Dy fytyrat e LDK’së - Gazeta Express
string(18) "dy-fytyrat-e-ldkse"

Dy fytyrat e LDK’së

Gazeta Express

10/04/2020 13:28

Vjosa Osmani dhe Agim Veliu janë kthyer në dy fytyrat e LDK’së. E para përfaqëson votën e elektoratit më 6 tetor, i dyti linjën e bashkëpunimit dhe flirtimit me PDK’në dhe Hashim Thaçin. Vullneti i votuesve të LDK’së sërish mund të tjetërsohet. Ata votuan t’ia ndërrojnë fytyrën partisë, por dikush po do t’ua marrë fytyrën. Sërish.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Akuza dhe kundërakuza janë shkëmbyer ditët e fundit ndërmjet përfaqësuesve më të denjë të “dy LDK’ve” – asaj të Vjosa Osmanit dhe tjetrës së Agim Veliut. E para konsideron se, si bartëse e procesit zgjedhor të 6 tetorit, ajo e ka të drejtën morale dhe obligim ndaj votuesve të partisë që mos e tjetërsojë atë vullnet. I dyti, duke e quajtur të parën “përkthyese të Hashim Thaçit”, thotë se ajo nuk ka vend në LDK, sepse nuk po e përfill vijën partiake.

Votuesit e partisë janë vënë në lajthitje sërish. Më 6 tetor ata votuan kandidaten për kryeministre, Vjosa Osmanin, të cilën partia me dëshirë e vuri në ballë të betejës. Ajo kërkoi vota gjithandej vendit me premtimin se do të bënte koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Pas shumë zvarritjeve ashtu edhe ndodhi, pavarësisht se kundërshtari më i madh i kësaj bashkëqeverisjeje ishte pikërisht Agim Veliu, që u bë edhe pjesë e kabitetit qeveritar.

Tash kur secili e di se çfarë ka ndodhur javët e fundit, kanë shpërthyer akuza brenda partisë. Osmani, e cila kundërshtoi mocionin për rrëzimin e qeverisë, mbështetet publikisht nga një numër i vogël deputetësh. Nuk ka si të jetë ndryshe, pasi që është paralajmëruar mundësia e krijimit të një koaliconi të ri ndërmjet LDK’së, AAK’së e Nismës Socialdemokrate dhe në të tilla raste deputetë e zyrtarë të tjerë partiakë tregohen më konformistë se asnjëherë më parë.

Ndërkaq Veliu, i cili u shkarkua nga Albin Kurti, vazhdon të tregojë fuqinë që brezi i vjetër e ka brenda partisë, duke e eklipsuar të ashtuquajturin “brez i republikës” që deri tash është shquar për dëgjueshmëri ndaj kastës së vjetër partiake – kastës që nuk përton të bashkëpunojë me Hashim Thaçin kurdo që ai dëshiron.

Kështu po ndodh edhe kësaj here, por ironia qëndron në faktin se, ata që po e etiketojnë Osmanin si “përkthyese e Hashim Thaçit” në fakt janë bashkëpunëtorë të tij dhe të njëjtët që e zgjodhën atë president.

* * *

Votuesit e LDK’së ia dhanë votën partisë dhe Vjosa Osmanit më 6 tetor me premtimin se nuk do të bëjë në asnjë mënyrë koalicion me PAN’in. Pak muaj më parë, kryetari i partisë Isa Mustafa kritikonte pikërisht partitë e PAN’it se i kishin prishur urat e bashkëpunimit me BE’në dhe SHBA’të. Ndërkaq, një deputet i partisë deklaronte plot vetëbesim se veç LDK’ja ishte parti, kurse partitë tjera nuk ishin gjë tjetër veçse grupe kriminale.

Tash kur LDK – pas inicimit të mocionit dhe rrëzimit të qeverisë, me arsyetimin se Albin Kurti po i prish marrëdhëniet me Amerikën – po synon të krijojë një koalicion të ri qeverisës, shumë hipokrizi e pak parimësi po del në sipërfaqe.

Mbase vetëm Isa Mustafa, Agim Veliu dhe të tjerët si këta e dinë formulën se si mund t’i riparojnë marrëdhëniet që thonë të jenë prishur me SHBA’të, me njerëz që i akuzonin vetëm para pak muajsh se ishin fajrorët kryesorë për një gjë të tillë. Vetëm ata mund ta dinë se si mund t’i përmirësojnë këto marërdhënie me njerëz që gjenden në “listën e zezë” amerikane. Ose, vetëm deputetë fort konformistë mund ta arsyetojnë vendimin që LDK të bëjë koalicion me “grupe kriminale”, siç ishin cilësuar të gjitha partitë me përjashtim të LDK’së. Dhe, mbase, vetëm ata mund ta arsyetojnë edhe njëherë tjetërsimin e vullnetit të votuesve të LDK’së.

* * *

Këta që tash nuk e kanë problem të tjetërsojnë këtë vullnet, janë të njëjtët që vazhdimisht bënin thirrje që të votohet LDK’ja sepse nuk do të bënin asnjëherë koalicion me PDK’në e SHIK’un dhe kur i merrnin votat, përfundonin “në shtrat” me Hashim Thaçin. Janë të njëjtit që gjatë gjithë fushatës zgjedhore drejtonin gishtin drejt PDK’së për vrasjen e aktivistëve partiakë pas luftës dhe përfundonin në bashkëqeverisje me “partinë e krimit”, siç e quanin dikur. Janë të njëjtit që bashkë me PDK’në arrinin marrëveshje që të kapin borde e institucione, ndërkohë që premtonin depolitizim e luftim të korrupsionit. Janë të njëjtit që ende nuk kanë dhënë përgjegjësi institucionale për Fondin e Trepërqindëshit, të njëjtit që ngarendnin t’ia bëjnë Hashim Thaçit votat për t’u zgjedhur president dhe të njëjtit që tash po e luajnë lojën e Thaçit, duke mos e lëshuar nga goja Amerikën.

LDK mund ta krijojë qeverinë me një pjesë të PAN’it, por nuk do t’ia dalë ta ruajë besimin e votuesve të vet. Besimin e atyre që ia dhanë votën Vjosa Osmanit, por fituan Agim Veliun. Të atyre që deshën t’ia ndërrojnë fytyrën LDK’së, por dikush po do t’ua marrë fytyrën. Sërish.