Pas lajmeve se Policia e Durrësit nuk kishte treguar seriozitet për kallëzimin e që një turist rumun kishte bërë, blutë kanë reaguar duke thënë se kjo gjë nuk është e vërtetë.
Ata bëjnë me dije se kanë kryer të gjitha veprimet e nevojshme teksa vijon puna për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë shtetasit e implikuar në këtë rast.
Njoftimi i plotë:
Në lidhje me një lajm të publikuar në një portal mediatik, në lidhje me dhunimin e një shtetasi të huaj dhe me pretendimin se Policia nuk kishte bërë asnjë veprim konkret mbi rastin, sqarojmë:
Rreth orës 22:00 të datës 14.08.2025, është paraqitur te Stacioni i Policisë Plazh, shtetasi austriak (me kombësi rumune) A. D., i cili ka kallëzuar se rreth orës 15:30 të datës 14.08.2025, ishte dhunuar për motive të dobëta, nga 5 shtetas, në lagjen nr. 13.
Menjëherë pas kallëzimit, janë kryer veprimet e nevojshme hetimore, si rezultat i të cilave janë identifikuar dhe shoqëruar në ambientet e Policisë, dy 17-vjeçarë që dyshohet se kanë dhunuar shtetasin A. D..
Në përfundim të veprimeve procedurale, pas konsultimit me prokurorin, për dy të miturit nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.
Ndërkaq, vijojnë hetime për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë shtetasit e implikuar në këtë rast.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës garanton qytetarët dhe median, se është maksimalisht e angazhuar, për të ndjekur shpejt, me paanshmëri dhe konform ligjit, çdo indicie për paligjshmëri që ata kanë.