Dy politikane zvicerane, për dhe kundër misionit ushtarak zviceran në Kosovë - Gazeta Express

Dy politikane zvicerane, për dhe kundër misionit ushtarak zviceran në Kosovë

Lajme

Gazeta Express

05/06/2020 7:55

Njëra, deputetja e FDP-së, Jacqueline de Quattro, mbron qëndrimin për vazhdimin e misionit në fjalë, ndërsa tjetra, Marionna Schlatter, deputete e Partisë së Gjelbër, është kundër vazhdimit të misionit të Swisscoy-t në Kosovë

Pas publikimit të lajmit për votimin e  Dhomës Nacionale të Parlamentit zviceran pro vazhdimit të Swisscoy-t, misionit ushtarak paqeruajtës zviceran në Kosovë, radio SRF ka intervistuar dy politikane të kampeve të ndryshme politike në këtë parlament.

Njëra, deputetja e FDP-së, Jacqueline de Quattro, mbron qëndrimin për vazhdimin e misionit në fjalë, ndërsa tjetra, Marionna Schlatter, deputete e Partisë së Gjelbër, është kundër vazhdimit të misionit të Swisscoy-t në Kosovë.

“Zvicra është strehë e një diaspore të madhe nga Kosova. “Migracioni mund të bëhet një problem i madh nëse në Kosovë fillon përsëri (kriza)”, thekson politikanja e sigurisë nga FDP. “Shqipëria është “mjaft agresive”, zona është ende e paqëndrueshme 20 vjet pas luftës së Kosovës. Prandaj, misioni i KFOR-it dhe ai i trupave Swisscoy janë ende të domosdoshëm.

Lidhur me “agresivitetin” e pretenduar të Shqipërisë në këtë kontekst, albinfo.ch i ka drejtuar politikanes zvicerane një kërkesë për sqarim. Deri në momentin e publikimit të tekstit që po lexoni, nuk ka ndonjë përgjigje.

Ndërsa Marionna Schlatter, deputete e Partisë së Gjelbër, anëtare e  Komisionit të Politikës së Sigurisë të Dhomës Nacionale, thotë:  “Nuk mund të bëhet paqja me armë”.

Politikanja e gjelbër dëshiron që përfundimisht të marrë fund misioni ushtarak zviceran në Kosovë, përcjell albinfo.ch. Partia e saj, siç dihet, është thelbësisht kundër çdo operacioni paqeruajtës ushtarak: “Paqja nuk mund të bëhet me armë,” thotë ajo.

Për më tepër, sipas saj, konfliktet e fundit të dhunshme në Kosovë kanë ndodhur 16 vjet më parë. Aktualisht ka “pak tension, por sigurisht që nuk ka emergjencë lufte që do të kërkonte ndërhyrje ushtarake”, përcjell albinfo.ch. Sipas pikëpamjes së politikanes së gjelbër, do të ishte shumë më mirë që Zvicra, në vend se për operacione ushtarake, të shpenzonte paratë e saj për një angazhim të shtuar civil të Zvicrës në Kosovë.

Edhe Quattro thotë se “është e pamohueshme që kjo mbështetje civile në fushat e demokratizimit, pjesëmarrjes dhe drejtësisë është e nevojshme. Por përpjekjet civile dhe mbështetja ushtarake duhet të kombinohen në Kosovë”, thekson ajo. Një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Zvicrën dhe Evropën, dhe vendet në fjalë duhet të ndihmohen për ta bërë këtë, transmeton albinfo.ch. “Përndryshe kemi një problem tjetër”.

Për politikanen Schlatter, në këtë pikë ekziston gjithashtu një problem rreth neutralitetit të  Zvicrës: “Kosova u njoh si shtet i pavarur nga vetëm rreth 60 për qind e vendeve anëtare të KB, madje as të gjitha vendet e NATO-s nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Kjo shtron pyetjen nëse prania ushtarake në Kosovë mund të përshkruhet fare si neutrale”, transmeton albinfo.ch. Në çdo rast, sipas Schlatter, Misioni i Swisscoy nuk është “në përputhje me parimet e asnjanësisë në Zvicër”.

“Pikërisht neutraliteti është ai që i jep përfshirjes së Zvicrës në Kosovë një nivel veçanërisht të lartë të besueshmërisë tek vendësit”, kundërvihet de Quattro: “Zvicra mund të bëjë shumë në Kosovë për të normalizuar situatën”, përcjell albinfo.ch. Zvicra përfiton nga tradita e saj e gjatë e shërbimeve të mira dhe imazhi i saj i mirë si ndërmjetës.

Sigurisht, qëllimi është që të bëhet tërheqja e ushtarëve të Swisscoy-it dhe KFOR-it nga Kosova në një moment, thotë de Quattro. “Por tani nuk është koha e duhur”.