DW: Çfarë mendojnë të rinjtë në Serbi për BE-në? - Gazeta Express
string(46) "dw-cfare-mendojne-te-rinjte-ne-serbi-per-be-ne"

Lajme

Gazeta Express

03/09/2025 9:07

DW: Çfarë mendojnë të rinjtë në Serbi për BE-në?

Lajme

Gazeta Express

03/09/2025 9:07

Sa të interesuar janë të rinjtë serbë për proceset integruese evropiane dhe a është BE-ja synimi i tyre kryesor?

“Unë ende besoj në Bashkimin Evropian”, thotë Konstantini, një student nga Novi Sadi. Megjithatë, ai tregon dyshime në rritje – jo vetëm për marrëdhënien e BE-së me Serbinë, por edhe për mënyrën se si funksionon BE-ja.

“Më duket gjithnjë e më e qartë se ata nuk na shohin si të barabartë, por përkundrazi duan të na shfrytëzojnë”, thotë ai.

Ai është një nga shtatë të rinjtë me të cilët foli DW për pikëpamjet e të rinjve për BE-në. Përgjigjet tregojnë perspektiva të ndryshme, por edhe pika të përbashkëta pakënaqësie që shpjegojnë rënien e mbështetjes së procesit të integrimeve evropiane në Serbi.

Më pak se gjysma për anëtarësim në BE

Hulumtimet konfirmojnë se kjo rënie në mështetjen e procesit të integrimeve po bëhet gjithnjë e më e theksuar. Sipas të dhënave nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur nga tetori 2024, vetëm 40 përqind e të rinjve në Serbi do të votonin për anëtarësim në BE. Në Maqedoninë e Veriut kjo përqindje është 68 përqind, ndërsa në Shqipëri tejkalon 85 përqind.

Sa i përket të rinjve në Serbi rreth 40 përqind të tjerë besojnë se Serbia nuk do të bëhet kurrë anëtare e BE-së. Ngjashëm nendojnë edhe të tjerët në Serbi dhe jo vetëm të rinjtë.

Një sondazh i vitit 2025 nga revista “Nova srpska politička misao” (Mendimi i ri politik në Serbi) tregon se më pak se 40 përqind e qytetarëve serbë mbështesin anëtarësimin në BE. Kjo është hera e parë që nga kryerja e sondazhit që shumica nuk është në favor të integrimit evropian.

“Prisja më shumë nga BE-ja”

Relja, një student tjetër nga Novi Sadi, i njeh përfitimet e anëtarësimit në BE, siç janë qasja në tregun e punës dhe liria e lëvizjes. Megjithatë, ai është i shqetësuar dhe beson se një numër i madh qytetarësh, veçanërisht të rinj, do të largoheshin menjëherë nga vendi.

“Nëse do të ndodhte ajo që ndodhi në Kroaci – nëse pesë përqind e popullsisë do të largohej brenda tre vjetësh – kjo do të thoshte rreth 300.000 njerëz do të largohen”, thotë ajo.

Relja kritikon qëndrimin e BE-së ndaj asaj që po ndodh në Serbi.  “Nuk më pëlqen fakti që ata paraqiten si promovues të demokracisë, ndërsa heshtin për autoritarizmin e regjimit në Serbi”, pohon Relja.

Edhe Anastasija, një ish-studente nga Beogradi, ka një dilemë të ngjashme. Edhe pse ajo vlerëson pozitivisht përfitimet e mundshme ekonomike të integrimit në BE, ajo është e shqetësuar për ndikimin në bizneset e vogla dhe industrinë vendase.

Jovani nga Novi Sadi nuk ka dilemë – ai është plotësisht kundër integrimit evropian. Arsyet kryesore, thotë ai, janë humbjet e mundshme demografike, por edhe statusi i Kosovës.

“Bashkimi me BE-në do të thoshte heqje dorë nga një pjesë e territorit të vendit tonë, domethënë njohja e pavarësisë së Kosovës. Kjo është e papranueshme për mua”, thotë ai. Studenti nga Zrenjanini me emrin Vuk është i shqetësuar për shkak të çështjeve ekologjike dhe përmend projektin “Jadar” si shkakun kryesor të ndryshimit të qëndrimit të popullsisë serbe ndaj BE-së.

“Krijohet përshtypja se BE nuk është e interesuar për dëmin mjedisor, por vetëm për përfitime ekonomike”, thotë ai.

BE nuk është problem, por zbatimi i idesë

Dalibor Petroviq, profesor i sociologjisë në Universitetin e Beogradit, thekson se pikëpamjet e të rinjve nuk lidhen vetëm me vendimet individuale të BE-së, por edhe me një ndjenjë të pabarazisë politike.

“Ekziston një ndjenjë se BE-ja vendos kushte pa përfitime të dukshme për Serbinë. Në një kontekst të tillë, të rinjtë po zhvillojnë gjithnjë e më shumë rezerva në lidhje me projektin evropian”, shpjegon Petroviq.

Ashtu si studentët, edhe ai përmend projektin “Jadar”, si një paradigmë e një marrëdhënieje të padrejtë. “Çështjet mjedisore janë ekzistenciale këtu. Nëse pasojat për mjedisin injorohen dhe nuk ofrohen përfitime bindëse, është e natyrshme që të formohet rezistencë”, thotë ai.

Petroviq arrin në përfundimin se të rinjtë sot nuk e shohin problemin në BE si një ide, por në zbatimin praktik të idesë. Ai nuk beson se shumica e të rinjve janë kundër BE-së. Por e kanë vështirë të mbrojnë orientimin e tyre pro-evropian para kolegëve të tyre nga e djathta, të cilët thonë: ‘Epo, e shihni që Bashkimi Evropian nuk interesohet fare për ne’. Dhe duket sikur kanë të drejtë”, shpjegon profesori. Pasiguri ka edhe tek ata që besojnë në idenë e BE. Konstantini pohon: “Unë ende besoj, por nuk e di  edhepër sa kohë.” /DW