe video-incizime, të cilat dyshohet se dokumentojnë keqtrajtimin.
Ai ka deklaruar se rreth dy javë më parë, e dyshuara kishte ushtruar dhunë ndaj fëmijës dhe më pas e kishte marrë atë dhe ishte larguar në familjen e saj.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e veprës penale “Dhunë në familje”.
Pas intervistimit, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti është në fazë hetimi.
Rrethanat e plota dhe përmbajtja e provave të dorëzuara pritet të vlerësohen nga organet kompetente në vijim të procedurës.