Dy ministra të Kilit infektohen me Covid-19, shënohet rekord i rasteve të reja - Gazeta Express

Dy ministra të Kilit infektohen me Covid-19, shënohet rekord i rasteve të reja

Lajme

Gazeta Express

26/05/2020 11:29

Dy ministra në qeverinë e Kilit janë infektuar me koronavirus, ndërsa ky shtet shënoi rekord të rasteve të reja të infektimeve me rreth 5,000 të infektuar për 24 orë.

Gjatë 24 orëve të kaluara, në shtetin e Amerikës Jugore u regjistruan 4,895 raste të reja të infektimeve dhe 43 të vdekur nga koronavirusi, shkruan “France24”, transmeton Gazeta Express.

Ministri i punëve publike, Alfredo Moreno, dhe ministri i energjisë, Juan Carlos Jobet, treguan se ata janë në mesin e të infektuarve me Covid-19.

“Jam informuar se testi për koronavirus, të cilin e kam bërë para disa ditëve, ka dalë pozitiv”, shkroi ministri Moreno në Twitter, duke shtuar se ende nuk ka përjetuar simptoma të sëmundjes.

Me virusin e ri u infektua edhe ministri Jobet pasi ishte vendosur të shtunën në karantinë si masë parandaluese. “Ministri ka pasur simptoma të lehta, të cilat mund të jenë të lidhura me sëmundjen”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Energjisë.

Në këtë deklaratë thuhet se ministri Jobet nuk ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me presidentin Sebastian Pinera apo me pjesëtarët e tjerë të kabinetit ditëve të fundit.

Tre ministra të tjerë, të cilët ishin vendosur në vetizolim pasi kishin pasur kontakte me persona të infektuar, kanë dalë negativë në testim dhe e kanë vazhduar punën.