Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim dy gjeneralët amerikanë – Gjeneral Major Michael E. Wegscheider, Komandant i Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së Ushtrisë Amerikane, si dhe Gjeneral Major Stephen Osborn, Agjutant i Përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Ajovës.
Gjatë këtij takimi të nivelit të lartë, Gjenerallejtënant Jashari i informoi mysafirët amerikanë për zhvillimet dhe të arriturat e fundit të FSK-së, duke theksuar fushat e bashkëpunimit dypalësh dhe aktivitetet e përbashkëta që kanë konsoliduar marrëdhëniet mes dy vendeve.
Një nga temat kryesore ishte pjesëmarrja e FSK-së në ushtrimin shumëkombësh “Defender Europe 25”, ku Kosova është nikoqire, ndërsa kontingjentet e FSK-së marrin pjesë edhe në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Kroaci.
Gjithashtu, u diskutua për mbështetjen që ushtria amerikane po i ofron FSK-së në validimin e Ekipit 2 të Njësisë ROL 1 dhe për trajnimin e përbashkët në Qendrën për Trajnime të Përbashkëta JRTC, në bashkëpunim me Gardën Kombëtare të Ajovës.
Në përfundim të takimit, të dyja palët u zotuan për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët, duke theksuar partneritetin strategjik dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve të FSK-së.