E ardhmja e Marcus Rashford te Barcelona mbetet e pasigurt.
Sulmuesi anglez, i cili është në huazim nga Manchester United, ende nuk ka garanci për qëndrimin e tij në “Camp Nou” edhe për sezonin e ardhshëm.
Sipas raportimeve nga mediat spanjolle, shumëçka do të varet nga paraqitjet e tij në pjesën finale të sezonit, ku lojtari do të duhet të bindë përfundimisht drejtuesit e klubit katalanas, përcjell “Gazeta Express”.
Rashford ka treguar potencial dhe ka pasur momente pozitive gjatë aventurës së tij në Spanjë, por vazhdimësia dhe ndikimi në ndeshje vendimtare mbeten faktorë kyç për të ardhmen e tij.
Barcelona e ka një opsion për ta blerë përfundimisht, por situata financiare dhe rregullat e “fair-play”-t financiar mbeten një pengesë e rëndësishme për realizimin e operacionit.
Përveç kësaj, në klub po bëhen edhe vlerësime të tjera në treg, çka do të ndikojë drejtpërdrejt në vendimin përfundimtar lidhur me sulmuesin anglez.
Interesi nga klube të tjera dhe konkurrenca në repartin ofanziv janë elementë që mund ta ndryshojnë skenarin.
Në fund, gjithçka mbetet e hapur: performancat në javët e fundit të sezonit do të jenë vendimtare për ta përcaktuar nëse Rashford do ta vazhdojë aventurën e tij te Barcelona apo do të rikthehet në Angli. /Gazeta Express