Dy fytyrat e populizmit - Gazeta Express
string(23) "dy-fytyrat-e-populizmit"

Dy fytyrat e populizmit

Gazeta Express

11/12/2019 12:01

Data e 10 Dhjetorit të vitit 2019 mund të merret si datë e vdekjes zyrtare të idealit platonik të unitetit midis të bukurës, të vërtetës dhe të mirës dhe fillim i epokës së post truth në letërsi. Dhe për ironi vdekja e humanizmit letrar ndodh pikërisht në ditën ndërkombëtare të humanizmit politik e jurdik, e njohur si Dita ndërkombëtare e të drejtave të njeriut. E keqja vjen nga nuk ta pret hiç mendja, thotë një urti popullore

Blerim Latifi

Lexo Edhe:

Studiuesit që merren me hulumtimin e formave të ndryshme të populizmit, nganjëherë i grupojnë populistët në dy grupe : në të parin bëjnë pjesë populistët, të cilët kur e marrin pushtetin përpiqen seriozisht t’i implementojnë premtimet populiste, ndërsa në të dytin bëjnë pjesë populistët, të cilët me të ardhur në pushtet ulin tonin, ndërrojnë pamjen, gjestet, retorikën dhe përfundimisht e braktisin demagogjinë opozitare, për t’u shndërruar ne “politikanë normalë të status quosë”, të cilën e kritikonin dikur me pasion dhe agresivitet.

Në cilin grup do ta shohim Lëvizjen Vetëvendosje, në javët në vazhdim, nëse veç arrihet marrëveshja me LDK-në për bashkëqeverisje? 

Një përgjegjje na e dha Xhelal Sfeçla, në vikendin e javës së kaluar, derisa po pinte kafe në Tiranë me njeriun kryesor të Vuçiçit për Kosovën, Marko Gjuriqin.

Në mediat online shpërthyen polemikat rreth këtij takimi dhe me të drejtë. Gjuriqi, njësoj si Milosheviqi 20 vjet më parë, kishte deklaruar se Masakra e Reçakut është një mashtrim e propagandë, dhe menjëherë pas deklarimit kishte flutuar për në Tiranë, për të pirë kafen e mbrëmjes me tre politikanë kosovarë, në ambientet e hotelit ku po zhvillohej një konferencë, nga ato të cilat me të përfunduar harrohen nga të gjithë.

Sfeçla është njëri nga veteranët e Vetëvendosjes, i cili gjithë karrierën e tij politike e ka të ndërtuar mbi diskursin e demonizimit dhe shpalljes tradhtarë të të gjithë atyre që janë ulur në tavolinë me zyrtarë të Beogradit dhe ja tani papritur bën po atë gjë, për të cilën i akuzonte të tjerët.

Kjo na jep të kuptojmë se Vetëvendosja në pushtet, do të jetë ndryshe nga Vetëvendosja në opozitë dhe një nga pikat më të forta të qëndrimit të saj opozitar, e cila ka të bëjë me refuzimin e dialogut me Serbinë, derisa ajo nuk kërkon falje për krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës, do të braktiset përfundimisht. Ndryshe nuk mund të shpjegohet ulja për kafe me Gjuriqin, i cili përfaqëson një qeveri që në vend të kërkim faljes për krimet, vazhdon me mohimin e tyre. Sfeçla nuk është i pari që e bën këtë, por ai tani duhet të ballafaqohet me kritikën e ashpër, për faktin se deri dje ishte ndër më të zëshmit kundër kësaj praktike.

Me gjasë kanë të drejtë ata që flasin për fuqinë e parezistueshme të transformimit të karaktereve, të cilën e përmban pushteti, në tokën e të cilit, siç thotë Edmund Burke, edhe engjujt kanë frikë të shkelin. Kjo fuqi e pushtetit idealistët i transformon në pragmatistë, ekstremistët e parimeve në negociatorë të interesave, dhe pyetjet për drejtësinë e çështjeve, i zëvendëson me pyetjet e Lassuell-it, kush merr, çfarë merr, si dhe kur e merr! Vonesa në arritjen e marrëveshjes së bashkëqeverisjes me LDK-në është një tregues i këtyre transformimeve.

Në rrafshin teorik, ky ndryshim i sjelljes politike do ta fus Vetëvendosjen në grupin e argumenteve që thonë se populizmi nuk është as doktrinë, as ideologji, por vetëm një teknikë efektive për të ardhur në pushtet.

Unë besoj se i fundit që do ta braktis diskursin e populizmit të majtë të Vetëvendosjes, do të jetë pikërisht kreu i saj, Albin Kurti dhe për këtë më bindë deklarata e tij e djeshme për Ditën Ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Në një tekst të ngjeshur me koncepte të filozofisë së majtë, derisa flet për madhështinë e humanizmit politik, të cilin e përmban koncepti i të drejtave të njeriut, Kurti nuk harron të kujtojë “brutalitetin e pashembullt të imperalizmit”. Imperializmi, nga perspektiva e së majtës, identifikohet me fuqitë koloniale si Britania e Madhe e Franca, dhe pas Luftës së Dytë Botërore, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të ngresh në qiell idealin e të drejtave të njeriut dhe në të njëjtën kohë e vend të bësh me gisht nga këto fuqi imperialiste për vuajtjet e njerëzimit, duket kontradiktore, për vetë faktin se të drejtat e njeriut, si koncept filozofik, si ideal politik dhe praktikë juridike, ekzistojnë falë këtyre fuqive.

Pa Francën, Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bota nuk do të kishte fare idenë e të drejtave të njeriut. Njeriun, të cilin kryeministri filozof në ardhje i Kosovës, e shkruan me Nj të madhe, e kanë shpikur mendimtarët e këtyre tri shteteve dhe e kanë shndërruar në realitet politik dhe juridik, vendimmarrësit e tyre.

Meqë jemi tek Dita e ndërkombëtare të drejtave të njeriut, po ndalemi për fund tek skandali i djeshëm i ceremonisë së dhënies së çmimit Nobel shkrimtarit austriak Petër Handke.  Ky skandal përbën prishjen e kodit moral të literaturës perëndimore.

Qysh nga Platoni literatura perëndimore është identifikuar me misionin e artit për t’i shërbyer të së mirës dhe të vërtetës, përmes të bukurës. Dhe tani papritur Komiteti i Nobelit, çmimit më famshëm që jepet në botë për letërsi, shpallë se vërteta dhe e mira nuk kanë asnjë rëndësi, kur është në pyetje vepra artistike. Që do të thotë se qëndrimet morale të autorit janë irelevante në vlerësimin e veprës së tij artistike. Data e 10 Dhjetorit të vitit 2019 mund të merret si datë e vdekjes zyrtare të idealit platonik të unitetit midis të bukurës, të vërtetës dhe të mirës dhe fillim i epokës së post truth në letërsi. Dhe për ironi vdekja e humanizmit letrar ndodh pikërisht në ditën ndërkombëtare të humanizmit politik e jurdik, e njohur si Dita ndërkombëtare e të drejtave të njeriut. E keqja vjen nga nuk ta pret hiç mendja, thotë një urti popullore.