Barcelona duhet të gjenerojë fonde këtë verë në mënyrë që të mund të regjistrojë të gjitha afrimet e reja të planifikuara. Joan Garcia, i cili është i vetmi përforcim deri tani, ende nuk është regjistruar nga La Liga, dhe për ta bërë këtë të mundur, klubi duhet të rikthehet në raportin financiar 1:1.
Një sërë lojtarësh janë përfshirë në listën e mundshme të largimeve. Ansu Fati tashmë është larguar, ndërsa Pablo Torre pritet të largohet shumë shpejt. Marc-André ter Stegen gjithashtu mund të largohet, pasi është informuar se nuk llogaritet për sezonin e ardhshëm. Përveç kësaj, pritet që të largohet të paktën një qendërmbrojtës.
Barcelona aktualisht ka si opsione në qendër të mbrojtjes Pau Cubarsí, Iñigo Martínez, Eric Garcia, Ronald Araújo dhe Andreas Christensen, ndërsa edhe mbrojtësi i djathtë Jules Koundé mund të mbulojë atë pozicion në raste nevoje. Për këtë arsye, klubi ka vendosur që një prej tyre mund të largohet – por problemi qëndron në bindjen e ndonjërit që të pranojë të ikë.
Araújo dhe Christensen janë dy kandidatët kryesorë, por sipas “Diario AS”, asnjëri prej tyre nuk dëshiron të largohet këtë verë. Të dy janë rikthyer në stërvitje para kohe si një shenjë e vendosmërisë së tyre për të qëndruar dhe për të dhënë kontribut në sezonin 2025-26.
Kjo e vë në pozitë të vështirë drejtorin sportiv Deco, i cili duhet të gjejë një zgjidhje për të larguar njërin prej tyre. Opsioni i tij i preferuar për t’u larguar është Christensen, pasi ai llogarit shumë te Araújo, i cili rinovoi kontratën me klubin më herët këtë vit.
Largimi i Christensen duket më i logjikshëm pasi kontrata e tij skadon verën e ardhshme dhe aktualisht, Barcelona nuk ka në plan t’i ofrojë një rinovim. Megjithatë, ai dëshiron të qëndrojë, dhe trajneri Hansi Flick gjithashtu do ta vlerësonte praninë e tij në skuadër.
Nëse nuk mund të gjendet një zgjidhje për largimin e Araújos apo Christensenit, atëherë ekziston mundësia që të largohet Eric Garcia. Megjithatë, Flick llogarit edhe më shumë tek ai, dhe janë parashikuar bisedime për një kontratë të re në javët në vijim. Nëse eventualisht ai do të largohej, kjo do të shihej si një dështim i madh nga ana e Deco-s.
Pritjes i erdh fund! Rrjeti i marketeve më të mëdha në Kosovë, ETC ka njoftuar për fillimin e fazës...