Durant udhëheq Nets drejt kreut, 20-vjeçari Porter në historinë e NBA - Gazeta Express

Sport

Gazeta Express

30/04/2021 10:01

Durant udhëheq Nets drejt kreut, 20-vjeçari Porter në historinë e NBA

Sport

Gazeta Express

30/04/2021 10:01

Brooklyn Nets blindon pozitat në krye të renditjes në Konferencën e Lindjes, pasi ka mposhtur Indiana Pacers në “Life Fieldhouse” të Indianapolisit me rezultatin 113-130, duke regjistruar kështu suksesin e katërt radhazi dhe të 43-tin në 63 ndeshje.

Të udhëhequr nga një Kevin Durant në formë spektakolare, miqtë nuk e vunë për asnjë moment në diskutim fitoren, duke fituar bindshëm të tre fraksionet e para të lojës dhe duke ulur disi ritmin vetëm në pjesën e fundit.

Nga ana tjetër 32-vjeçari Durant e mbylli ndeshjen me 42 pikë të shënuara, 3 topa të rikuperuar dhe 10 asiste, ndërsa për Pacers bëri një ndeshje të mirë kanadezi LeVert me 36 pikë, 4 rikuperime dhe 5 asiste.

Vijon të bëjë mirë edhe Dallas Mavericks, që triumfoi me rezultatin 105-115 në transfertën ndaj Detroit Pistons dhe tani e sheh veten gjithmonë e më të sigurt në zonën Play Off të renditjes në Konferencën e Perëndimit.

Pas një pjese të parë të balancuar, Mavericks morën kontrollin e lojës në fraksionet e tjera, falë edhe ndeshjeje perfekte nga ana e Tim Hardaway, që e mbylli ndeshjen me 42 pikë të shënuara, një rikuperim dhe 3 asiste.

Një nga sfidat më interesante të mbrëmjes ishte edhe ajo mes Houston Rockets dhe Milwaukee Bucks, që u fitua nga vendasit me rezultatin 145-136. Në “Toyota Center” ishin miqtë nga Milwaukee që e nisën mirë ndeshjen, por më pas në skenë u ngjit 20-vjeçari Kevin Porter që bëri një paraqitje magjike me 50 pikë të shënuara, 5 rikuperime dhe 11 asiste.

I transferuar te Houston Rockets vetëm në janar të këtij viti, Porter konfirmoi se është një nga yjet e rinj të basketbollit, pasi u bë futbollisti më i ri në historinë e NBA që shënon 50+ pikë dhe 10+ asiste në një ndeshje të vetme.

Në sfidat e tjera, Denver Nuggets triumfoi me rezultatin 121-111 ndaj kanadezëve të Toronto Raptors, Minnesota Timberwolves mposhti 126-114 ndaj Golden State Warriors, ndërsa Oklahoma City Thunder ra në shtëpi me rezultatin 95-109 ndaj New Orleans Pelicans. /SS/