Durmishi: Vitin e nisim me lajme të mira, fillon zbatimi i ligjit për punën sezonale dhe të përkohshme - Gazeta Express
string(100) "durmishi-vitin-e-nisim-me-lajme-te-mira-fillon-zbatimi-i-ligjit-per-punen-sezonale-dhe-te-perkohshme"

Maqedoni

Gazeta Express

02/01/2026 12:26

Durmishi: Vitin e nisim me lajme të mira, fillon zbatimi i ligjit për punën sezonale dhe të përkohshme

Maqedoni

Gazeta Express

02/01/2026 12:26

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, informoi se nga sot hyn në fuqi ligji që rregullon punën sezonale dhe të përkohshme, duke u mundësuar studentëve dhe pensionistëve të angazhohen në punë pa i humbur të drejtat dhe përfitimet e tyre.

Përmes një postimi në Facebook, Durmishi theksoi se 1 janari sjell një fillim pozitiv të vitit dhe një ndryshim të rëndësishëm ligjor, i cili e vendos punën sezonale dhe të përkohshme në një kornizë të qartë juridike.

“Vitin e nisim me lajme të mira. Sot fillon zbatimi i ligjit, që do të thotë më pak ekonomi gri. Studentët dhe pensionistët tani mund të angazhohen ligjërisht në punë sezonale dhe të përkohshme pa frikën se do t’i humbasin të drejtat ose përfitimet që u takojnë”, thekson ministri.

Ai vlerëson se kjo masë është me rëndësi të veçantë, pasi u mundëson qytetarëve të sigurojnë të ardhura shtesë me dinjitet, i ndihmon kompanitë të sigurojnë më lehtë fuqi punëtore dhe kontribuon në formalizimin e tregut të punës, duke e ulur drejtpërdrejt ekonominë gri.

Gjithashtu, Durmishi rikujtoi se nga sot fillon edhe zbatimi i Ligjit për mbështetje financiare të investimeve, i cili ka për qëllim nxitjen e investimeve cilësore, hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë vendore.

Advertisement
Advertisement
Advertisement