Dy fjalë për të ardhmen e Europës - Gazeta Express
string(33) "dy-fjale-per-te-ardhmen-e-europes"

Dy fjalë për të ardhmen e Europës

OP/ED

Gazeta Express

02/02/2021 19:41

Një ditëlindje e tillë nuk duhet të jetë vetëm një arsye për të festuar, por edhe një mundësi për reflektim kritik. Im atë gjithmonë i shihte ditëlindjet e tij si mundësi për  një vështrim kritik ndaj politikës, duke u përpjekur ta fuste politikën europiane të ditës në një kontekst më të gjerë. Duke i qëndruar kësaj tradite, më pëlqen t’a nis me një citim të tijin: “Ata që nuk dinë nga vijnë, nuk e dinë se ku po shkojnë, sepse nuk dinë se ku po qëndrojnë”.

Karl von Habsburg [i]

Lexo Edhe:

Shumë prej jush, zonja dhe zotërinj, e njohin këtë shprehje, dhe unë qëllimisht po e përdor atë si një hyrje të këtij fjalimi me titull:  “Fjalim mbi të ardhmen e Europës”. Mbi të gjitha, pyetja vendimtare sot është: a mund të vendosim ne për të ardhmen e Europës, nëse nuk dimë cilat janë bazat dhe cilat janë recetat për suksesin e saj? Dhe me këtë dua të them Europën në tërësi dhe Bashkimin Europian në veçanti, që përbën dhe  bërthamën e unifikimit europian.

Në Europë, në shekullin e kaluar pati disa përpjekje për të krijuar parajsën në tokë: nacionalizmi, nacional-socializmi, komunizmi, të gjitha këto ideologji dështuan. Ato çuan miliona njerëz drejt vdekjes tragjike dhe  shkaktuan dëme masive ekonomike. Ideologjitë janë doktrina të shpëtimit të supozuar, të cilat nuk arrijnë të sjellin shpëtim sepse i bishtnojnë arsyes. Sidomos në kohërat kur njerëzit kërcënohen nga krizat, ata padyshim që bëhen të ndjeshëm ndaj doktrinave të tilla të shpëtimit. Në Europë – por jo vetëm këtu – ne e marrim si të mirëqenë, ose duam ta marrim të mirëqenë paqen dhe prosperitetin që kemi shijuar që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore brenda Komunitetit Ekonomik Europian, pastaj Komunitetit Europian dhe tani Bashkimit Europian.

Ne i kemi përjashtuar apriori krizat, dhe kur ato vijnë – sepse krizat ndodhin edhe në kohët më paqësore – ne mbështetemi në shtetin e mirëqenies që u krijua vonë në Europë, në vitet 1970, duke i pasur fillesat e tij në perëndim të kontinentit. Nëse i hedhim një vështrim kritik kohës në të cilën unë u rrita, do të thoja se ne e zhvilluam këtë shtet të mirëqenies nën hijen e Luftës së Ftohtë.

Ne ishim në gjendje ta zhvillonim këtë shtet të mirëqenies për shkak të të paktën dy rrethanave. Së pari, për shkak të çadrës ushtarake që superfuqia perëndimore, SHBA-ja së bashku me NATO-n kishin shtrirë në pjesën perëndimore të Europës. Austria, megjithëse nuk ishte anëtare e NATO-s, përfitoi gjithashtu prej saj. Rrethana e dytë konsiston në politikat ekonomike që njihet edhe sot si “mrekullia ekonomike”. Ishte një politikë për të cilën fokusi nuk ishte në një ekonomi të planifikuar por në një ekonomi tregu. Shteti ndoqi një politikë rregullatore, jo intervenuese. Në Gjermani u përfaqësua nga Ludvig Erhard, ndërsa në Austri nga drejtimi që i dha Raab-Kamnitz. Politika e shëndoshë monetare e  zbatuar nga Banka Qëndrore Gjermane, ndihmoi në krijimin e një klase të mesme solide, e cila përmes punës së palodhur, kursimit dhe investimit, si në aspektin privat ashtu edhe në atë sipërmarrës, siguroi që gjenerata pasuese të ishte më mirë. Këtë po e them me një ndjenjë mirënjohje dhe respekti, së pari sepse edhe unë i përkas këtij brezi dhe së dyti sepse mund të mësojmë shumë prej tij.

Sidoqoftë, dhe kjo duhet të jetë shumë e qartë:  politikat që gjeneruan mrekullinë ekonomike, d.m.th. politika rregullatore nga njëra anë dhe shteti i mirëqenies nga ana tjetër, janë koncepte të kundërta. Politikat që çuan në mrekullinë ekonomike bazohen në iniciativën e individëve dhe në arritjet e tyre. Koncepti i shtetit të mirëqenies synon t’i bëjë qytetarët të varur nga shteti – dhe këtë e bën duke përdorur paratë e tyre.

Evolucioni i këtij shteti të mirëqenies në hijen e Luftës së Ftohtë ishte gjithashtu arsyeja pse rëndësia e vendeve Europiane në politikën e jashtme u ngadalësua. Një zhvillim që u vu re si gjatë luftërave në Ballkan pas shpërbërjes së Jugosllavisë, ashtu edhe me mësymjen e Rusisë ndaj Ukrainës. Politikanët europianë e panë si mjaft të përshtatshme që vendimet e rëndësishme në politikën e jashtme t’ia lënë SHBA-ve, përfshirë edhe politikat e sigurisë.

William S. Schlamm, në atë kohë një nga publicistët kryesorë konservatorë në botën gjermano-folëse, e përmblodhi këtë zhvillim negativ në një “nekrologji për shtetin”. Kjo shkrim u botua qysh më 1978 në “Zeitbühne” në të cilën Schlamm shkruan: “Kur shteti u shëndrrua në një shtet të mirëqenies, ai abdikoi. Sepse duket se nuk mund të injorohet më fakti që në Perëndim asnjë shtet i vetëm nuk e zhvillon më politikën e tij në kuptimin klasik – domethënë si shtet. Politika në kuptimin klasik implementon mjete legjislative dhe ekzekutive për të vënë në zbatim një koncept – një objektiv specifik, të prekshëm dhe, në shumicën e rasteve, një objektiv për politikën e jashtme. Në Perëndim, politika e shtetit u praktikua për herë të fundit nga Charles de Gaulle; por shumica e politikave të tij u revokuan në mënyrë qesharake nga pasardhësit e tij Pompidou e Giscard d`Estaing. Në të gjitha vendet e tjera në Perëndim gjatë njëzet viteve të fundit nuk ka pasur një qeveri të vetme që të ketë implementuar apo edhe të ketë kuptuar politikën në kuptimin klasik të saj.” Schlamm pastaj vazhdon të kritikojë shtetin e mirëqenies si një komunitet politik “e gjithë fuqia shtetërore e të cilit është konsumuar plotësisht nga masat e mirëqenies për rehatinë e publikut, saqë asgjë nuk është lënë për politikën e shtetit”.

Një shtet i tillë i mirëqenies, ka nevojë për një aparat shtetëror në rritje të vazhdueshme për të administruar fondet e përbashkëta. Sidoqoftë, duke vepruar kështu, ai konsumon burime gjithnjë e më të mëdha nga tenxherja e taksave në mënyrë që të mbajë burokracinë e tij. Kjo çon në atë që ekonomisti, fatkeqësisht pothuajse i harruar, Felix Somary e përshkruan në “20 Ligjet Shoqërore të Proporcioneve të Gabuara”. Në ligjin numër 4 ai thotë, “Sa më shumë funksione të marrë një shtet, aq më e vështirë bëhet për të mbajtur kontrollin e administratës së tij.” Dhe në ligjin numër 5 ai vazhdon, “Sa më i madh dhe sa më i plotë të jetë shteti, aq më pak ndikim kanë njerëzit”. Një shtet i tillë gjithnjë e më shumë kthehet në një burokraci të brendshme. Ta themi me fjalët e William S. Schlamm: “Politika e brendshme kërkon llogaritarë të mirë, politika e jashtme do burra shteti”.

Nuk është detyra e llogaritarëve – duke i qëndruar shembullit – të kryejnë gjeopolitikë. Por është detyra e politikës europiane të zhvillojë gjeopolitikën për Europën. Nëse Europa nuk arrin ta zhvillojë vetë gjeopolitikën, të tjerët do të bëjnë gjeopolitikë me të. Dhe Europa në këtë kontekst nënkupton Europën, dhe jo shtetet individuale në Evropë. Në realitetin e sotëm politik, asnjë nga shtetet anëtare individuale të BE-së nuk ka forcën për ta përballuar këtë sfidë më vete.

Felix Somary, sizmografi i krizës që citova më parë, rrëfen gjithashtu se supozimi se shteti i mirëqenies sociale u jep fund të gjitha krizave është thjesht një iluzion. Në analizën e tij, një nga shenjat e sigurta të një krize është politika e parasë me çmim të lirë. Nuk mund të mohohet që praktikisht të gjitha bankat kryesore qëndrore, në shërbim të politikanëve, ndjekin një politikë të tillë të parasë me çmim të lirë. “Sa më shumë ekonomistë kërkojnë që të rriten normat e interesit, aq më shumë normat e interesit ulen nga politikanët”, përmbledh Somari në 20 ligjet shoqërore të proporcioneve të kundërta.

Problemi është se sot politika nuk kapërcen më krizat, por në vend të saj lajmet në media për krizat e reja thjesht zëvendësojnë ato për krizat e vjetra dhe kjo reflektohet edhe në debatin publik. E ashtuquajtura krizë e euros, për të dhënë një shembull të njohur, nuk është zgjidhur ende, e lëre pastaj borxhet e shteteve. Pandemia e Corona-s, vetëm sa ka hequr vëmendjen nga gjithçka tjetër.

Zonja dhe zotërinj, më lejoni t’i rikthehem diçkaje që përmenda shkurtimisht në fillim, por që ende nuk e kam shtjelluar: themelet e Europës të cilat duhet t’i kemi parasysh nëse duam të ndërtojmë të ardhmen e Europës.

Në këtë pikë, më shpesh u referohemi etërve themelues të Bashkësisë Europiane të Qymyrit dhe Çelikut, Planit Shuman. Sidoqoftë, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore u formësua një koncept shumë specifik për Bashkimin Europian, përkatësisht ideja Pan-Europiane e Richard Coudenhove-Kalergi. Pothuajse 100 vjet më parë, ai analizoi atë që po ndodhte në Europë dhe nxori përfundime nga ajo situatë.

Viti 1918, fundi i Luftës së Parë Botërore, ishte një pikë kthese historike për Europën dhe për politikën botërore. Deri atëherë, kishte pasur një rend europian. Jo në kuptimin që Europa kishte qenë një entitet politik, por politika botërore kishte qenë sinonim i politikës së fuqive europiane. Për sa kohë që ata mund të takoheshin në kongrese për të ruajtur rendin e vendosur ose për të krijuar një rend të ri, konfliktet të paktën ishin frenuar. Kështu, në dekadat përpara Luftës së Parë Botërore, Europa kishte pasur një bum të jashtëzakonshëm ekonomik, i cili gjithashtu kishte përfituar nga tregtia ndërkombëtare dhe një ndarje ndërkombëtare e punës, d.m.th. atë që ne sot e quajmë globalizëm. Në 1918, ndodhi ajo që askush nga politikanët kryesorë në atë kohë nuk e kishte konsideruar si të mundur, pa marrë parasysh se në cilin prej vendeve të përfshira bënin pjesë.

Europa Qëndrore, një zonë kulturore me një zhvillim të madh ndër shekuj u copëtua. Nacionalizmi mori drejtimin. 1918-ta gjithashtu pa fundin e idesë së shteteve supranationale . Sidoqoftë, ajo që u copëtua nuk ishte thjesht një zonë kulturore, por edhe ekonomike. Secili shtet më vete u përpoq të zgjidhte problemet e tij përmes politikave izoluese, proteksionizmit dhe nacionalizmit, por në realitet vetëm sa i bëri ato më keq.

Atëherë cilat ishin mësimet e pikës së kthesës në 1918 për Richard Coudenhove-Kalergi? Europa, e copëtuar në vende të vogla, do të bëhet arena e lojës së fuqive jo-europiane – ai përmendi Rusinë dhe SHBA-të – dhe ai analizoi qartë se politika e proteksionizmit vetëm sa do të rriste dëmin. Si pasojë, tha ai, Europa duhet të gjejë një mënyrë për t’u bashkuar, pasi përndryshe ajo do të zhytej në një luftë tjetër shkatërruese. Dhe sot ne e dimë se sa i qartë ishte ky vizion në vitet 1920 dhe çfarë pasoi.

Qasja e tij atëherë ishte gjeopolitike. Ai ishte i shqetësuar me ripërcaktimin e një rendi Europian. Jo në kuptimin e asaj që edhe në atë kohë do të kishte qenë një kthim jorealist në rendin e vjetër, por si një strukturë që do të rivendoste Europën si një entitet politik global dhe nuk do ta kthente atë në një lojë të fuqive jo-europiane.

Prandaj mendimet e tij u përqëndruan para së gjithash në një politikë të jashtme europiane – në mënyrë që të mos dominohej nga të tjerët në skenën e politikës botërore -, së dyti një politikë europiane e sigurisë – në mënyrë që të mos bëheshin të varura nga të tjerët dhe kështu të dominonin në këtë drejtim, ose për t’u futur sërish në një luftë të re brenda shteteve te Europës -, dhe së treti çmontimi i të gjitha pengesave doganore brenda Europës. Sot, ky do të quhej një treg i brendshëm i lirë, d.m.th. Europa si zonë e tregtisë së lirë. Përveç kësaj, ekzistonte edhe ideja e një monedhe të përbashkët, e cila në konceptin e Coudenhove bazohej në standardin e artë të përdorur ende në atë kohë, dhe të një gjykate federale europiane, d.m.th. Gjykata Europiane e Drejtësisë sot.

Liria e qytetarëve, përgjegjësia individuale dhe një shtet që kufizohet në vendosjen e kushteve sipas modelit të shteteve kushtetuese ishin një bazë tjetër e konsideratave të tij për unifikimin Europian në atë kohë.

Politika Europiane e sigurisë ishte gjithashtu baza në fillimin e bashkimit të vërtetë Europian pas Luftës së Dytë Botërore. Shumë pak meritë i jepet faktit se etërit themelues të Bashkimit Europian e konsideruan atë si një parim themelor për të krijuar një zonë të madhe sigurie që do të bënte të pamundur një luftë tjetër midis vendeve Europiane. Ndarja e Europës në atë kohë nga Perdja e Hekurt e bëri të domosdoshme që të kufizohej kjo zonë sigurie në perëndimin e lirë të kontinentit. Etërit themelues të atëhershëm kuptuan gjithashtu se nuk ishte e mundur të krijohej menjëherë kjo hapësirë ​​sigurie me mjete ushtarake ose politike. Pas Luftës së Dytë Botërore ende nuk kishte ardhur koha për një zhvillim të tillë. Prandaj, ata e dinin se do të ishte e nevojshme të krijohej kjo hapësirë ​​në një nivel ekonomik duke synuar që institucionet politike dhe gjithashtu institucionet e sigurisë të ndiqnin të njëjtin shembull në një moment të dytë.

Ideja themelore e Bashkimit Europian është krijimi i një zone të përbashkët të lirisë, sigurisë dhe drejtësisë. Natyrisht, kjo ide thelbësore vlen për të gjithë Europën, dhe bazohet në parimin që secili vend europian duhet të ketë të drejtë të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Kriteret respektive janë të përcaktuara.

Fakti që Bashkimi Europian ishte i limituar në Europën Perëndimore në fazën e tij fillestare, ishte për shkak të situatës gjeopolitike në Europë në atë kohë. Do të ishte tërësisht absurde sikur të dilnim në përfundimin se duhet të kenë një lloj privilegji të gjashtë vendet themeluese të Bashkësisë së atëhershme të Qymyrit dhe Çelikut. Nuk mund të fajësohen sllovakët, ukrainasit ose kosovarët se ishin lënë jashtë në atë periudhë kulturës europiane nga Perdja e Hekurt.

Një konsensus i gjerë mbizotëroi përtej kufijve partiakë dhe kombëtarë – përveç disa partive të vogla, në pasjen e një qasjeje pan-Europiane, për të integruar ato vende në BE që nuk kishin pasur mundësinë të integroheshin më parë. Përveç tre vendeve neutrale si Finlanda, Austria dhe Suedia, këto ishin mbi të gjitha shtetet e Europës Qendrore të ish-Bllokut Lindor dhe disa prej shteteve pasuese të ish-Jugosllavisë. Qasja ndaj saj u mor nga modeli që u ndoq me anëtarësimin e Spanjës dhe Portugalisë: integrimi supozohej të konsolidonte institucionet demokratike, ndërsa çdo kthim në regjimet autoritare ose diktaturat totalitare duhej të parandalohej.

Sot, fokusi është në integrimin e gjashtë vendeve të Europës Juglindore që nuk janë ende anëtare të BE-së. Në raportet e tij të fundit mbi zgjerimin, Komisioni i BE shprehet me të drejtë se pranimi i Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë në BE është një “investim gjeostrategjik për paqe, siguri dhe rritje ekonomike në të gjithë Europën”. Rëndësia gjeostrategjike e rajonit është e qartë për këdo që e njeh historinë e tij. Dhe në politikë nuk ka vakum. Nëse Europa tërhiqet nga rajoni, do të ketë gjithnjë e më shumë hapësirë ​​për fuqitë e tjera për të avancuar për interesat e tyre në Europën Juglindore. Përveç aktorëve si Rusia dhe Turqia të cilët kanë qenë të lidhur me rajonin dhe politikën e saj gjatë gjithë historisë, sot mbi të gjitha Kina por edhe Arabia Saudite, për shembull me vahabizmin e saj, ushtrojnë një influencë masive. Interesat e këtyre aktorëve nuk përkojnë me interesat e politikës europiane të sigurisë.

Vetë Europa duhet të formulojë dhe mbrojë interesat e saja të sigurisë.

Dhe kur them Rusia dhe Kina, është e qartë se kjo është kryesisht çështje interesash gjeopolitike. Kjo duhet të kihet parasysh nga ato shtete anëtare të BE-së që vazhdojnë të bllokojnë këtë zgjerim nga interesat kryesisht të vogla kombëtare apo edhe nacionaliste.

Por ne gjithashtu duhet të shikojmë drejt Lindjes, ku një vend si Ukraina me Euromaidanin ose të ashtuquajturin Revolucion i Dinjitetit, e ka bërë të qartë se qytetarët e saj e shohin të ardhmen e tyre më në Europë sesa nën dominimin rus. Padyshim ka ende probleme të mëdha në të gjitha këto vende në lidhje me, për shembull, sundimin e ligjit dhe korrupsionin, por megjithatë ato janë vende Europiane. Kushdo që e merr seriozisht unifikimin Europian duhet të bëjë të mundur që çdo vend Europian të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Kjo është arsyeja pse unë gjithashtu mbështes përditësimin e politikës aktuale të fqinjësisë ndaj Ukrainës në një politikë konkrete me perspektivë pranimi.

Edhe pse perspektiva Europiane nuk ka ndonjë lidhje reale me lëvizjen për demokraci në Bjellorusi, është detyra jonë ta mbështesim këtë lëvizje demokratike kudo që të jetë e mundur. Nëse Europa, nëse BE, thekson sundimin e ligjit dhe demokracinë ashtu si duhet, këto parime duhet të zbatohen edhe ndaj Bjellorusisë.

Zonja dhe zotërinj,

Duke marrë parasysh ato që janë thënë, natyrisht është e nevojshme të nxirren konkluzione dhe të nxisim udhëzime konkrete politike. Sidoqoftë, para se të arrij tek ajo, unë do të doja të prekja dy pika që gjithashtu do të doja t’i quaja parime themelore të Europës, dhe të cilat aktualisht janë pjesë e debatit dhe diskutimeve të nxehta herë pas here.

Këto janë sundimi i ligjit dhe liria.

Le të kthehemi te mitologjia greke. Europa ishte një princeshë e bukur fenikase. Zeusi, babai grek i perëndive, u shndërrua në një dem të parfumosur për të çuar Europën në Kretë. Aty ata patën disa fëmijë së bashku. Dy prej tyre hynë në historinë e Kretës si më të drejtët e të gjithë sundimtarëve sepse respektuan ligjin.

Parë nga kjo optikë, sundimi i ligjit ka qenë me të vërtetë aty që në fillimet e idesë Europiane.

Megjithatë, nga vetë historia e Europës, ne e dimë se kjo nuk ka qenë gjithnjë evidente. I ashtuquajturi Revolucioni Papnor i shekujve 11-13 ishte një proces historik që dha një kontribut të rëndësishëm në shfaqjen e parimeve kushtetuese. Ky proces pati një pengesë vetëm gjatë absolutizmit. Për sundimtarët absolutë barazia para ligjit zbatohej vetëm për ata që ishin subjekt i tij ndërsa parimit të sundimit të ligjit i nënshtroheshin në mënyrë të barabartë edhe vetë sunduesit e ligjit. Kohët e fundit, Kongresi i Vjenës për mua, është si një lloj kthese nga e cila u vendos sundimi i ligjit në Europë. Sundimi i ligjit i siguroi Europës një themel të qëndrueshëm, duke lejuar më pas një zhvillim shumë pozitiv.

Ky është themeli për shtylla të tjera të tilla si prona private, përgjegjësia personale kur dështon si dhe kur ke sukses, dhe bashkë me të sipërmarrja private e cila duhet të përqendrohet tek inovacioni qe të ketë sukses. Natyrisht që siguria ligjore është një parakusht themelor për pronën private, dhe prona private është një parakusht themelor për prosperitetin dhe krijimin e një klase të mesme. Prosperiteti që Europa ka gjeneruar në këtë mënyrë është sigurisht rezultat i këtij parimi të sundimit të ligjit. Nuk është rastësi që këto parime u zhvilluan në një kulturë që është qartësisht e krishterë.

Ky theks tek ligji është kaq i rëndësishëm sepse në Europë kryesisht, ka thirrje të përsëritura për një primat të politikës. Gjithçka duhet të rregullohet politikisht. Sidoqoftë, sa më shumë që të ndodhë kjo, aq më i thellë rezulton se është konflikti me ligjin. Ky konflikt po bëhet gjithnjë e më i mprehtë pasi gjithnjë e më rrallë janë parimet e sundimit të ligjit që qeverisin – ky është sundimi i ligjit – ndërkohë që qeverisin më tepër raportet e pushtetit. Në planin afatgjatë, ky konflikt është i dëmshëm për Europën.

Një element tjetër thelbësor i identitetit Europian është liria. Më lejoni të citoj Richard Coudenhove-Kalergi: “Ideali europian është liria – historia Europiane është një luftë e ngadaltë për liri personale, shpirtërore, kombëtare dhe shoqërore. Europa do të ekzistojë për sa kohë që vazhdon këtë luftë; sapo të braktisë këtë ideal dhe të bëhet e pandershme në misionin e saj, ajo do humbasë shpirtin, kuptimin, ekzistencën e saj. Atëherë roli i saj historik, do të ketë marrë fund “.

Sidoqoftë, unifikimi Europian, nuk duhet të synojë t’i japë fund rolit historik të Europës, por ta përdorë atë në avantazhin e saj!

Liria nuk jepet. Ajo duhet të fitohet përsëri e përsëri. Liria është e lidhur në mënyrë të pandashme me përgjegjësinë. Dhe ne nuk mund t’ia delegojmë këtë përgjegjësi për lirinë shtetit.

Për të përcaktuar konceptin e lirisë, duhet të përdorim gjuhën angleze sepse ajo ka dy terma për atë që ne e quajmë liri: Liberty and Freedom. Të dy termat i referohen gjërave të ndryshme. Një përkufizim i mirë vjen nga Murray Rothbard, një përfaqësues klasik i Shkollës Austriake të Ekonomisë. Ai tha: “Të jetuarit në liberty  lejon secilin prej nesh të gëzojë plotësisht freedom-in  tonë”. Me fjalë të tjera, vetëm kur jetojmë në një sistem të jashtëm lirie, ne në fakt mund ta shijojmë dhe të jetojmë dhe ta shfaqim lirinë tonë të brendshme. Liberty në anglisht do të thotë forma e jashtme e lirisë, kjo është ajo që në të vërtetë na krijon lirinë, ndërsa Freedom do të thotë liri e brendshme. Për shembull, liria për të menduar çfarë të dua. Liria e brendshme është ajo që askush nuk mund të ma heqë në të vërtetë. Gëzimi i kësaj lirie të brendshme kërkon një formë të jashtme. Gjithashtu, është mjaft e qartë se zbatimi i këtij koncepti të lirisë së jashtme, të pasurit  liberty, është një nga detyrat më të rëndësishme të politikës.

Mbrojtja e lirisë është, pra, detyra kryesore e politikës. Nuk ka të bëjë me mbajtjen dhe ushtrimin e pushtetit, siç pretendohet shpesh në ditët e sotme, por duke i shërbyer atyre vlerave të përjetshme: drejtësisë, lirisë dhe humanizmit. Ruajtja e tyre është thelbi dhe përligjja e shtetit. “Të tre konceptet – individualizmi, liria, rendi ligjor – janë shprehje e të njëjtit realitet, më të thellë, të cilin ne mund ta quajmë substancë shpirtërore-kulturore të Europianizmit”, po huazoj këtë shprehje nga babai im Otto von Habsburg.

Zonja dhe zotërinj,

Ju e dini atë shprehjen e bukur: Roma nuk u ndërtua ne një ditë. Unifikimi Europian nuk përfundon brenda një ditë; është një proçes që shënjohet nga progresi dhe pengesat. Ajo që është e rëndësishme këtu është që ne të mos harrojmë themelet e Europës, por të sigurohemi që ato të pasqyrohen çdo herë në politikën e përditshme. Dhe është po aq e rëndësishme të ndërmarrësh hapat e duhur për të qenë në gjendje të përballosh sfidat specifike.

Më herët fola gjatë për politikën e jashtme dhe të sigurisë, për nevojën e zgjerimit të BE dhe për sfidat gjeopolitike – të cilat nuk po bëhen më të vogla – dhe dobësitë që BE ka akoma në këtë fushë. Kjo gjithashtu përkthehet në një kërkesë shumë specifike.

Pikërisht në këtë çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë është i nevojshëm sovraniteti europian. Në këtë rast specifik, sovraniteti nënkupton aftësinë për të vepruar dhe për tu përshtatur. Për sa i përket potencialit, politikat europiane do të sillnin një vlerë dukshëm të shtuar krahasuar me politikat e shtet-kombeve. Për të qenë më i saktë: Bashkimi Europian ka nevojë për një politikë të jashtme europiane. Politika e jashtme europiane nuk do të thotë bashkërendim i politikave të jashtme të 27 vendeve anëtare nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (i cili në të njëjtën kohë është gjithashtu një nga nënkryetarët e Komisionit Europian), dhe ku vendet, në mënyre individuale, mund të bllokojnë një pikëpamje europiane për çështje të rëndësishme, për shembull siç janë politikat e të drejtave të njeriut në Kinë, por duhet një ministri e jashtme e BE-së e drejtuar nga një ministër i jashtëm.

Për këtë qëllim, ne kemi nevojë për një nen në kushtetutën Europiane që specifikon saktësisht këtë kompetencë të politikës së jashtme për Bashkimin Europian. Një nen, që do të plotësonte të gjitha kërkesat e një roli përfaqsues.

Duhet të jetë e qartë për të gjithë ne që ky hap nuk do të jetë aq i lehtë. Do të duhet shumë punë bindëse për të patur një rol europian në politikën e jashtme. Dhe do të jetë e nevojshme të sheshojmë një nga pengesat më të mëdha të unanimitetit – kjo pengesë është borxhi ndaj buxheteve publike.

Ndoshta lidhja nuk është aq e qartë në pamje të parë. Por nëse shikojmë mosmarrëveshjet e përsëritura mbi buxhetin, fondet, ose së fundmi mosmarrëveshjet mbi mekanizmin e shtetit ligjor dhe bllokadat mbi këtë, është e qartë se çështja e buxheteve mund të përdoret përsëri dhe përsëri për të bllokuar progresin në fusha individuale. Le të mendojmë vetëm për absurditetin e shpotisë ndaj të ashtuquajturve „katër kurrnacëve“ në negociatat për buxhetin vitin e kaluar.

Edhe ato vende të BE që nuk janë pjesë e Eurozonës ndikohen nga vendimet për të ardhmen financiare të BE përmes `Paktit Fiskal‘ dhe çështjeve buxhetore të BE. Kur bëhet fjalë për paratë, ka gjithnjë një fuqi shpërthyese. Një ndarje e parregulluar e Eurozonës ndoshta do të ndikonte masivisht në keq-funksionimin e të gjithë BE-së, ose ndoshta do ta çonte në një kolaps total. Një rrezik që patjetër nuk duhet të merret lehtë duke marrë parasysh sfidat gjeopolitike.

Zonja dhe zotërinj, duhet ta marrim seriozisht dhe të përgatisim hapa shumë specifikë për uljen e borxheve në Eurozonë.

`Pakti Fiskal‘ i cili duhet të kishte lehtësuar barrën e borxhit ka dështuar. Pavarësisht nga ndryshimet e balancuara të buxhetit të vendosura ligjërisht, shumë vende europiane kanë pasur rritje të borxhit. Me krizën e Koronës, kjo situatë është përkeqësuar edhe më shumë. Me politikën e saj BQE po kundërvepron ndaj  uljen e borxhit. Kjo është e vërtetë si për politikën e normës zero të interesit ashtu edhe për blerjen e obligacioneve qeveritare. Politika të tilla nuk krijojnë ndonjë nxitje për të zvogëluar borxhin; përkundrazi, borxhi më i lartë bëhet më tërheqës.

Sidoqoftë, është e nevojshme që normat e interesit të formohen lirisht nga vetë tregu si bazë për një ekonomi të lirë. Nëse normat e interesit nuk mund të formohen lirisht, ekonomia e tregut do të vihet në rrezik në gjithnjë e më shumë fusha dhe do të degjenerojë në një ekonomi shtetërore të kontrolluar politikisht. Një skenar që ideologët e një ekonomie të planifikuar socialiste mund ta ëndërrojnë, por që padyshim nuk është në interes të një Europe të lirisë.

Sipas mendimit tim, tre hapa janë të nevojshëm për të implementuar lehtësimin e borxheve në Eurozonë dhe për të rivendosur përsëri një sistem të shëndetshëm ekonomik. Tre hapa që si koncept i përgjithshëm janë vënë në jetë.

Së pari, BQE duhet ta llogarisë borxhin sovran të vendeve të euros në bilancin e saj. Së dyti, do të duhet t’i garantojë qytetarëve të Eurozonës depozita të sigurta bankare përmes mbulimit të plotë me paratë e bankës qëndrore si dhe krijimin e një euroje dixhitale si para e barazvlefshme. Dhe së treti, presioni i migracionit i bazuar tek tregu, duhet të krijohet duke lejuar monedhat private konkurente të cilat do të stabilizonin euron përmes mundësisë praktike të emigrimit prej saj.

Hapi i parë tashmë është iniciuar, megjithëse jo i plotë, nga BQE përmes programit të saj të blerjes së bonove. Në momentin që do të zbatohet plotësisht, faktori më i madh përçarës në BE, borxhi i qeverisë, do të eliminohet me një goditje. Dy hapat e tjerë janë të nevojshëm për të bërë të mundur kalimin në një rend monetar të bazuar tek tregu. Bankat atëherë mund të falimentojnë pa ndonjë problem sepse depozitat bankare nuk do të zhduken falë parave të bankës qëndrore. Klienti përkatës i bankës duhet vetëm të informojë autoritetin e zgjidhjes së problemit se në cilën bankë tjetër duhet të transferohet depozita e tij.

E rëndësishme në këtë koncept është zbatimi i të tre pikave dhe duhet të theksohet se jo të gjitha eurot dixhitale janë njësoj.

Idetë për një euro dixhitale janë prezantuar tashmë në botime nga stafi i BQE-së dhe janë testuar brenda nga BQE që nga tetori i kaluar. Sidoqoftë, këto koncepte nuk synojnë të shndërrojnë sistemin tonë të brishtë monetar dhe bankar në një rend monetar të bazuar në treg; përkundrazi, ato synojnë të ruajnë sistemin monetar të brishtë ekzistues.

Këtu dixhitalizimi nuk përdoret për të zgjidhur problemet, por më tepër për t’i shtyrë ato në kohë. Një tip i tillë i parave dixhitale të Bankës Qëndrore de facto nuk do të ishte asgjë tjetër veçse  fillimi i heqjes së parave fizike. Kjo para megjithatë, do të thotë liri në veprim.

Një koncept i tillë mbase do të përshtatej në Kinë, ku një autoritet qëndror do të përcaktonte në bazë të pikave të kreditit social se kush mund të blejë çfarë, apo a mund të blejë, apo nuk duhet të blejë asgjë fare. Një koncept i tillë totalitar parandalohet duke lejuar monedha private konkurruese, të tilla si kriptomonedhat.

Zonja dhe zotërinj,

Vitin e kaluar, institucionet europiane Komisioni, Parlamenti dhe Këshilli njoftuan një konferencë mbi të ardhmen e Europës. Për të diskutuar çështjet më të rëndësishme të ardhshme për unifikimin europian. Përveç konferencave të tilla, është gjithmonë e rëndësishme të diskutohet e ardhmja e Europës, nëse është e nevojshme edhe në formë debati, dhe gjithashtu me ide dhe qasje që mbase nuk janë shumë pjesë e axhendave të takimeve institucionale.

Edhe pse aktualisht është një virus i vogël por i rrezikshëm që dominon titujt kryesorë çdo ditë, ne duhet të adresojmë reformat e nevojshme.

Edhe pse mund ta zhvillojmë këtë takim vetëm në format dixhital, edhe pse nuk mund të debatojmë mbi përmbajtjen me një gotë verë ose ujë pas këtij fjalimi, bota përreth nesh nuk do të qëndrojë në vend. Nëse ne si europianë nuk e marrim fatin tonë në dorë, të tjerët do ta bëjnë atë për ne.

Prioriteti im këtu është mjaft i qartë. Ne duhet ta marrim të ardhmen e Europës në duart tona!


[i] Karl von Habsburg është president i organizatës Paneuropa Austri.

Ai ka qenë eurodeputet si dhe është nipi i perandorit të fundit austro-hungarez e biri i personalitetit europian Otto von Habsburg .

Ky artikull është botuar në 11 janar 2021 kur autori mbushi 60 vjeç.