Dy K-të – Krimi dhe Kurti - Gazeta Express
string(23) "dy-k-te-krimi-dhe-kurti"

Dy K-të – Krimi dhe Kurti

OP/ED

Gazeta Express

01/12/2022 13:55

Më ndjeni, por duhet të jesh mizor vetëm ta mendosh për një çast këtë, e lëre më ta shkruash dhe ta shpërndash në opinion, si qëndrim zyrtar të një kryeministri të një vendi.

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

Në këtë histori të shkurtër të shkretë të pasluftës, kemi pasur një larmi kryeministrash: të akuzuar për krime lufte e ekonomike, të korruptuar, banditë, shpërdorues detyre, injorantë dhe injorues, shpërfillës dhe moskokëçarës, përbuzës dhe tallës.

I tanishmi, Kurti, është zgjatja më e rrezikshme e tyre. Është zgjatja e tyre prepotente, e papërvojë, kryeneçe, mospërfillëse, nacionaliste dhe fashiste.

Postimi i tij i fundit në Facebook është një ilustrim i radhës. Sigurisht, po ta kishte thënë në një konferencë për media (dhe këtë lloj institucioni aq të vlerësuar tashmë e kanë shuar me kënaqësinë më të madhe politikanët) në tërbim e sipër, fare pak kohë pas ngjarjes tronditëse, do të mund të ishte thënë se – do të ishte përpiqur ta arsyetonte armata trushpëlarë e tij – i ka shpëtuar nga tronditja. Ndërsa, themi ne (dhe mund ta mohojnë lehtësisht ata që mohojnë a priori), e shkruar ngadalë dhe duke përzgjedhur fjalët, me sugjerimet dhe nën mbikëqyrjen e stafit përreth tij, për ta postuar si reagim zyrtar, në një rrjet social, nuk ishte fare reagim nga tronditja. Ishte reagim nga budallallëku, pashpirtësia, tallja me opinionin e gjerë. Tendenca ishte që t’i thuhet opinionit (sepse turma budallaqe duhet po ashtu ta dëgjojë nga tjetri – lideri, profeti, i zgjedhuri – edhe atë që e mendon ajo vetë) atë që gjoja ai donte ta dëgjonte, si konfirmim të bindjeve të tij. Kurti shkon me mendjen se të gjithë ne, budallenjtë nën çizmën e tij të zhytur në atë që s‘po e themi, e mendojmë atë që s’goxojmë ta mendojmë, që e kemi zgjedhur vetë atë ta thotë. Në të vërtetë, ajo që ai e tha me atë lehtësi prej budallai, nuk e mendojmë të gjithë ne, nuk e mendon i gjithë opinioni, nuk e mendojnë të gjithë qytetarët kosovarë. E mendon ai, mbi të gjitha ai dhe sidomos ai dhe oborri i tij.

Nga ai postim i menduar dhe shpërndarë me gjakftohtësi nga kryeministri (ashtu siç me gjakftohtësi e kishte menduar dhe kryer krimin vrasësi), ne budallenjtë e shkretë kuptuam se paskemi një armik që i paska sytë dhe veshët te kronika e zezë e vendit tonë dhe iu gëzuaka secilit krim ordiner (që mund të jetë në numër as më shumë as më pak se në vendin e tij, në vendet e tjera dhe saktësisht i të njëjtës natyrë), duke qenë se me këtë, shihe ti, armiku i tyre po u pakësuaka.

Më ndjeni, por duhet të jesh bukur mizor vetëm ta mendosh për një çast këtë, e lëre më ta shkruash dhe ta shpërndash në opinion, si qëndrim zyrtar të një kryministri të një vendi. Në një atmosferë të një tragjedie të tillë, kur ende nuk dihet saktësisht si ka ndodhur, në një moment të një shoku të tillë shoqëror, të ngrihesh mbi publikun dhe fjalët e vetme që i thua të jenë ato se kjo e gëzuaka armikun, se krimi e paska marrë një pjesëtare të një etnie të caktuar, jo thjesht një qenie njerëzore, kjo është përtej arsyes.

Nga ana tjetër, Kosova si vend multietnik përbëhet prej etnish të ndryshme dhe etnia e dytë në numër i përket asaj të armikut të supozuar (që i është shndërruar në fantazmë përndjekëse) të Kurtit. Mund ta imagjinoni tani se si mund të ndihen ata, në parim qytetarë të barabartë me ne të tjerët, të gjitha etnitë tok, kur e dëgjojnë një deklaratë të tillë.

Tingëllon goxha ftesë, pritje e ngrohtë dhe siguri për ata që ende nuk janë të bindur ta duan dhe respektojnë vendin tonë të përbashkët, kështu siç është tash.

Dua të them bindshëm se deklarata e tillë në të vërtetë nuk vjen nga injoranca, as ngutia. Është rezultat i një bindjeje të thellë, i një besimi dhe dëshire më shumë se sa frike. Armiku është gjithmonë i dëshirueshëm dhe duhet të jetë i pranishëm, si fantazmë, edhe atëherë kur ka pushuar së qeni i tillë realisht, edhe atëherë kur nuk ia gjen gjurmët askund – për të mos thënë edhe atëherë kur s’ka qenë kurrë.

Në fund, pra nëse gjërat janë përnjëmend ashtu siç i parashtron kryeministri, a do të thotë kjo se atë, duke qenë se armiku i tij i supozuar e konsideron po ashtu atë si armik në të njëjtën mënyrë) e gëzon një krim ordiner i kryer në vendin fqinj, duke qenë se ai krim, me fjalët e tij, do të thotë një, dy, tre a më shumë armiq më pak?