Ekspertja mjeko-ligjore, Karin Duhne-Prinsen sot në sallën e gjyqit në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) tha se nga një përzgjedhje e rastësishme kanë analizuar dosjet e 50 viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje.
Duhne-Prinsen tregoi se ndarja e viktimave ishte bërë në katër kategori që ishin: Grupi i viktimave të drejtpërdrejta, grupi i viktimave të tërthorta, grupi i viktimave të tërthorta të moshës madhore, viktima të tërthorta fëmijë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Përfundimisht përzgjodhëm 20 viktima të drejtpërdrejta dhe përzgjodhëm pesë dosje të viktimave të drejtpërdrejta dhe të tërthorta dhe nga viktimat e tërthorta zgjodhëm 15 persona me moshë madhore dhe 10 fëmijë. Procesi i përzgjedhjes ishte komplet rastësor dhe të gjithë viktimat kishin një numër dhe nuk i përzgjodhëm ne por i përzgjodhi sistemi”, tha Duhne-Prinsen .
Ajo shtoi se një pjesë e raportit tregon për pasojat psikologjike që ka trajtimi çnjerëzor dhe tortura.
Përpara kësaj, mbrojtësi i viktimave, Simon Laws pyeti në përgjithësi se cilat janë pasojat tipike ose të mundshme psikologjike në afat të shkurtër dhe të gjatë nga persona që kanë vuajtur nga rrëmbimi, tortura ose edhe nga zhdukja me detyrim ose vrasja me detyrim i personave të tyre të dashur.
Në sallën e gjyqit u lexua pjesë nga raporti, ku thuhej se vrasja e një personi të dashur mund të çojë në çrregullim të vazhdueshëm, dhimbje në kuadrin afatgjatë. Lidhur me këtë, Black tha se është çrregullimi i vazhdueshëm i dhimbjes.
“Ndodhë kur dhimbja normale ngecë. Pra, ose ndërpritet ose ngecë tek faza e dhimbjes sepse ekzistojnë faza të ndryshme të dhimbjes, ka ndryshim të fazave të dhimbjes. Pra, kjo quhet çrregullim i dhimbjes dhe që shtrihet në kohë e që është goxha ndërhyrës në funksionimin e jetës së dikujt se sa do të kishte një situatë normal”, tha ajo.
Zakonisht një person me ketë çrregullim, sipas Black, nuk mendon zakonisht as për veten e vet, por vetëm për këtë dhimbje.
“Duket se identiteti i tyre është i lidhur vetëm me fatkeqësinë që i ka ndodhur atij personi”, tha Black.
Ndërsa, tek pasojat që mund të kenë viktimat e tërthorta nga zhdukja me detyrim ose me forcë, Black pohoi se iu shkakton vuajtje që arrijnë deri në pragun e torturës.
Në raportin e ekspertëve, thuhet se kjo humbje është e paqartë me arsyetimin se viktimat e tërthorta nuk e kanë të qartë se çfarë ka ndodhur me personin në fjalë.
Duhne-Prinsen foli edhe për traumën e pazgjidhur, e cila tha që është një traumë që nuk është trajtuar ose që vazhdon ende e që rrjedhimisht është pjesë e personit.
Ekspertet pohuan se nëse nuk trajtohet trauma, ajo trashëgohet nga një brez në tjetrin. Pra, nga prindërit tek fëmijët e në disa raste edhe tek nipërit e mbesat.
Më pas, Laws pyeti ekspertet se sa i përkonin simptomat me pasojat dhe mekanizmat e përshkruar në raport.
“Rezultate nga kodimi i të gjeturave psikologjike që përmend viktimat, përputheshin me rezultatet që ekzistojnë falë literaturës”, tha ekspertja Prinsen.
Black shtoi se pajtohet me deklarimin e Prinsen, duke shtuar se përgjithësisht ka parë simptoma të ngjashme sic përshkruhen në literaturë.
Ndërsa, duke folur për dy dokumente të tjera të eksperteve, u kalua në seancë private, me arsyetimin se përmbajnë informacione konfidenciale.