Shkruan Ag Apolloni
Para pak ditësh ndodhi një budallaki me një ekspozitë që provokoi protesta. Ishte ekspozitë e bazuar në një monografi për masakrat në Kosovë. Vala e madhe e të fyerve që reaguan, e detyroi përpiluesin ta pranojë gabimin dhe të kërkojë falje. Errare humanum est.
Megjithatë, reaguesit, sapo e nuhatën se jo vetëm ekspozita, por edhe shkrimi dhe promovimi i librit ishte nxitur dhe përkrahur nga Qeveria, u pozicionuan njëherësh kundër librit, përpiluesit dhe pushtetit aktual. Kështu që, ndërhyri Prokuroria, dhe kjo ishte budallakia e dytë. Arsyetimi për këtë ndërhyrje bazohej në nenin 141 të Kodit Penal të Kosovës: “Kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike e të tjera, apo bazuar në orientimin seksual, identitetin gjinor dhe karakteristikat e tjera personale, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet”. Siç po e shihni, sipas këtij neni, shumë politikanë, analistë, gazetarë, dhe përdorues të rrjeteve sociale dhe kanaleve të tjera ‘online’, do të duhej të ishin tashmë në burg. Më shumë logjikë do të kishte sikur bastisja të kryhej duke u thirrur në nenin 124 (për spiunazh) sesa në këtë nen (Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit), meqë përpiluesi kishte përdorur burime serbe dhe, kështu, kishte shtrembëruar faktet në favor të palës agresore.
Sidoqoftë, s’kishte nevojë për spektakël policor.
Pas këtyre dy budallakive (ekspozitës dhe intervenimit policor), vjen e treta, si kapak i budallakisë, nëpërmjet djallëzisë. Intelektuali Fatos Lubonja, për hir të miqësisë me organizatorin e ekspozitës, që është njëherësh edhe përpilues i monografisë, pozicionohet kundër të vërtetës, duke thënë se e vërteta mbi masakrat nuk është absolute dhe se duhet lënë alternativa si kjo e kësaj monografie/ekspozite: “Nëse shoqëria kosovare aspiron demokracinë dhe shtetin e së drejtës duhet të ketë parasysh se historia na mëson se tragjedia, në formën e luftës apo diktaturës, fillon kur palët e identifikojnë veten me të vërtetën dhe kërkojnë t’ia imponojnë atë të gjithëve me çdo mjet; se për ta evituar këtë duhet që të vërtetën ta kërkojmë (jo ta imponojmë) nëpërmjet ballafaqimit të përjetimeve dhe interpretimeve të të gjitha palëve për çka më e rëndësishme se e vërteta është liria e të gjitha këtyre palëve dhe barazia përpara ligjit”.
Si mundet një intelektual të shprehet kështu për rastin konkret, kur vetë miku i tij i ka pranuar gabimet? Pra, përpiluesi/organizatori thotë kam gabuar, por del ky që i tregon se nuk bëhet fjalë për gabim, por për alternativë interpretimi. Shqyqyr që faktet janë më kokëforta se fjalët manipulative.
Unë, në njëfarë mënyre, e arsyetoj organizatorin, sepse gabimi është njerëzor, por nuk e arsyetoj mbrojtësin e tij, sepse fjala latine që e citova më lart ishte vetëm gjysma, kurse e plotë duket kështu: Errare humanum est, perseverare diabolicum (të gabosh është njerëzore, të insistosh është djallëzore). Lubonja insiston të vazhdohet ai gabim.
Një thënie që i atribuohet Aristotelit thotë: Platonin e kam mik, por të vërtetën e dua më shumë.
Mjerisht, Lubonja e përmbysi këtë sentencë.