Armando Broja do të largohet gjithsesi nga Chelsea në afatin kalimtar të verës.
“Blues” nuk janë bindur asnjëherë me kualitetet e sulmuesit shqiptar që kur e kanë transferuar atë, ndërsa lojtari kryesisht këtë periudhë e ka kaluar në huazime.
E tash, përfaqësuesi shqiptar, të cilin nuk e kanë lënë rehat lëndimet gjatë karrierës, ka marrë oferta nga Gjermania.
Mediumi britanik “The Athletic” raporton se sulmuesin shtatlartë e duan dy klubet e Bundesligës, Stuttgart dhe Red Bull Leipzig, përcjell “Gazeta Express”.
Leipzigu është duke u përgatitur për largimin e Benjamin Seskos dhe Xavi Simonsit, prandaj Broja shihet si një alternativë ideale e tyre.
Ndërkohë, Stuttgarti e sheh të nevojshëm përforcimin në sulm dhe shqiptari shihet si një zgjidhje ideale.
Chelsea është e gatshme të mos kërkojë shumë para vetëm për t’ia gjetur një klub Brojës, i cili në “Transfermarkt” vlerësohet 12 milionë euro.
Lojtari ka nevojë për një ekip ku do të mundë të luante në vazhdimësi për ta kapur hapin pasi ka ngecur prapa pa kontinuitet. /Gazeta Express