Sipas “Sport.es”, Barcelona është e vendosur ta mbajë Robert Lewandowski edhe për një sezon dhe do t’i ofrojë një kontratë të re.
Klubi katalanas pritet t’i propozojë sulmuesit polak një marrëveshje të re deri në vitin 2027.
Kontrata aktuale e 37-vjeçarit në “Camp Nou” skadon në fund të sezonit, ndërsa interes për të kanë shfaqur Juventusi dhe Milani në Serie A.
Raportime nga Italia javën e kaluar pretendonin se Juventusi kishte dërguar një përfaqësues për ta ndjekur nga afër Lewandowskin gjatë pushimit të marsit me kombëtaren e Polonisë.
“Bianconerët” janë aktualisht në bisedime për rinovimin e kontratës së Dušan Vlahović, por gjithsesi po kërkojnë një sulmues të ri, pavarësisht nëse ai qëndron apo largohet.
Nga ana tjetër, Milani e mori Niclas Füllkrug në huazim nga West Ham Unitedi në janar, me opsion blerjeje, por ende nuk është i sigurt nëse do ta bëjë transferimin të përhershëm. “Rossonerët” gjithashtu pritet të kërkojnë një sulmues të ri për sezonin 2026-27.
Sipas “Sport.es”, Lewandowski ende nuk e ka të qartë të ardhmen e tij te Barcelona dhe po merr kohë për të shqyrtuar opsionet.
Marrëdhënia mes përfaqësuesit të tij dhe klubit katalanas është shumë e mirë, njësoj si edhe raporti i vetë lojtarit me klubin.
Përveç Juventusit dhe Milanit, interes për Lewandowskin kanë shfaqur edhe disa klube turke si dhe Chicago Fire në MLS, ndërsa sulmuesi i Barcelonës duket se nuk është i interesuar për një transferim në Arabinë Saudite./GazetaExpress/