Gjykata e Durrësit ka vendosur si masë sigurie “arrest në burg” për dy të rinjtë Ardit Domi dhe Leonard Çali, të cilët qëlluan me armë zjarri në drejtim të forcave te policisë, teksa këta të fundit u ishin vënë në ndjekje.
Ata u paraqitën të dy para togave te zeza në gjykatën e Durrësit, edhe pse Ardit Domi mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë, pasi mori një plumb në qafë.
Ngjarja
Rreth orës 01:00 të mëngjesit të së dielës, në autostradën Durrës-Tiranë, te “Çifligu” në Sukth, shërbimet e Policisë konstatuan automjetin e vjedhur më datë 20.08.2025, në orën 20:30, në Sektor Rinia, Durrës, me të cilin, më datë 21.08.2025, rreth orës 03:40, sipas njoftimit të një shtetasi të punësuar në një karburant në Sukth, ishte grabitur me dhunë shuma e lekëve të xhiros.
Shërbimet e Policisë së Durrësit u vunë në ndjekje të automjetit, i cili po lëvizte me shpejtësi në drejtim të Tiranës, dhe u njoftua edhe DVP Tiranë për ndihmë.
Si pasojë e shpejtësisë së madhe, pa shkuar në Vorë, tek rrethrrotullimi i mbikalimit në rrugën dytësore që shkon për Shijak, automjeti doli nga rruga dhe, gjatë kësaj kohe, nga brenda tij u hap zjarr ndaj punonjësve të Policisë, të cilët, të gjendur përballë kësaj situate, u përgjigjën me zjarr, në kushtet e mbrojtjes së nevojshme. Si pasojë, u plagos njëri nga autorët, shtetasi Ardit Domi, 28 vjeç, banues në Bilalas, Shijak, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.