Dyqani i porcelanit - Gazeta Express
string(19) "dyqani-i-porcelanit"

Gazeta Express

06/04/2020 11:01

Dyqani i porcelanit

Gazeta Express

06/04/2020 11:01

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, siç u propozua nga presidenti i qëllimeve-të-ngushta-për-pushtet, do ta rrezikonte Kosovën, duke i shfaqur nëpër rrugë simbolet e dhunës, siç janë ushtria dhe policia. Një pretekst i shkëlqyer për trazira në veri. Në të kundërtën, lejimi i mjekëve vullnetarë nga Serbia është veprimi më i vërtetë, i duhur dhe i drejtë, i mbrojtjes së “integritetit tonë territorial…”

Shkruan: Genc Kadriu

Lexo Edhe:

Alarmistët e Kosovës janë më të rrezikshëm se Serbia.
Që nga shpallja e pavarësisë, Serbia (në kapacitet të strukturave paralele kriminele në Kosovë) e ka vrarë një (1) polic shqiptar. Gjatë së njëjtës periudhë, sëmundjet e lidhura me ndotjen e ajrit i kanë vrarë mbi njëzet mijë (20,000) kosovarë.
Pra, pse i frikësohemi Serbisë më shumë se veturave me naftë dhe oxhaqeve me linjit?
Serbia është teatër.
Serbët e kanë vënë në skenë një spektakël frikësues të dhunës që e kapë imagjinatën tonë dhe e kthen atë kundër nesh.
Në emër të “marrjes në kontroll të pikave kufitare në veri” në korrik të vitit 2011 ishte vrarë polici shqiptar. Shtatë vite më vonë, shteti ynë e orkestroi një shfaqje “reciprokale”. Në mars të vitit 2018, e arrestoi ministrin e “Zyrës për Kosovë”. I fundit kishte hyrë “ilegalisht në territorin tonë.”  
Është ky lloj reagimi ekcesiv ndaj Serbisë që, më shumë se Serbia vetë, e kërcënon paqen në Kosovë.
Serbia është sikur një mizë që mundohet ta shkatërroj një dyqan të porcelanit. Ajo mizë është aq e dobët sa që nuk mundet ta lëvizë as edhe një filxhan. Kështuqë, miza e gjenë një viç, i futet në vesh dhe fillon t’i zukasë. Viçi frikësohet, tërbohet dhe e shkatërron dyqanin e porcelanit për mizën.
Trazirat e marsit 2004 janë një shembull perfekt i kësaj. Serbia, duke iu futur opinionit kosovar në vesh, e ka ndihmuar shkatërrimin e dyqanit të porcelanit tonë. Sot, ajo lulëzon mbi rrënojat e tij. Dhe, siç po shihet, nuk ka mungësë të viçave me karakter të keq në Kosovë.
Alarmistat e “sovranitetit”, janë më të rrezikshëm se Serbia. Përveç faktit që “sovraniteti” i tyre është sovranitet gjedhi, për t’i ikur llogaridhënies, Serbia ka qenë dhe mbetet maska e tyre e ndershmërisë. 
Suksesi ose dështimi i politikave armiqësore të Serbisë varet nga ne. Nëse e lejojmë Serbinë të na e kapë imagjinatën dhe nëse pastaj i përgjigjemi frikës sonë, ajo do të korrë sukses. Në të kundërtën, nëse e çkapim imagjinatën tonë nga Serbia, duke reaguar me gjakftohtësi dhe drejtëpeshim, ajo do të dështojë. 
Kapja e imagjinatës sonë nga Serbia dhe kapja e shtetit të Kosovës nga shkatërruesit e dyqanit të porcelanit, janë dy anët e së njëjtës medalje. 
“Veriu”, asnjëherë nuk do të zgjidhet me logjikën kushtëzuese të shkëmbimit, por vetëm me ndërprerjen e kursit të linearitetit tonë historik. 
Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, siç u propozua nga presidenti i qëllimeve-të-ngushta-për-pushtet, do ta rrezikonte Kosovën, duke i shfaqur nëpër rrugë simbolet e dhunës, siç janë ushtria dhe policia. Një pretekst i shkëlqyer për trazira në veri. Në të kundërtën, lejimi i mjekëve vullnetarë nga Serbia është veprimi më i vërtetë, i duhur dhe i drejtë, i mbrojtjes së “integritetit tonë territorial…”