Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se “duhet ushtruar presion mbi Rusinë për hir të një paqeje të drejtë”, disa orë para bisedimeve me homologun e tij amerikan Donald Trump dhe liderët europianë, shkruan CNN.
“Kjo luftë duhet të përfundojë”, tha Zelensky në Telegram. “Duhet të mësojmë nga përvoja e Ukrainës dhe e partnerëve tanë për ta parandaluar mashtrimin nga ana e Rusisë”.
“Nuk ka asnjë shenjë për momentin që rusët po përgatiten ta përfundojnë luftën. Përpjekjet tona të koordinuara dhe hapat e përbashkët – Ukraina, Shtetet e Bashkuara, Europa, të gjitha vendet që duan paqe – mund ta detyrojnë patjetër Rusinë të bëjë paqe”.
Bisedimet po shihen si një mundësi për Ukrainën dhe partnerët e saj europianë që ta nxisin Trumpin t’i respektojë interesat e Kievit përpara takimit të tij me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Alaskë të premten, i cili pritet të zhvillohet pa praninë e Zelenskyt.