Prokuroria Themelore në Shkup ka hapur procedurë kundër 5 personave, mes tyre edhe ish-zëvendësministri i Bujqësisë Trajan Dimkovski. Ata dyshohen se me raporte të rreme i kanë shkaktuar dëme shtetit në vlerë prej 780.000 eurosh. Sipas Prokurorisë, ata si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe autorizimeve”.
“Të dyshuarit e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare përmes moskryerjes së obligimeve të tyre dhe, ndonëse ishin të detyruar ta njoftonin Qeverinë për gjendjen faktike në NP “Agro Berza” Shkup – konkretisht se kishte mungesë të paarsyeshme të grurit merkantil dhe elbit (periudha 2019–2021) – ata kanë dorëzuar të dhëna dhe informacione të pasakta. Me këtë veprim ata kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Rezervat Shtetërore”, thonë nga Prokuroria Publike Shkup.
Njëri prej të dyshuarve, si ekspert i angazhuar nga Byroja për Vlerësim, kishte përgatitur një raport të falsifikuar, i cili është miratuar nga Qeveria.
“Raporti është pranuar nga Qeveria, pas së cilës Agjencia për Rezervat Shtetërore në Shkup është obliguar të heqë nga evidenca 1.500 tonë grurë merkantil dhe 500 tonë elb për ushqim të bagëtive, me vlerë totale 473.365 euro (në momentin e heqjes nga evidenca, bazuar në çmimet e blerjes së grurit dhe elbit në vitin 2022, vlera kapte shumën 780.487 euro). Kjo shumë përbën dëm ndaj Buxhetit të RMV-së”, tha PPTh Shkup.
Prokuroria njofton se, meqë vepra procedohet në procedurë të shkurtuar, tek gjyqtari i procedurës paraprake është dorëzuar propozim për caktimin e masave të kujdesit: heqje të pasaportave dhe paraqitje të rregullt në gjykatë për të pesë të dyshuarit.
tag_katrorimaqedoni_2