Pas ndeshjeve të xhiros së 24-të në Superligën e Kosovës, Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i Federatës së Futbollit të Kosovës ka marrë disa vendime, pas procedurave të hapura.
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina është dënuar me gjobë prej 300 eurosh dhe i është ndaluar ta drejtojë skuadrën e tij për dy ndeshje.
Shkak për këtë u bënë sjelljet e tij në ndeshjen e djeshme, mes Dukagjinit dhe Llapit në Klinë.
“Kryetrajneri i KF ‘Llapi’, Tahir Batatina. Në minutën 57 është ndëshkuar me karton të verdhë për reagim, mirëpo pas ndëshkimit hyn në fushë në drejtim të gjyqtarit, kishte sjellje josportive, përdor gjuhë vulgare si dhe nxit lojtarët e tij për bojkotimin e ndeshjes, për çka ndëshkohet me karton të kuq direkt. Sipas raportit të personave zyrtarë të ndeshjes Dukagjini –Llapi. Bazuar në nenin 15, paragrafi 1, pika C të Rregullores disiplinore: dënohet me 2 (dy) ndeshje kampionale me mosushtrim të detyrës zyrtare, të organizuara nga FFK. Bazuar në nenin 6, paragrafi 1, pika C të Rregullores disiplinore: dënohet me gjobë prej 300 euro”, njofton FFK-ja.
Edhe ndihmëstrajneri i Batatinës, Synaj Keqi është dënuar me dy ndeshje mosushtrim të detyrës zyrtare.
Dënime me gjobë pati edhe për trajnerin e Vushtrrisë, Armend Dallkun.
Ai u dënuar me gjobë prej 500 eurove, përshkak të ofendimeve në drejtim të trajnerit dhe zyrtarëve të Tefik Çangës./GazetaExpress/