Dy krijesa të rralla të thellësive të oqeanit janë shfaqur së fundmi në një plazh në Meksikë, duke rikthyer besëtytnitë e vjetra se prania e tyre paralajmëron ngjarje të këqija.
Në një zbulim befasues në bregdetin e Cabo San Lucas, dy peshq të rrallë të njohur si “peshq të apokalipsit” (oarfish) u panë duke luftuar për të mbijetuar jashtë ujit, të bllokuar në rërë.
Sipas folklorit, ky lloj peshku i thellësive, që shihet shumë rrallë, konsiderohet si paralajmërues i fatkeqësive. Zbulimi i dy ekzemplarëve njëkohësisht ka shtuar edhe më shumë shqetësimet për ngjarje të mundshme të rënda në të ardhmen.
Këta peshq të gjatë, me trup në formë shiriti, jetojnë zakonisht në thellësi rreth 1,000 metra dhe rrallëherë dalin pranë sipërfaqes, çka e bën këtë rast jashtëzakonisht të pazakontë.
Pamje e rrallë dhe e pazakontë
Videoja e incidentit u publikua më 4 mars 2026 nga pushuesja Monica Pittenger në rrjetet sociale. Në pamje shihen dy peshq të mëdhenj duke u përpëlitur në breg.

Njëri prej tyre shihet duke luftuar jashtë ujit, ndërsa pak më tej dallohet edhe një tjetër, gjithashtu i mbetur mes valëve dhe rërës.
Gradualisht, rreth peshkut të parë mblidhen disa njerëz. Një grua – më vonë e identifikuar si motra e Monicës, Katie – përkulet dhe fillon ta shtyjë peshkun drejt detit. Pas pak, ajo ndihmohet edhe nga të tjerë dhe arrijnë ta rikthejnë në ujë.
“E pata të vështirë ta besoja atë që po shihja. Dukej si diçka nga një film fantastiko-shkencor,” dëgjohet të thotë Monica në video. “Kur pashë edhe të dytin, u ndjeva paksa në ankth.”
Ajo tregoi se fillimisht panë “diçka që ndriçonte fort në distancë”, ndërsa kur iu afruan, kuptuan se ishte diçka krejtësisht e pazakontë.
Sipas saj, motra e saj Katie reagoi menjëherë për të ndihmuar peshkun, pasi nuk mund të duron të shohë një krijesë në vuajtje. Ajo u ndihmua nga një vajzë e re dhe më pas nga të tjerë që iu bashkuan përpjekjes.
“Shumë njerëz hezitonin, sepse askush nuk e dinte saktësisht se çfarë ishte. Nuk është diçka që e sheh çdo ditë,” shtoi Monica.
Pas shpëtimit të peshkut të parë, grupi u drejtua edhe te i dyti, duke arritur ta rikthejnë edhe atë në det.
Ndërkohë, në rrjetet sociale u përhapën dyshime se videoja mund të ishte e krijuar me inteligjencë artificiale, por Monica e mohoi këtë, duke theksuar se pamjet ishin autentike.
Pse kjo shfaqje po shkakton alarm
Peshqit oarfish mund të arrijnë deri në 9 metra gjatësi. Sipas folklorit japonez, ata konsiderohen si lajmëtarë të perëndive të detit dhe shfaqja e tyre lidhet me fatkeqësi natyrore si tërmete apo cunami.
Megjithatë, shkenca nuk ka gjetur prova që këta peshq mund të parashikojnë katastrofa natyrore. Edhe pse shfaqja e tyre është e rrallë, deri tani nuk është regjistruar ndonjë aktivitet sizmik pas këtij rasti.
Pavarësisht natyrës së tyre të padëmshme, reputacioni i tyre si ogur i keq vazhdon të mbetet i fortë në imagjinatën kolektive.
Në rrjetet sociale, reagimet kanë qenë të shumta. Disa përdorues e kanë marrë me humor, ndërsa të tjerë kanë shprehur shqetësim, duke e interpretuar këtë si një sinjal nga natyra se “diçka po ndryshon në thellësi”. /GazetaExpress/