string(60) "duka-per-ndeshjen-me-serbine-mos-te-krijojme-ambient-negativ"

Sport

Gazeta Express

27/05/2025 20:45

Duka për ndeshjen me Serbinë: Mos të krijojmë ambient negativ

Sport

Gazeta Express

27/05/2025 20:45

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka parashikuar ndeshjen me Serbinë, ka folur për çmimet e biletave të ndeshjeve të kombëtares, por edhe ka lënë një mesazh për tifozët shqiptarë.

Në një intervistë për “RTSH” – e publikuar në sajtin zyrtar të FSHF-së – Duka ka parashikuar ndeshjen me Serbinë, e cila luhet më 7 qershor në “Arena Kombëtare” në Tiranë.

“Parashikimi im miksohet me dëshirën time që ta fitojmë atë ndeshje. Dhe dua shumë që ta fitojmë atë ndeshje, kundër një kundërshtari direkt për vendin e dytë. Një sukses ne na le të hapur mundësinë për të vazhduar, për të luftuar për të zënë vendin e dytë. Edhe nëse fitojmë me Serbinë nuk do të thotë që u renditëm në vendin e dytë, por e lë të hapur mundësinë. Kundërshtarët e tjerë qoftë Andorra qoftë Letonia mund të hapin probleme. Jam shumë i sigurtë që njëri nga ne do të bëj hap fals me ato. Anglia vështirë, por ne ose Serbia po. Uroj që mos ta bëjmë ne hapin fals. Ta bëjnë serbët. Në përballjet direkt të kemi një bilanc pozitiv me ta dhe të realizojmë këtë objektiv, që të jemi në vendin e dytë”, tha ai.

Tutje, ai porositi që tifozët mos të krijojnë një ambient jo të mirë për serbët.

“Tribuna dhe fusha janë bashkë. Të gjithë ne jemi bashkë, duhet të krijojmë një atmosferë pozitive. Të mos krijojmë trysni dhe ambient konfliktual ndaj skuadrës. Të prodhojmë energji pozitive, ta mbështesim skuadrën dhe të fitojmë sportivisht. Nëse fiton ndeshjen i ke realizuar të gjithë pritshmëritë e tua. Nëse vë të gjitha gjërat e tjera para ndeshjes, do të rrëzohen edhe këto”, shtoi ai.

Kur u pyet për çmimet e biletave për të shikuar ndeshjet e kombëtares, ai tha:

“Kombëtarja rritet, shpenzimet rriten, ekonomia ka ndryshuar. Ne jemi një federatë që organizojmë gjithë futbollin shqiptar dhe kombëtaren vetëm me financat tona. Nuk kemi ndihmë nga askush. Të ardhurat tona janë vetëm të drejta nga transmetimet, të drejta nga marketingu dhe të drejta nga biletat. Detyrimisht këtë lloj produkti detyrohesh ta monetizosh që ta zhvillosh akoma më shumë. Por gjithsesi çmimet nuk janë të papranueshme. Shpesh herë abuzohet nga dashakeqës mediatik, ose dashakeqës nga fusha të tjera. Që konsiderojnë çmim të rritur të biletave apo biletat VIP. Biletat VIP janë shumë pak dhe janë për sponsor, nuk janë për tu tregtuar. Në eksperiencën europiane Madje nuk deklarohen fare si çmime. Ndërsa çmimet e biletave për tifozët 2000 apo 3000 lekë nuk mund të konsiderohen shumë të larta”, tha ai.

Mesazhi i Armand Dukës për tifozët që do të jenë të pranishëm në stadium:

“Ta përjetojmë si ndeshje futbolli. Të krijojmë një atmosferë pozitive. Të mbështesim maksimalisht njëri tjetrin. Të mbështesim skuadrën që të shkojë drejt rezultatit. Të mendojmë vetëm për skuadrën dhe për sportin, jo për gjëra të tjera”./GazetaExpress/