DW: BE konfirmon mbështetjen për Ballkanin Perëndimor - Gazeta Express
string(52) "dw-be-konfirmon-mbeshtetjen-per-ballkanin-perendimor"

Lajme

Gazeta Express

01/07/2025 9:35

DW: BE konfirmon mbështetjen për Ballkanin Perëndimor

Lajme

Gazeta Express

01/07/2025 9:35

Në Shkup janë mbledhur liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos. Ata do të diskutojnë për Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Në takimin me Komisioneren e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, marrin pjesë kryeministrat e Maqedonisë së Veriut, të Bosnjës dhe Hercegovinës, të Kosovës, të Malit të Zi, të Serbisë dhe të Shqipërisë. Në kuadër të takimit do të zhvillohen dy panele. I pari do t’i kushtohet Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor, kurse i dyti do t’u kushtohet mekanizmave specifikë dhe mbështetjes për zbatimin e Planit të Rritjes.

Çfarë ofron Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor?

Plani i Rritjes parashikon mbështetje financiare prej gjashtë miliardë eurosh, nga të cilat dy miliardë janë grante dhe katër miliardë kredi të buta të ofruara nga BE-ja për reforma dhe investime në fusha si energjia, transporti dhe transformimi digjital me qëllim që të rritet prosperiteti dhe stabiliteti në rajon.

Plani bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun e njësuar të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave thelbësore dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

Zhbllokimi i fondeve nga Plani i Rritjes

Në qendër të vëmendjes të samiti të Shkupit janë reformat kyç për të “zhbllokuar” ndarjen e fondeve nga Plani i Rritjes, të cilat sjellin përfitime të prekshme për qytetarët e shteteve kandidate për anëtarësim në BE para pranimit të tyre në BE. Nga Plani i Rritjes kanë marrë fondet e para të parafinancimit të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës.

Në Shkup do të diskutohet edhe për fusha të reja të bashkëpunimit si mbrojtja e konsumatorëve, turizmi dhe rruga drejt tregut të përbashkët, i cili do të përshpejtonte integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të BE-së.

Takimi Mickoski – Kos

Pas një takimi që kishte pasur me Komisioneren e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, kryeministrit Hristijan Mickovski tha: “Theksova vendosmërinë e fortë të qeverisë për t’u integruar në BE, me dinjitet dhe përmes zbatimit të reformave të konsiderueshme në fushat e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe transformimit digjital”.

Komisionerja Kos përshëndeti në takim agjendën e reformave të qeverisë së Shkupit dhe konfirmoi mbështetjen e Komisionit Evropian për progresin e rajonit në rrugën evropiane./DW/