Formalizimi i ekonomisë gri është një nga përcaktimet më të larta strategjike të Qeverisë dhe segment kyç i agjendës së reformave, pasi ndikon drejtpërdrejt në rritjen ekonomike, stabilitetin e financave publike dhe mbrojtjen e punëtorëve. Të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikës tregojnë se në vitin 2024 në vend kishte rreth 694 mijë të punësuar, nga të cilët afërsisht 85 mijë ishin të angazhuar në mënyrë joformale. Kjo është një sfidë serioze që kërkon zgjidhje sistematike, tha sot ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmisi, në ngjarjen në Qeveri me rastin e prezantimit të Ligjit për angazhimin e personave në punë.
Me Ligjin, theksoi Durmishi, vendoset model më fleksibil dhe i thjeshtuar për angazhimin ligjor, me kornizë të qartë ligjore dhe procedura elektronike për regjistrimin, çregjistrimin dhe pagesën e kontributeve. Ligji lejon angazhimin e të punësuarve, të papunëve, studentëve, nxënësve dhe pensionistëve, pa humbur të drejtat e tyre të fituara tashmë. Përfituesit e ndihmës minimale të garantuar nuk i humbasin të drejtat e tyre sociale dhe të fëmijëve, të papunët nuk fshihen nga evidencat dhe nuk e humbasin pagesën e tyre në para, pensionistët ruajnë të drejtën për pension, ndërsa studentët dhe nxënësit ruajnë të drejtat e tyre nga sistemi arsimor.
“Me këtë Ligj dërgojmë porosi të qartë se shteti është i bindur që në mënyrë sistematike ta çrrënjosë ekonominë gri dhe në mënyrë aktive ta mbështesë ekonominë formale. Kjo nënkupton më shumë vende formale të punës, siguri më e madhe për punëtorët dhe klimë afariste e qëndrueshme, e parashikueshme dhe korrekte për kompanitë që investojnë dhe kontribuojnë për rritjen e ekonomisë vendore”, nënvizoi Durmishi
Ministria, siç u paralajmërua në ngjarje, do të fillojë fushatë për promovimin e Ligjit nën moton “Angazhim korrekt”.
Me këtë Ligj, theksuan pjesëmarrësit, Qeveria dërgon edhe porosi se reformat në sferën e punës nuk janë deklarative, por reale dhe të zbatueshme. Ekonomia formale, mbrojtja e punëtorëve, konkurrenca korrekte dhe transformimi digjital janë përgjegjësi dhe interes i përbashkët për të gjithë, veçanërisht për shtetin.
“Në fazën e parë, Ligji i përfshin veprimtaritë ku ekonomia gri është më e shprehur – bujqësi, pylltari peshkim, objektet për akomodim, veprimtaritë shërbyese për ushqim dhe amvisëri. Sipas analizave, pritet formalizim i deri 12.000 punëtorëve sezonalë në bujqësi dhe rreth 5.400 punëtorë të paregjistruar në turizëm, hotelieri dhe shërbime, gjegjësisht përfshirje të përgjithshme të rreth 17.400 personave, nënvizoi ministri.
Sipas tij, kjo reformë sjellë përfitime konkrete edhe për punëtorët edhe për punëdhënësit – punëdhënësit marrin fleksibilitet dhe procedura më të thjeshta administrative, ndërsa punëtorët pagesë për orë, kontribute për sigurim pensional dhe invalidor në rast të lëndimit gjatë punës ose sëmundje profesionale, si dhe mbrojtje e qartë juridike për të drejtat e tyre.
“Sot po flasim për Ligj që është tashmë në përdorim dhe përfaqëson hap të rëndësishëm përpara në rregullimin e tregut të punës. Ligji për angazhimin në punë të punësuarve filloi të zbatohet më 1 janar 2026, dhe periudha aktuale ishte e destinuar për përshtatje teknike dhe institucionale, me qëllim që zbatimi i tij të jetë efikas, i harmonizuar dhe funksional në praktikë. Ministria e Ekonomisë dhe Punës deri më tani ka zbatuar politika aktive përmes Planit Operacional për Punësim, por analizat kanë treguar se disa njerëz ende mbeten jashtë rrjedhave formale. Kjo është arsyeja pse u miratua ky ligj, i cili përfaqëson reformë themelore në mënyrën e punësimit të rastësishëm dhe sezonal të fuqisë punëtore”, tha Durmishi.
Ai i dërgoi mirënjohje të veçantë Shoqatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) për mbështetjen e ekspertëve dhe teknike në procesin e përgatitjes dhe zbatimit të ligjit, Agjencisë për Punësim, Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike, si dhe të gjitha institucioneve të cilat ishin përfshirë në vendosjen e një sistemi funksional dhe efikas.
tag_katrorimaqedoni_2