Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Florian Dushi, ka reaguar ashpër pas kritikave të Dejona Mihalit ndaj kryetarit Përparim Rama.
Dushi ka akuzuar Mihalin se po vepron si “megafon propagandistik i mbetjeve ideologjike në shuarje e sipër”.
Sipas tij, kritikat ndaj Ramës nuk lidhen vetëm me humbjet politike që Lëvizja Vetëvendosje ka pësuar në Prishtinë, por edhe me frikën nga ndryshimet që po ndodhin.
“Mihajli, në rolin e megafonit të importuar propagandistik të mbetjeve ideologjike në shuarje e sipër, paska nxjerrë krejt helmin e saj në sulm të paprecendentë ndaj Kryetarit Perparim Rama. Ky nervozizëm i saj, nuk vjen veç prej humbjeve të njëpasnjëshme që Përparim Rama ua shkaktoi asaj dhe leifengëve të saj në Prishtinë, por edhe prej frikës se fundi i kësaj mendësie në Kosovë tashmë po shihet krejt qartë.
Ironikisht, fundin e tyre politik dhe elektoral po e sjell pikërisht zhvillimi dhe përparimi që po e sjellë dhe ndërton Përparim Rama, prandaj janë kaq të ndytë në sulme ndaj tij. Kosova ka mjaft dashakeqë jashtë, prandaj nuk ka nevojë me kontraktu e me mbajt Dejona e Mihajla mbrenda saj”, thotë Dushi.