DW: Ekonomisë gjermane nuk i shqitet pesimizmi - Gazeta Express
string(45) "dw-ekonomise-gjermane-nuk-i-shqitet-pesimizmi"

Lajme

Gazeta Express

27/09/2025 9:38

DW: Ekonomisë gjermane nuk i shqitet pesimizmi

Lajme

Gazeta Express

27/09/2025 9:38

Lajm jo shumë inkurajues për ekonominë gjermane: institutet kryesore ekonomike deklaruan në të ashtuquajturin Vlerësim të Vjeshtës se ekonomia do të rritet, por vetëm falë investimeve të mëdha qeveritare.

Sipas instituteve kryesore, ekonomia gjermane do të ketë rritje të dukshme vetëm në vitin 2026 – falë investimeve të mëdha nga qeveria federale gjermane. Institutet presin që produkti i brendshëm bruto të rritet me 1.3 përqind, thuhet në Parashikimin e regullt të Vjeshtës për qeverinë. Në vitin 2027, ekonomia mund të rritet me 1.4 përqind. Për vitin aktual 2025, ekonomistët presin një rritje të vogël prej vetëm 0.2 përqind pas dy vitesh recesioni.

Lëkundjet e ekonomisë

“Ekonomia gjermane është ende në këmbë të pasigurta”, tha Geraldine Denis-Knedlich, drejtuese në Institutin DIW me seli në Berlin, në prezantimin e Vlerësimit të Vjeshtës në Berlin.

“Ajo do të rimëkëmbet ndjeshëm në dy vitet e ardhshme, por duke pasur parasysh dobësitë e vazhdueshme strukturore, ky vrull nuk do të zgjasë shumë”. Ky është vlerësimi jo aq optimist i ekonomistëve kryesorë gjermanë.

Shkencëtarëte thonë në titullin e studimit të tyre: “Politika fiskale ekspansive maskon dobësinë e rritjes”. Prandaj, ata i bënë thirrje koalicionit qeverisës të Kristiandemokratëve (CDU/CSU) dhe Socialdemokratëve (SPD) në Gjermani që të bëjë më shumë për ta bërë ekonominë dhe kompanitë më konkurruese. Ata paraqitën një plan dymbëdhjetëpikësh për reforma strukturore që do ta përgatisnin më mirë Gjermaninë për të ardhmen.

Investimet e qeverisë

Falë shpenzimeve më të larta qeveritare në infrastrukturë, ekonomia po fiton vrull, “por problemet strukturore vetëm sa po maskohen”, theksuan institutet.

“Perspektiva po përkeqësohet, gjë që reflektohet edhe në rënien e pritur të shkallës së rritjes së potencialit produktiv.” Kostot e larta të energjisë dhe punës në krahasim ndërkombëtar, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe një rënie e mëtejshme e konkurrueshmërisë vazhdojnë të pengojnë perspektivat e rritjes afatgjatë.

Sektori i shërbimeve rritet – prodhimi bie

Ndërsa segmentet e shërbimeve, veçanërisht në sektorin publik, mund të rriten fuqishëm në dy vitet e ardhshme, rimëkëmbja në industrinë prodhuese mund të ketë vetëm një rritje të vogël, thanë ata.

Kërkesa e jashtme për mallrat gjermane në veçanti po dobësohet, për shkak të rënies së konkurrueshmërisë dhe tarifave më të larta. Kjo është e re, pasi ekonomia gjermane tradicionalisht është mbështetur në eksporte të mëdha. “Rimëkëmbja është përqendruar në ekonominë vendase”, thuhet në vlerësimin e ekspertëve.

Instituti Ifo në Mynih publikoi dje po ashtu rezultatet aspak të mira të një ankete mbi disponimin e biznesit gjerman. Disponimi më i keqështë në sektorin e logjistikës dhe transportit, ndërsa ka njëfarë optimizmi në ndërtim.

Problemet e ekonomisë gjermane

Michael Hiter, drejtori i Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike (IW), i cili është i afërt me punëdhënësit, flet për “një lloj skleroze gjermane” në lidhje me situatën ekonomike: “Gjermania është në një krizë për shkaqe strukturore. Një model biznesi që ka qenë i suksesshëm për vite me radhë është nën presion: eksportet po vuajnë nga deglobalizimi dhe proteksionizmi. Investimet nuk po marrin hov dhe konsumatorët, duke pasur parasysh papunësinë në rritje, janë të shqetësuar për sigurinë e vendeve të tyre të punës.

E gjitha është një çështje strukturore dhe këtu nuk mund të ndihmojnë “fishekzjarrët ekonomikë” afatshkurtër”, thotë ai.

Në prill, këshilltarët qeveritarë parashikuan rritje prej 0.1 përqind për këtë vit dhe 1.3 përqind për vitin 2026. I ashtuquajturi Vlerësim Vjeshtor u përgatit nën udhëheqjen e DIW të Berlinit nga institutet kryesore IfW në Kiel, Instituti Ifo i Mynihut, RWI në Essen dhe IWH në Halle.

Qeveria e re kristiandemokrate-socialdemokrate e kancelarit Friedrich Merz mori pushtetin në fillim të majit dhe një nga premtimet e tyre kryesore ishte të ringjallte ekonominë gjermane, e cila ka qenë në recesion vitet e fundit./DW/