Dy të dënuarit me burg të përjetshëm në rastin ‘Monstra’ strehohen në Kosovë – autoritetet tregojnë a do t’i ekstradojnë - Gazeta Express
string(115) "dy-te-denuarit-me-burg-te-perjetshem-ne-rastin-monstra-strehohen-ne-kosove-autoritetet-tregojne-a-do-ti-ekstradojne"

Lajme

Arlena Krivenjeva

23/02/2021 16:05

Dy të dënuarit me burg të përjetshëm në rastin ‘Monstra’ strehohen në Kosovë – autoritetet tregojnë a do t’i ekstradojnë

Lajme

Arlena Krivenjeva

23/02/2021 16:05

Dy nga personat që janë dënuar me vendim të prerë të Gjykatës me burg të përjetshëm në rastin e njohur si “Monstra” dyshohet se po qëndrojnë tash e sa vite në Kosovë. Autoritetet e Maqedonisë së Veriut do të kërkojnë edhe njëherë nga institucionet vendore arrestimin dhe ekstradimin e tyre. Nga Ministria e Drejtësisë të pyetur nga Gazeta Express kanë treguar se si do t’i përgjigjen kërkesës. Ali Demiri dhe Afrim Ismailoviq janë të njohur edhe për drejtësinë në Kosovë.

GAZETA EXPRESS

Lexo Edhe:

Gjykata Penale e Shkupit sot ka dhënë verdiktin e fundit në rastin e njohur si “Monstra”. Me burgim të përjetshëm janë dënuar Ali Demiri dhe vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailoviq që akuzoheshin për vrasjen e pesë maqedonasve më 12 prill të vitit 2012-të, 12 kilometra larg nga Shkupit.

Përveç dënimeve me burgim të përjetshëm Gjykata ka marrë vendim edhe për dy të akuzuarit tjerë, Fejzi dhe Haki Aziri që janë dënuar me 15 dhe nëntë vite burgim. Sami Luta ndërkaq është liruar në mungesë të provave.

“Bëhet fjalë për vrasje monstruoze, përkatësisht marrjen e jetës apo likuidimin e fëmijëve të cilët sapo ishin arritur moshën e pjekurisë. Të akuzuarit Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq shpallen fajtorë për veprën e rëndë penale terrorizëm andaj edhe në bazë të Kodin Penal për këtë akt të kryer dënohen me burgim të përjetshëm… Të pandehurit e tjerë për veprën penale ‘Ndihmë në kryerjen e kësaj vepre’ dënohen Haki Aziri me nëntë vjet burg, ndërsa Fejzi Aziri me 15 vjet burgim”, ka deklaruar sot kryetari i trupit gjykues, Ognen Stavrev.

Dy nga të dënuarit me burgim të përjetshëm Ali Demiri dhe Afrim Ismailoviq, janë dënuar në mungesë, derisa prokurorja e rastit Fatime Fetai tha se të njëjtit ndodhen në Kosovë, prej nga edhe duhet të ekstradohen për vuajtjen e dënimit.

Demiri dhe Ismailoviq ka vite që raportohet se janë në Kosovë, madje, ka pasur edhe kërkesa më herët për ekstradimin e tyre pas fletëlëshimit për arrest ndërkombëtar.

Gazeta Express ka pyetur në institucionet vendore përgjegjëse se si do t’i përgjigjen kërkesës së Maqedonisë së Veriut për ekstradimin e tyre.

Në Policinë e Kosovës, deri në momentin e publikimit të lajmit nuk kanë treguar të pyetur nga Gazeta nëse kanë marrë kërkesë apo kanë informacion të saktë se dy të dënuarit gjenden momentalisht në Kosovë.

Në Ministrinë e Drejtësisë ndërkaq thonë se një kërkese të tillë do t’i përgjigjen sipas ligjit të aplikueshëm në Kosovë, ku edhe fillimisht specifikohet nëse kërkesa për ekstradim i plotëson kushtet ligjore.

Në rast se Gjykata Themelore vlerëson se janë plotësuar kushtet për ekstradim, atëherë do të lejohet ekstradimi i tyre.

“Ndërkohë, sipas ligjit të aplikueshëm në Republikën e Kosovës janë Gjykatat Themelore që e vlerësojnë nëse kërkesa për ekstradim i plotëson kushtet ligjore.

Nëse Gjykata Themelore kompetente gjen se kushtet ligjore për lejueshmërinë e kërkesës për ekstradim janë plotësuar, atëherë nxjerr vendim për lejueshmërinë e ekstradimit.

Gjithashtu, nëse Gjykata Themelore kompetente gjen se kërkesat ligjore për ekstradim nuk janë përmbushur, nxjerr vendim me të cilin nuk e lejon ekstradimin. Prandaj, kjo çështje në këtë fazë është  kompetence e organeve gjyqësore”, kanë thënë nga Ministria e Drejtësisë për Gazetën Express.

Kjo nuk është hera e parë që po diskutohet ekstradimi i Ali Demirit dhe Afrim Ismailoviq nga Kosova.

Kërkesa e fundit ishte dërguar me datë 30 janar të këtij viti. Megjithatë, Ministria e Drejtësisë në Maqedoni të Veriut kishte marrë përgjigje nga institucionet kosovare se kanë arritur ta lokalizojnë vetëm njërin nga personat që janë në kërkim, e se Afrim Ismailoviq siç thuhet “është i pakapshëm për autoritetet e Kosovës”.

Në vitin 2019-të, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa kishte premtuar se do të ketë bashkëpunim të autoriteteve për kapjen dhe ekstradimin e tyre.

“Për momentin nuk kemi informacione se ku ndodhen, por ne do të veprojmë në pajtim me procedurat ligjore dhe do të bashkëpunojmë me Maqedoninë e Veriut”, kishte deklaruar Mustada kur ishte pyetur për dyshen.

Rasti i njohur si “Monstra”, megjithatë nuk është i vetmi ku Kosova po e shqyrton mundësinë që të bashkëpunojë së bashku me Maqedoninë e Veriut.

Një premtim për ekstradim kësaj here nga Shkupi në Prishtinë e kishte bërë edhe tash ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi për rastin ‘Kumanova’.

Ai kishte thënë se ka biseduar me homologun e tij dhe se sapo Gjykata të vendoste një verdikt final për rastin, të dënuarit do të mund të ekstradoheshin në Kosovë për të vuajtur dënimin.

Të njohur edhe për drejtësinë në vend

Ali Demiri dhe Afrim Ismailoviq janë të njohur edhe për drejtësinë në Kosovë. Të dy ishin arrestuar në vitin 2013-të.

Zëdhënësi i policisë Arbër Beka, kishte deklaruar atëherë se të dy ishin arrestuar në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.

“Rreth orës 19h në Prishtinë, policia ka arrestuar dy persona të dyshuar, të cilët kanë qenë të kërkuar nga Interpoli. Raportet që na kanë arritur, nuk japin detaje, se për çfarë vepra dyshohen të kërkuarit me flet-arrest ndërkombëtar,” kishte deklaruar Beka.

Ministrja e Punëve të Brendshme në Maqedoni, Gordana Jankullovska, atëherë kishte njoftuar për arrestimin e bërë, përmes profilit të saj në rrjetin social Facebook.

“Kolegu Bajram Rexhepi në bisedën telefonike më njoftoi se policia e Kosovës dje ka arrestuar dy persona, të cilët i përgjigjen përshkrimit dhe para policisë janë prezantuar si Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq. Ata dyshohen për vrasjen në liqenin e Smillkovës dhe pas vrasjes së tmerrshme ishin në arrati, dhe ata kërkoheshin edhe nga Interpoli. Duke marrë parasysh faktin se personat nuk posedojnë dokumente për vërtetimin e identitetit, do të bëhen të gjitha kontrollet e domosdoshme, dhe pas indetifikimit të plotë, gjatë ditës së nesërme [sot v.j.]do të dalim me infromacione zyrtare. Në bashkëpunim me autoritetet kosovare do të bëjmë gjithçka të mundur për ekstradimin e tyre në Maqedoni”, kishte thënë e njejta.

Ali Demiri dhe Afrim Ismailoviq ishte raportuar se ishin liruar tre vite më vonë, kur edhe kishin përfunduar dënimin në Kosovë.

Katër të rinj dhe një 45 vjeçar janë ekzekutuar me armë automatike në Liqenin Smilkovcë, që shtrihet në afërsi të Shkupit më 12 prill.

Ky krim, i cilësuar si rasti “Monstra” pati shkaktuar tensione dhe trazira ndëretnike në Maqedoni, meqë vepra ishte klasifikuar si terroriste nga autoritetet e atjeshme.

Mbi 20 shqiptarë, ishin arrestuar në kohën e bastisjeve për gjetjen e të dyshuarve. Shumica prej tyre, besohet se ishin pjesë e një grupi fetar, që kishin një lloj lidhje me vrasjen e pesëfishtë.

Viktimat ishin katër të rinj të moshës prej 18 deri 20 vjeç dhe një tjetër i moshës 44-vjeçare. Trupat e tyre të pajetë janë gjetur rreth orës 22: 30 të 12 prillit nga disa persona që po peshkonin në liqenin artificial./GazetaExpress/