Dy persona të vdekur nga djathi me listeri në Francë, produkti dhe në Shqipëri - Gazeta Express
string(77) "dy-persona-te-vdekur-nga-djathi-me-listeri-ne-france-produkti-dhe-ne-shqiperi"

Lajme

Gazeta Express

23/08/2025 18:04

Dy persona të vdekur nga djathi me listeri në Francë, produkti dhe në Shqipëri

Lajme

Gazeta Express

23/08/2025 18:04

Shumica e rasteve të infeksionit janë raportuar në Francë, ku mendohet se 21 persona janë sëmurë pasi kanë konsumuar produkte të qumështit të ndotura me baktere, në periudhën nga dhjetori 2024 deri më 13 gusht të këtij viti. Nga këto, 18 raste janë identifikuar vetëm që nga qershori dhe, fatkeqësisht, dy persona kanë humbur jetën.

Katër vende të tjera Belgjika, Danimarka, Holanda dhe Norvegjia kanë konfirmuar gjithashtu katër raste me listeriozë, të regjistruara midis 14 prillit dhe 9 korrikut. Pacientët në Belgjikë, Danimarkë dhe Holandë kanë raportuar se kishin konsumuar djathë të butë të pasterizuar përpara se të sëmureshin.

Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), hetuesit në Francë e kanë gjurmuar burimin e shpërthimit te “një prodhues specifik francez djathi që prodhon djathëra të butë të pasterizuar me qumësht lope dhe dhie.”

Megjithatë, ECDC nuk e ka bërë publik emrin e prodhuesit, duke shtuar se produktet e kontaminuara mund të jenë shitur nën emra të ndryshëm markash.

Këto produkte janë shpërndarë në rreth 30 vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar. Autoritetet shëndetësore po vazhdojnë hetimet për të gjurmuar të gjitha rastet e mundshme, njoftoi ECDC.

Listerioza është një infeksion serioz i shkaktuar nga bakteria Listeria monocytogenes, që zakonisht transmetohet përmes ushqimit. Ndërsa shumica e të rriturve dhe fëmijëve të shëndetshëm mund të kenë vetëm simptoma të lehta si ethe, dhimbje muskujsh, të përziera ose diarre , te gratë shtatzëna, të moshuarit dhe personat me sistem imunitar të dobësuar, sëmundja mund të jetë shumë më e rrezikshme.

Në rastet më të rënda, listerioza mund të çojë në komplikacione si meningjiti, sepsa dhe, në rastin e grave shtatzëna, aborte ose lindje të foshnjave të vdekura.

Në Francë, pacientët e prekur nga listerioza ishin nga mosha 34 deri në 95 vjeç, prej të cilëve 11 ishin gra. Në vendet e tjera, të prekurit ishin të moshës 35–70 vjeç.

“Ndotja e djathit të butë të pasterizuar është një ngjarje e rrallë,” deklaroi ECDC, duke theksuar se rreziku për njerëzit me shëndet të mirë është “shumë i ulët.” Sipas saj, shumica e të infektuarve përjetojnë vetëm forma të lehta gastrointestinale, si të vjella dhe diarre.

Megjithatë, personat me rrezik më të lartë gratë shtatzëna, të moshuarit dhe ata me imunitet të dobësuar duhet t’i kushtojnë vëmendje shenjave si ethet apo dhimbja e fortë e kokës dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore pa vonesë.

ECDC njoftoi se produktet potencialisht të kontaminuara janë shpërndarë në vendet e mëposhtme:

Shqipëri, Andorra, Australi, Austri, Belgjikë, Burkina Faso, Kamboxhia, Kanada, Çeki, Bregu i Fildishtë, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë (përfshirë Polinezinë Franceze), Gjermani, Hong Kong, Hungari, Itali, Japoni, Madagaskar, Malajzi, Mauritius, Holandë, Kaledonia e Re, Singapor, Sllovaki, Koreja e Jugut, Spanjë, Suedi, Zvicër, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

ECDC tha se djathërat e ndotur janë tërhequr nga tregu si një masë parandaluese për të mbrojtur konsumatorët. Autoritetet përkatëse të sigurisë ushqimore po zbatojnë kontrolle zyrtare, përfshirë edhe lëshimin e paralajmërimeve publike.

Një kompani franceze me emrin Chavegrand ka tërhequr nga tregu të gjitha seritë e djathit të prodhuara përpara datës 23 qershor 2025. Produktet tregtohen nën marka të ndryshme dhe mund të identifikohen me markën shëndetësore FR 23.117.001.

“Kemi rritur ndjeshëm numrin e testimeve në produkte dhe pajisje për të siguruar që nuk ka ndotje,” deklaroi kompania.

“Të gjithë punonjësit tanë, që kanë punuar fort që nga qershori, janë të tronditur nga kjo situatë.”

Një listë e plotë e djathërave të prekur në Francë mund të konsultohet [këtu].

Listerioza mund të shfaqet deri në 28 ditë pas konsumimit të produktit të kontaminuar. ECDC u bën thirrje autoriteteve shëndetësore në të gjitha vendet të qëndrojnë në gatishmëri për raste të tjera të mundshme.

Për shumicën e njerëzve, listerioza kalon vetë brenda disa ditësh me pushim dhe konsum të lëngjeve. Por për ata me rrezik të lartë, si shtatzënat ose individët me imunitet të dobësuar, mund të jetë e nevojshme trajtimi me antibiotikë.

Ky lajm vjen pas një tjetër shpërthimi vdekjeprurës të listeriozës në Irlandë, i lidhur me ushqime të gatshme të shitura në rrjetet Aldi dhe Tesco.