Dy tregime për arrogancën vetëvrasëse të shqiptarëve - Gazeta Express
string(52) "dy-tregime-per-arrogancen-vetevrasese-te-shqiptareve"

Dy tregime për arrogancën vetëvrasëse të shqiptarëve

Gazeta Express

08/03/2020 14:26

Përkrahja që mori nga shumë qarqe politike e mediale europiane pasi doli me qëndrimin e tij rreth taksës, nuk është përkrahje e sinqertë për Kosovën, por një përkrahje implicite ideologjike  e atyre që tek Kurti shohin një shans të ri për shprehjen e ndjenjave të tyre antiamerikane, ndjenja të cilat sot kanë të bëjnë parasegjithash me presidencën e Trump-it. Ata e duan Kurtin si një yll të ri në fushatën e tyre të përditshme kundër Trump-it. Të tillë e duan edhe antiamerikanët shqipfolës, prandaj nuk janë vonuar që të dalin në mbështetje të tij.

Shkruan Blerim Latifi

Lexo Edhe:

Tregimi i parë

Shqipëri, Viti 1924 : Pas përplasjeve të mëdha për pushtet, forcat politike të udhëhequra nga peshkopi dhe intelektuali më i madh i asaj kohe në Shqipëri, Fan Noli, ia dalin që me forcë ta rrëzojnë Ahmet Zogun nga pushteti. Një qeveri e re nën udhëheqjen e Nolit mori drejtimin e vendit. Pa humbur kohë qeveria shpalli programin e saj qeverisës. Qëllimet e këtij programit ishin ku e ku më të mira. Synohej vendosja e autoritetit të shtetit mbi çdo pushtet tjetër, gjë që në terma të sotëm quhet vendosje e sundimit të ligjit. Synohej shpërbërja e strukturave feudale të autoritetit, eleminimi i korrupsionit politik, emancipimi i popullit, demokratizimi i shoqërisë, si dhe reformat e shpejta dhe radikale në administratën shtetërore, në arsim, bujqësi dhe fushat tjera të jetës sociale.  I parë në  tërësi ky ishte një program modernizimi që secilin do ta bënte për vete. Nga fillimi në fund ai mbante vulën e pikëpamjeve të Nolit, i cili, në mos i pari, sigurisht ishte ndër kryeministrat më të kultuaruar intelektualisht në Europën e asaj kohe. Por, ishte pikërisht ky dimension i cili Nolin do ta marrë në qafë brenda pak muajsh. Pas ardhjes në pushtet ai e menaxhoi keq superioritetin e tij intelektual.Ai e shndërroi atë në arrogancë politike. Sikur kjo arrogancë të kufizohej brenda Shqipërisë, mbase pasojat do të ishin më të vogla, por ajo u bë fatale kur u shtri në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë. Në kohën kur amerikanët e përshëndetën me terma entuziastë ardhjen e Nolit në pushtet, ndërsa qeveritë tjera perëndimore po e shqyrtonin njohjen e qeverisë së tij, ngase kishin dilema për mënyrën e marrjes së pushtetit prej tij, Noli bëri gabimin e parë fatal : ndërmorri iniciativën për të vendosur marrëdhënie diplomatike me armikun e ri të Perëndimit, Bashkimin Sovjetik. Arsyet pse Noli e bëri një gabim të tillë, janë ende çështje diskutimi mes historianësh, por një gjë duket të jetë e qartë: si shumë intelektualë europianë të asaj kohe, edhe Noli kishte rënë nën ndikimin e asaj që Raymond Aron do ta quaj “opiumi i ideve komuniste”. I rrethuar nga shtete që kishin apetite territoriale ndaj Shqipërisë, Noli, gabimisht, kërkonte shpëtim tek idetë leniniste mbi vetëvendosjen e kombeve. Vendimi i tij për t’u lidhur me Moskën e Kuqe, bëri që brenda natës të gjitha qeveritë perëndimore  të ktheheshin kundër tij. Por, Noli nuk u ndal me kaq në arrogancën e tij. Në shtator të vitit 1924 ai shkoi në Gjenevë për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Lidhjes së Kombeve. Aty foli, jo si kryeministri i një shteti të vogël të zhytur në mjerim, por si të ishte kryeministër i një fuqie të madhe. Në fjalimin e tij nuk la gjë pa u thënë fuqive të mëdha, madje mori të drejtën edhe t’u japë leksione mbi parimet dhe vlerat që duhet t’i përfaqësonte Lidhja e Kombeve. Foli si të ishte Papa : Urbi et Orbi, fjalim për qytetin dhe për botën! Kështu, në vend se përpiqej të krijonte miq dhe të merrte mbështetje politike dhe ekonomike për vendin që e përfaqësonte, ai bëri të kundërten, humbi edhe ata miq që kishte dhe u kthye në Shqipëri me duar bosh. Katër muaj më vonë u detyrua të hiqte dorë nga pushteti dhe të largohej nga Shqipëria, për të mos u kthyer kurrë më, ndërsa program i tij fillestar për modernizimin e Shqipërisë përfundoi në koshin e plehërave.

Tregimi i dytë

Arroganca e tij vetëvrasëse ka shumë elemente të përbashkëta me arrogancën e kryeministrit të sotëm të Kosovës, Albin Kurtit. Edhe Kurti e demonstron hapur iluzionin e suprioritetit të tij intelektual dhe e përkthen keq atë në rrafshin politik. Njësoj si Noli në Gjenevë, Kurti në Mynih, në muajin që shkoi, u mbajti leksione diplomatëve perëndimorë mbi gjendjen e botës dhe parimet që duhet ta qeverisin atë. U tregoi edhe se si duhej tejkaluar kriza e Bashkimit Europian! Njësoj si Noli dikur, Kurti flirton hapur me idetë e radikalizmit të majtë, në bashkësinë e të cila gjenden edhe sentimentet antiamerikane. Përkrahja që mori nga shumë qarqe politike e mediale europiane pasi doli me qëndrimin e tij rreth taksës, nuk është përkrahje e sinqertë për Kosovën, por një përkrahje implicite ideologjike  e atyre që tek Kurti shohin një shans të ri për shprehjen e ndjenjave të tyre antiamerikane, ndjenja të cilat sot kanë të bëjnë parasegjithash me presidencën e Donald Trump-it. Ata e duan Kurtin si një yll të ri në fushatën e tyre të përditshme kundër Trump-it. Të tillë e duan edhe antiamerikanët shqipfolës, prandaj nuk janë vonuar që të dalin në mbështetje të tij. Fatos Lubonja, i njohur për animozitetin e tij permanent ndaj politikës së jashtme amerikane, shkoi deri atje sa hodhi poshtë motivet humanitare të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë në pranverën e vitit 1999. Amerikanët, tha Lubonja, nuk ndërhyn për të shpëtuar shqiptarët nga spastrimi etnik i Millosheviqit, por për interesat e tyre imperialiste, prandaj Kurti, si kryeministër i Kosovës, nuk ka detyrime, të asnjëlloj natyre, që të bëhet i dëgjueshëm i amerikanëve. Përkundrazi, po sipas Lubonjës, do të bënte mirë t’u kundërvihej atyre. I verbuar krejtësisht nga animoziteti i tij për politikën amerikane, Lubonja nuk arrin të shoh fare se argument i tij është argumenti kryesor të cilin e përdorte Milosheviqi në vitin 1999 : Intervenimi i NATO-s është agression kundër një shteti sovran, i kryer për motive imperialiste, ndërsa Serbia nuk po bën asgjë tjetër veçse me gjakun e saj po e mbron të drejtën ndërkombëtare. Një gjë është e sigurtë : në kohën kur po afrohet dialogu për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi, në Beograd janë shumë të interesuar që ky interpretim i Intervenimit të NATO-s të dëgjohet sa më shumë që është e mundur. Aq më më mirë nëse kjo bëhet edhe nga vetë shqiptarët. Ta dëgjoj edhe bota në gjuhën e tyre të lashtë tregimin për viktimizimin e Serbisë!

Por, Lubonja nuk mbeti i vetëm në inkurajimin e tij për Kurtin. Shumë të tjerë e pasuan. Një ministër i Kurtit doli dhe numëroi gabimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës në të kaluarën. Analiza e tij linte për t’u kuptuar se edhe tani jemi duke u përballur me një gabim të ri të Amerikës ndaj Kosovës. Pas tij doli një këshilltar tjetër i Kurtit për të përforcuar qëndrimin e ministrit duke lënë të nënkuptohej se Kurti nuk është i pari që po i kundërvihet Amerikës, sepse, sipas logjikës së tij të palogjikshme, edhe Rugova dikur paska qenë antiamerikan. Eshtrat e Rugovës duhet të jenë rrotulluar në varr kur mediat e dhanë deklaratën e këtij tipit. Pra, në pikëpamjen e këtyre të marrëve, të gjitha kushtet janë pjekur që Kosova t’ia thotë një JO të madhe Amerikës. Se çfarë do të ndodhë me Kosovën pas kësaj Jo-je, kjo nuk ka fare rëndësi për rojtarët kombëtar e ndërkombëtar të kauzës antiamerikane. Punë e madhe që Kosova zhytet në kaos e paqartësi, me rëndësi është që kauza e tyre ta fitojë edhe një betejë më shumë! Kauzat e mëdha marshojnë përmes kaosit! A nuk thoshte dikur vetë Shoku Mao : Gjithçka nën qiell është në kaos të plotë; situata është e shkëlqyeshme!