Një çift i ri, të cilëve mjekët u kishin thënë se mund të mos bëheshin kurrë prindër, kanë mirëpritur dy palë binjakë – me vetëm një vit diferencë mes tyre.
Sot, me katër fëmijë nën moshën dy vjeç, Alisha Young, 25 vjeçe, dhe Connor Craster, 26 vjeç, nga Hartlepool, e përshkruajnë jetën e tyre si të bukur, por tejet intensive. Ata flenë maksimumi pesë orë në natë, ndërrojnë rreth 50 pelena në 24 orë dhe shpenzojnë afërsisht 18 paund në ditë vetëm për to. “Është sikur kemi katërnjakë,” thonë me humor.
“Jemi shumë të lumtur dhe jashtëzakonisht mirënjohës,” shprehet Alisha. “Gjithmonë kam ëndërruar një familje të madhe dhe kam dashur të bëhem nënë.”
Nga diagnoza e rëndë te lajmi i papritur
Rruga drejt prindërimit nuk ishte e lehtë. Çifti u njoh në maj 2022, ndërsa punonin në një spital, dhe u fejuan në nëntor të vitit pasues.
Pak muaj më vonë, Alisha mori një lajm tronditës: për shkak të endometriozës – një sëmundje ku qeliza të ngjashme me ato të shtresës së brendshme të mitrës zhvillohen jashtë saj – ajo mund të mos ishte në gjendje të kishte fëmijë biologjikë. Që në moshë të re ajo kishte vuajtur nga cikle të dhimbshme dhe të bollshme, si dhe dhimbje të forta në legen. Mjekët madje i rekomanduan histerektomi (heqje kirurgjikale të mitrës), duke e paralajmëruar për rrezikun e humbjes së vezores së djathtë.
“Me endometriozën është gjithmonë e vështirë. Ka shumë informacion, shumë zgjedhje dhe vendime të vështira,” tregon ajo.
Operacioni ishte planifikuar për shkurt 2024. Por, para ndërhyrjes, Alisha bëri një test shtatzënie – i cili rezultoi pozitiv.
“Ishte një tronditje e madhe, por edhe një bekim i jashtëzakonshëm. Mbeta pa fjalë,” kujton ajo.
Në ekografinë e javës së tetë, surpriza u dyfishua: ajo ishte shtatzënë me binjakë, vetëm pak muaj pasi i ishte thënë se nuk do të mund të konceptonte.
Connor kujton momentin: “Pashë dy rrathë në ekran, të lidhur me një vijë të vogël – dukej si një fytyrë e buzëqeshur.”
Në javën e 16-të mësuan se prisnin vajza. Lottie (1.88 kg) lindi në orën 05:07 dhe Hattie (1.76 kg) në 05:40, më 2 nëntor 2024. Të dyja qëndruan 29 ditë në kujdesin neonatal.
Një tjetër surprizë
Pesë muaj pas lindjes së vajzave, në prill 2025, një tjetër test shtatzënie doli pozitiv. Një muaj më vonë, ekografia konfirmoi se çifti po priste sërish binjakë.
Në Mbretërinë e Bashkuar, mundësia për një lindje multiple (binjakë, trinjakë apo më shumë) është rreth 1 në 65 shtatzëni, ose afërsisht 2.4% e lindjeve të gjalla. Nëse binjakët e parë janë jo-identikë, gjasat për të pasur sërish binjakë rriten, pasi prirja gjenetike për të çliruar më shumë se një vezë në cikël mund të vazhdojë.
“Nuk mund ta besonim,” thotë Connor. “Herën e parë ishte e papritur. Tani po bëheshim prindër të katër fëmijëve, kur na kishin thënë se nuk do të kishim asnjë.”
Alisha hyri në lindje më 29 tetor. Kur procesi nuk përparoi, ndërhyrja u përshpejtua dhe më 2 nëntor 2025 – pikërisht në ditëlindjen e parë të motrave të mëdha – lindën Florence (2.41 kg) në orën 14:15 dhe William (2.36 kg) në 15:35, gjashtë javë para kohe. Ata kaluan 14 ditë në të njëjtat krevate neonatale ku kishin qëndruar motrat e tyre një vit më parë.
Një jetë e organizuar në minuta
Sot, jeta e çiftit rrotullohet rreth ushqyerjes, ndërrimit të pelenave dhe kujdesit të pandërprerë.
“Nuk di të them kur fillon dita, sepse e mëparshmja nuk mbaron kurrë,” thotë Connor.
Ata kanë ndërruar makinën e tyre Mitsubishi Mirage me një Kia Carens me shtatë vende, për t’iu përshtatur familjes së zgjeruar. Megjithatë, nuk do ta ndërronin këtë realitet me asgjë tjetër.
“Sapo erdhën në jetë, ndjemë se familja jonë u plotësua,” shprehet Connor.
Ndërsa Alisha thekson rëndësinë e rutinës: “Me katër fëmijë, organizimi është thelbësor. Vetëm duke respektuar oraret mund të gjesh pak kohë për veten. Dhe është e vërtetë që duhet një ‘fshat i tërë’ për të rritur fëmijë – ne kemi fatin të kemi një rreth mbështetës të jashtëzakonshëm.” /GazetaExpress/