Dy palë sanksione nga SHBA për Kosovën brenda pak muajsh, Kurti s’i sheh të nevojshme - Gazeta Express
string(83) "dy-pale-sanksione-nga-shba-per-kosoven-brenda-pak-muajsh-kurti-si-sheh-te-nevojshme"

Dy palë sanksione nga SHBA për Kosovën brenda pak muajsh, Kurti s’i sheh të nevojshme

Lajme

Gazeta Express

31/05/2023 17:42

SHBA-ja, kësaj radhe, nuk ka lënë vend për interpretim. Raportet e Kosovës me Amerikën janë lënduar dhe diplomatët e saj njoftuan për ndëshkimet e para që do t’i bëhen Kosovës, pasi konsiderojnë që Qeveria Kurti nisi tensionet në veri dhe s’pranoi kërkesat për qetësim të situatës. SHBA-ja s’ka më interes ta ndihmojë Kosovën ndërkombëtarisht dhe as zyrtarët e saj nuk kanë vullnet t’i takojnë udhëheqësit e Kosovës. Kjo është situatë e re në raportet me aleaten kryesore të Kosovës. Megjithatë, nuk është përballja e parë e Qeverisë Kurti me Qeverinë amerikane. Çfarë kishte ndodhur në fund të vitit të kaluar?

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Në të kaluarën, anulimi i vizitave të zyrtarëve të lartë të Kosovës është lexuar si një lloj ndëshkimi për moskoordinim me Qeverinë amerikane dhe mosbindje. Tanimë, kjo nuk ka nevojë të interpretohet. Ambadori Jeff Hovenier ka thënë të martën se nuk ka vullnet të zyrtarëve amerikanë për takime me zyrtarë kosovarë dhe ky nuk është “ndëshkimi” i vetëm.

Përplasje mes dy qeverive ka pasur edhe më parë por këtë javë, raportet e Kosovës me SHBA-në kanë arritur një nivel të ri. Zyrtarët amerikanë thonë se kanë pasur dy kërkesa për Kryeministrin Kurti që nga e premtja, kur kryetarët e rinj shqiptarë të tri komunave veriore hyn me forcë në objektet komunale, duke shkaktuar rezistencë të turmave me serbë. Por, sipas Hovenierit, Kurti nuk u është përgjigjur kërkesave të amerikanëve të shtensionim të situatës në veri.

Një episod i ngjashëm, por më pak dramatik se ky i fundit, ishte zhvilluar në fund të vitit të kaluar, kur Kryeministri nuk po pranonte të shtynte edhe njëherë zbatimin e vendimit për heqjen e targave ilegale, të lëshuara nga Serbia. Ishte raportuar se si kundërpërgjigje, SHBA-ja ua kishte anuluar vizitat disa zyrtarëve të lartë kosovarë, përfshirë ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ngjarja ka ndodhur në nëntor dhe pas raportimeve, ministrja Haxhiu tha se vizita e saj në Amerikë nuk ishte anuluar/refuzuar, por ishte shtyrë, për shkak të situatës në vend. Këtë vendim, Haxhiu thoshte se e ka marrë në një diskutim me zyrtarët amerikanë.

“Sot pasdite jam takuar me zyrtarë të lartë të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë. Ndër të tjera, diskutuam edhe rreth ftesës së tyre për vizitë në SHBA. Marrë parasysh situatën aktuale politike në vend, bashkërisht kemi konsideruar se duhet ta shtyejmë për një datë më të përshtatshme vizitën”, thuhej në një reagim të ministres të publikuar në Facebook.

Ambasadori Hovenier atë kohë kishte thënë se nuk ishte koha e duhur për vizita zyrtare në SHBA, për shkak të situatës së krijuar atëherë në veri.

“Ne aktualisht jemi në një krizë, dhe është pikëpamja jonë që, ne jemi tejet të përqendruar në këtë krizë, besojmë që edhe kjo qeveri është e përqendruar në këtë krizë, dhe mendojmë se nuk është koha mbase domosdoshmërisht më e duhura që ministrat të jenë duke udhëtuar për në ShBA për takime zyrtare duke e pasur parasysh krizën të cilën duhet trajtuar këtu. Dhe këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në qeveri”, ka thënë Hovenier.

Kësaj radhe, Hovenier tha fjalëpërfjalshëm se nuk ka gatishmëri nga zyrtarë amerikanë që të takohen me zyrtarë kosovarë, pas refuzimit të Qeverisë “të koordinohen” me Amerikën.

“Do të befasoheshim sikur në rrethanat e tanishme do të kishte gatishmëri për takime të zyrtarëve të lartë, edhe nga SHBA-ja në Kosovë, edhe anasjelltas”, ka thënë Hovenier në një bisedë me gazetarët në Prishtinë.

Një ndëshkim tjetër ishte përjashtimi i Kosovës nga ushtrimet ushtarke “Defender 2023”, si dhe bërja e qartë se SHBA nuk do t’i ndihmojë Kosovës për njohje nga pesë shtetet e BE’së e as për anëatrësim në organizata ndërkombëtare.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca e sheh si dalje nga situata e krijuar bashkëbisedimin me amerikanët dhe aleatët e tjerë perëndimorë, pasi kësaj radhe, ndryshe prej vitit 2020 kur ishte Administrata Trump, edhe evropianët kanë qëndrim të njëjtë me SHBA-në.

“Kjo nuk është e mirë për ne. E pranojmë që është një gjë e keqe për Republikën e Kosovës. Gjithçka që duhet të bëjmë, mendoj unë, është që ta bëjmë një dialog të hapur dhe të shtruar me të gjithë miqtë dhe partnerët tanë, që t’i argumentojmë ndoshta më mirë pozicionet tonë. Ndoshta pozicionet tona nuk po kuptohen drejt prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Konjufca.

Kryeministri Kurti ndërkaq i ka quajtur deklaratat e zyrtarëve amerikanë, me në krye Sekretarin Antony Blinken si “të padrejta”, “lënduese” dhe “naive”.

Duke folur për Gazetën Financial Times, Kurti deklaroi se ato nuk janë masa e duhur për Kosovën si mike dhe aleate e SHBA’së.

“Ata që flasin për sanksione ndoshta duhet të mendojnë më gjerë apo më thellë”, tha tutje Kurti, raporton Gazeta Express.

“Serbia nuk po vendos sanksione ndaj Federatës Ruse dhe po financon këtë milici fashiste në pjesën veriore të vendit tim, kështu që ndoshta ata duhet të [marrin] sanksione”, shtoi ai.

Ai e cilësoi SHBA-në si “mikun, aleatin dhe partnerin kryesor” të Kosovës, duke shtuar se ishte në kontakt të përditshëm me ambasadorin amerikan në Prishtinë.

“Unë e pranoj dhe e di se sa i përket qasjeve të ndërmarra kemi pasur një dallim të vogël, por sinqerisht nuk ndjej se çfarëdo lloj sanksioni [ndaj] Kosovës. . .është masa e duhur”, tha Kryeministri.  /Express/