Dy anët e karantinës - Gazeta Express
string(20) "dy-anet-e-karantines"

Dy anët e karantinës

Gazeta Express

14/04/2020 13:35

Kam një artist këtu në objektin e banimit përballë… një pianist. E dëgjoj në këto ditë që i bie shpesh pianos. Kënaqem me ata tinguj. Ai mbase kështu ka ekzekutuar përditë… po kush ka patur kohë ta dëgjojë. Gjithçka që po vëm re në këto ditë pushimi të detyruar, ka qenë edhe më parë aty. Por nuk kemi patur kohë, sy e vesh për ti vënë re. Dhe as tani që e kemi me bollëk kohën, sytë e veshët, nuk po i shfrytëzojmë për të parë se nga ç’bukuri rrethohemi.

Shkruan: Lulzim Shabani

Lexo Edhe:

Këtë kohë pushimi të detyruar që po e kalojmë të gjithë, mund ta shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë për të shijuar më shumë familjen dhe gjithçka tjetër që na e mbush shpirtin. Kurrë më lehtë se sot nuk ka qenë të ofrohet dhe të merret dashuri. Prandaj, edhe izolimin nuk bën ta shohim si një kohë të zymtë. Ne jemi të kufizuar të dalim jashtë, por këto ditë mund t’i mbushim shtëpitë tona me përmbajtje të bukura dhe pozitive. Para ardhjes se Covid-19, kisha harruar se kur në familjen time të gjithë ushqeheshim në të njejtën në kohë dhe së bashku.

Ankohemi për këte virus të poshtër që na mbylli brenda. Ankohemi se nuk po gjejmë kohë që të vazhdojmë rutinën e humbjes kot të kohës. Dhe nuk jemi aspak mirënjohës, që kjo periudhë po na jep mundësinë të gjejmë kohë për veten. Ka rrethana dhe ngjarje në të cilat nuk mund të ndikojmë, por edhe në rrethana të reja të krijuara ne duhet ta rigjejmë vetveten.

Se Covid gjithë planetën e zuri të papërgatitur, këtë po e shohim dhe pranojmë të gjithë, por ama  vërtetë nuk kemi aspak nevojë për skena dhe lajme të panevojshme dhe apokaliptike, apo për të lexuar gjëra të tilla si: “Më pak njerëz vdiqën sot në, New York, Itali e Spanjë!”, ose për shembull, “Në Francë spitalet e stërmbushura!”. Edhe më keq akoma madje, “Një 30-vjeçar kishte vdekur në Belgjikë pa qenë kurrë i sëmurë”. Degjenerimi i kohërave në të cilat po jetojmë ka sjellë edhe një informim të tillë, sepse frika shkakton klikime dhe klikimet gjenerojnë fitime. Bota po bëhet gjithnjë e më e sëmurë, një botë me ideale të rrëzuara dhe parime të lëna pas dore. Ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme që nga fillimi i pandemisë dhe tashmë një frazë që e lexonim shpesh para disa javëve, se nuk do të jetë më asgjë njësoj pas Covid-19, te disa pesimistë mbase është shëndërruar në makth.

Me qenë se po jetojmë në kohë të statistikave, ja edhe disa të tjera. Mesatarisht në Kosovë në dekadën e fundit nga aksidentet në trafik vdesin 142 persona në vit, ndërsa me mijëra të tjerë lëndohen lehtë ose rëndë. Shkaktarët kryesorë të aksidenteve me fatalitet janë manipulimi i pasigurt me automjet dhe mosmbajtja e distancës. Ndërsa në botë brenda vitit vdesin diku 1.3 milionë njerëz nga aksidentet.

Javët e kaluara dhe javët apo muajt në vijim janë ideale për të reflektuar. Ata që e shohin gotën gjysmë ose plot edhe mund ta shfrytëzojnë këtë kohë ideale për të lexuar, dëgjuar, medituar, vështruar, për të njohur veten, limitet, thellësinë dhe pafundësinë e tyre. Ajo kohë që i mungonte përditshmërisë tonë, mund ta shfrytëzojmë tani. Duke dëgjuar muzikën e preferuar, duke e lexuar librin e blerë me aq qef, por që nuk gjetëm asnjëherë kohë për ta lexuar. Mund ta marrim lapsin e  të shkruajmë atë që na vjen në mendje. Të shkruarat e rastësishme janë 100 herë më të bukura se ato për të cilat meditojmë ditë të tera për ti stisur. Shkruaje dhe lëre mënjanë për ta lexuar pas disa ditësh. Është interesante ta mendosh. Dil në ballkon dhe hidh vështrimin deri në fund të asaj që shikon dhe përtej asaj. Mendja është një instrument i paparë. Sepse të dërgon edhe drejt të pamundurës.

Më së lehti e kanë ata që kanë oborr. Dikush vdes të ketë një shtëpi me oborr. Po ta kishte, do dilte çdo mëngjes të fresket aty dhe do ujiste lulet, do mbillte për të vjelur në verë apo vjeshtë, do vështronte frutat në pemë. Është aq antistres kjo gjë… Mos të mendojmë këtyre diteve se në çfarë lloj bote po jetojmë, dhe çfarë fshihet vërtet pas smogut të tmerrshëm që deri para disa ditëve e thithnim çdo ditë e çdo natë.

Dhe për fund… Kam një artist këtu në objektin e banimit përballë… një pianist. E dëgjoj në këto ditë që i bie shpesh pianos. Kënaqem me ata tinguj. Ai mbase kështu ka ekzekutuar përditë… po kush ka patur kohë ta dëgjojë. Gjithçka që po vëm re në këto ditë pushimi të detyruar, ka qenë edhe më parë aty. Por nuk kemi patur kohë, sy e vesh për ti vënë re. Dhe as tani që e kemi me bollëk kohën, sytë e veshët, nuk po i shfrytëzojmë për të parë se nga ç’bukuri rrethohemi.

Ka natë, por ka edhe ditë.

Nuk mund të jetë përgjithmonë natë, përsa kohë ekziston edhe hëna, por edhe dielli.