Prokuroria Themelore Publike Shkup ka nisur procedurë penale kundër dy personave për veprën penale – Dhunë, sipas nenit 386 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
“I dyshuari i parë dje ka kërcënuar dhe ka sulmuar fizikisht kryetaren e Shkupit, e cila, së bashku me punonjës të shërbimeve të qytetit, pas një denoncimi paraprak, kishte dalë për të kryer një inspektim të jashtëzakonshëm në një objekt të paligjshëm në ndërtim në rrugën “Sevastopolska”. Ai ishte prezantuar si pronari i objektit dhe kishte filluar ta ofendonte rëndë, ta kërcënonte, e më pas e kishte sulmuar fizikisht. Kur kanë ndërhyrë të punësuarit tjerë të shërbimeve të qytetit dhe pjesëtarët e MPB-së, duke e larguar të dyshuarin e parë, me kërcënime kishte vazhduar edhe personi i dytë i dyshuar. Me aktin e dhunës, të dy të dyshuarit kanë shkaktuar ndjenjë pasigurie, kërcënimi dhe frike në opinion dhe te personat e tjerë të pranishëm”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokurori publik i ka dorëzuar gjykatësit të procedurës paraprake nga Gjykata Penale Themelore Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin e parë, kryesisht për shkak të rrezikut se mund ta përsërisë apo ta realizojë veprën penale me të cilën ka kërcënuar, si dhe për shkak të rrezikut të arratisjes.
Për të dyshuarin e dytë janë propozuar masa kujdesi, të cilat përfshijnë: ndalim të afrimit dhe kontaktit me kryetaren e komunës dhe personat e tjerë të dëmtuar, ndalim të largimit nga vendbanimi apo vendqëndrimi, marrje të dokumentit të udhëtimit (pasaportës) dhe paraqitje të përkohshme te një person zyrtar i caktuar në gjykatë.
Ndryshe, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, u sulmua fizikisht dje (11 korrik) rreth mesditës në Çair të Shkupit, pranë “rrugës së plastikave”. Ndaj sulmit të saj ka reaguar edhe Komiteti i Helsinkit dhe Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje.
Arsovska së fundmi ka qenë në “gjueti të ndërtimeve pa leje” në Komunën e Çairit, duke i dokumentuar ato dhe duke i publikuar në profilin e saj në Facebook përmes video-mesazheve. Ajo madje ka kërkuar ndihmë edhe nga faktori ndërkombëtar.
Danella Arsovska ka dorëzuar në prokurori dëshmi dhe dokumente lidhur me ndërtimet pa leje në Çair. Arsovska pretendon se në komunën e Çairit ka 150 ndërtime pa leje. Ajo akuzon ish kryetarin Izet Mexhiti dhe kryetarin aktual Visar Ganiu për ndërtimet pa leje në Çair.
tag_katrorimaqedoni_2