Dy aksidente rrugore janë regjistruar në qarkun e Gjirokastrës gjatë orëve të fundit, ku një person ka mbetur i plagosur dhe një tjetër është arrestuar për drejtim automjeti pa leje.
Rreth orës 08:00 të mëngjesit, në aksin rrugor “Kakavije–Gjirokastër”, në vendin e quajtur “Ish-SMT”, një automjet me drejtues shtetasin K. F., 63 vjeç, banues në Dropull, është përplasur me një motomjet që drejtohej nga shtetasi F. K., 43 vjeç, banues në fshatin Lazarat.
Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i motomjetit është dëmtuar dhe ndodhet në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, ku po merr ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Ndërkohë, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin A. D., 36 vjeç, banues në Gjirokastër. Në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, ai u përfshi në një aksident rrugor duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi. Nga përplasja janë shkaktuar vetëm dëme materiale.