Një burrë 76-vjeçar është arrestuar nën dyshimin për administrim helmi pasi tetë fëmijë u sëmurën në një kamp veror në zonën e Stathern Lodge, në Leicestershire të Anglisë.
Ngjarja është cilësuar si një incident kritik, ndërsa po zhvillohet një hetim i ndjeshëm nga autoritetet britanike.
Sipas Policisë së Leicestershire, një raport për fëmijë që nuk ndiheshin mirë u mor të dielën nga një palë e tretë, por oficerët shkuan në vendngjarje vetëm të hënën. Tetë fëmijë u dërguan më pas në spital si masë paraprake dhe tashmë janë liruar.
Burri i moshuar u arrestua të hënën në mbrëmje në një lokal dhe ndodhet në paraburgim, i akuzuar për administrim të një substance të dëmshme me qëllim dëmtimi, ofendimi ose bezdisjeje. Policia nuk ka zbuluar ende se për çfarë substance bëhet fjalë, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Ngjarja ka ngritur shqetësime lidhur me mënyrën se si policia e trajtoi raportin fillestar. Zyra e Pavarur për Sjelljen e Policisë (IOPC) ka nisur një hetim të pavarur, për të shqyrtuar nëse ka pasur vonesa apo dështime procedurale nga ana e policisë që mund të kenë ndikuar në seriozitetin e incidentit.
Ngjarja vazhdon të jetë nën hetim intensiv, ndërsa komuniteti lokal është tronditur nga dyshimet për helmim të qëllimshëm në një kamp që kishte për qëllim sigurinë dhe argëtimin e fëmijëve.