Dua nënshkrim, s’ka nënshkrim! - Gazeta Express
string(27) "dua-nenshkrim-ska-nenshkrim"

OP/ED

Gazeta Express

27/11/2023 15:24

Dua nënshkrim, s’ka nënshkrim!

OP/ED

Gazeta Express

27/11/2023 15:24

Enver Hasani

Këtë deshëm të tregojmë me shembujt e sipërm, por edhe atë se ato provojnë katërçipërisht që nënshkrimi që kërkon Kurti nuk çon asnjë peshë: zotimet e Brukselit/Ohrit kanë filluar të zbatohen, Statuti është produkti i tij më sublim. Jo vetëm kaq! Kryeministri duhet të dijë se Kosova do të detyrohet, viteve në vijim, të ndryshoj Kushtetutën e Pavarësisë, për t’iu përshtatur kushtetutës së tij materiale të Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, jo anasjelltas. Arsyeja për këtë është fare e thjeshtë: nuk mund të funksionojnë organet qendrore të pushtetit të Kosovës sipas dispozitave aktuale kushtetuese, në çdo hap do ndeshen me pengesat e kushtetutës materiale. Kryeministri Kurti le të nis që tani britmën dhe piskamën e radhës: kanë skaduar ato që janë bërë për shkak të krijimit të autonomisë serbe politiko-territoriale dhe  kulturore – historike!     

Lexo Edhe:

Asnjë profesion më shumë se ai i juristit nuk gëzon përparësi në përpjekjet për analizë dhe studim të krizës në ish-Jugosllavi, kuadrin brenda të cilit ajo krizë është kthyer në luftë dhe tragjedi njerëzore e më pas edhe në politikë me premisa fiktive civilizuese. Këtë fakt e dinë juristët e mirë, jo vetëm të degës së ligjit ndërkombëtar. Fundja juristi ose është i mirë ose nuk është fare. Këtu kam parasysh vetëm juristët që kanë etikë profesionale dhe nuk bëhen përrallë nëpër ekrane televizive, jo pse shpërfaqin padijen e thellë të tyre në çdo lëmi të jetës, jo vetëm si juristë, por sepse shpërfaqin motive të tjera  që komprometojnë çdo qelizë të segmentit të etikës njerëzore. E dinë këtë edhe ata që sot e këshillojnë kryeministrin Kurti – ata për të cilët Kosova është bërë një Eldorado këtu e tri dekada, nga viti 1992, prej se i njoh unë, dhe që Hashim Thaçit i patën shkruar drafte për copëtim të Kosovës, siç i shkruajnë sot Albinit përralla për rëndësinë jetike të nënshkrimit post-festum të marrëveshjeve katastrofë të arritura me serbin A. Vuçiq këtë vit – të cilit rrugës për në qytetin piktoresk të Ohrit, shkruan ese për t’i treguar popullit të Kosovës se mospranimi në Ohër do të nënkuptonte zhbërje të Shtetit të Kosovës. Në të vërtetë koha tregoi të kundërtën  –  pranimi në Ohër përfundimisht futi Kosovën në procesin e zhbërjes së shtetësisë së saj të shpallur më 17 shkurt 2008. U mor vesh, kjo përbën inicim të një procesi që nuk përmbyllet për një vit, as për një mandat qeverie, por për një gjeneratë e tutje. Kjo rrethanë kohore paraqet kuadër të përshtatshëm manipulimi për njerëzit me ndërgjegje të vrarë – sa të jenë gjallë  – për faktin se çuan Kosovën kah zhbërja e shtetësisë së saj.

Mbase lexuesi çuditet me këtë konstatim timin apodiktik se juristët e mirë paskan përparësi për identifikim të krizës dhe luftës në ish Jugosllavi, të tragjedisë dhe të politikës, gjoja civilizuese, që pasoi krizat dhe dhunën. Përgjigja është e thjeshtë: jo vetëm në doktrinën marksiste – me të cilën pushtetarët janë të afërt, por në krejt doktrinat tjera shoqërore që për objekt kanë dukuritë shoqërore – strukturat normative nuk kanë jetë të pavarur; ato reflektojnë dimensione të ndryshme shoqërore të dukurisë që shpërfaqin. Në këtë pikë më pastaj dallojnë në mes veti teoritë e ndryshme shoqërore, që ne këtu nuk kemi ndërmend t’i shtjellojmë. Analiza e strukturave juridike – që është esenca e këtij dhe shkrimi dhe shkrimeve të tjera që përgjatë jetës kam prodhuar lidhur me krizë, luftën, tragjedinë dhe politikën në ish-Jugosllavi – shpërfaq një ligjshmëri të proceseve shoqërore të djeshme dhe atyre që shohim sot. Nuk bëjnë përjashtim këtu as strukturat normative juridike që identifikohen fund e krye me kryeministrin aktual të Kosovës, Albin Kurti. Këto struktura janë objekt i trajtimit në rreshtat në vijim: vetëm këto kanë peshë dhe rëndësi për fatin e Kosovës tani e tutje. Asnjë strukturë tjetër që identifikohet me pushtetarët pararendës nuk posedon këtë karakteristikë, siç do dëshmohet në vijim.

Përmbajtja e strukturave juridike të Brukselit dhe Ohrit

Në të drejtën ndërkombëtare, interpretimi që nis e përfundon me tekstin juridik cilësohet si interpretim mediokër, pikërisht sepse i tillë është – tautologji fjalësh të kufizuara në numër që nuk thonë asgjë për përmbajtjen. Ky lloj interpretimi, për fat të keq, dominon në diskursin publik ndër ne. Shëmti është, jo kur vjen nga laikët, por kur disa juristë në emër të një shkence fiktive juridike, me britmë e zhurmë shpërfaqin tërë mediokritetin e tyre, në emër të një profesioni aq fisnik siç është profesioni juristit.

Kjo që shpërfaqet këtu ka vlerë absolute dhe nuk përfaqëson interpretim të asnjë teksti, por identifikim të përmbajtjes së strukturave normative që e bën çdo jurist, duke u bazuar në sfondin standard të dijes mbi konceptet dhe kategoritë juridiko-politike që sanksionojnë tekstet juridike si objekt identifikimi.  Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi Ohrit janë dy struktura normative që asnjë lidhje konceptuale nuk e kanë me strukturat normative që kanë ekzistuar në Kosovë para tyre dhe që identifikohen me pushtetet pararendëse. Dy pikat e takimit, por me rëndësi krejt formale, do të mund të zbatoheshin krejt ndryshe nga rruga që u zgjodh buzë liqenit të Ohër. Këto  pika kanë të bëjnë, në rend të parë me detyrimin për themelim të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, që në tërësi është e ndryshme nga detyrimi i Brukselit/Ohrit që përbën një autonomi të plotë politiko- territoriale, për aq sa i përket komunitetit serb dhe shtetit të Serbisë,  dhe historiko-kulturore, për aq sa i përket Kishës Ortodokse Serbe dhe çdo gjëje që lidhet me historinë dhe kulturën serbe në Kosovë. Pika dytë e takimit lidhet me dispozitat e Marrëveshjes së vitit 2013, e cila për pikë referimi ka pasur një asociacion me strukturë të ngjashme me atë që ekziston në Kosovë dhe me autorizime për mbikëqyrje të plotë në sferat e arsimit, kulturës, planifikimit urban dhe hapësinor, zhvillimit ekonomik dhe tjetër; shkurt, për çdo gjë që i përket autorizimit të organeve qendrore të Kosovës. Koncepti i mbikëqyrjes, siç dihet, bashkë me shumë aspekte të tjera që u patën shkruar në Marrëveshjen e vitit 2015, janë sqaruar dhe futur në kornizë kushtetuese më Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të nëntorit 2015, i cili, sot nuk është në fuqi sepse bie ndesh me çdo germë të zotimeve të marra në Bruksel dhe Ohër. Pak ka gjasë që ky aktgjykim të futet në versionin përfundimtar të draft-Statutit, aktit zbatues të zotimeve të Brukselit dhe Ohrit. Nuk ka jurist mbi këtë tokë që mund të arsyetoj zotimet e Brukselit/Ohrit  dhe produktin e tyre , Statutin e Bashkësisë së Komunave Serbe,  duke patur për bazë Aktgjykimin e vitit 2015. Nëse rastësisht merret për bazë ky aktgjykim, me qëllim të ndryshimit të standardit të tij dhe përligjje të autonomisë serbe në Kosovë, atëherë kjo do të bëhet ekskluzivisht duke përdorur argumente ekstra-juridike, krejtësisht politike dhe në linjë me argumentet e pushtetit aktual, asnjëherë me mbështetje në silogjizëm racional me bazë në të drejtën kushtetuese dhe ndërkombëtare. Këtë e dinë edhe apologjetët e pushtetit që nëpër ekrane televizive flasin për marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, duke mos zënë në gojë asnjëherë Aktgjykimin e vitit 2015; janë po ata që për vite të tëra kanë cicëruar me zë të bishës 25 shkeljet kushtetuese, të gjetura nga ky aktgjykim. E thënë me fjalë të tjera, strukturat normative të Brukselit dhe Ohrit, nuk janë zbatim i zotimit nga Aktgjykimi i vitit 2015, sepse nuk sanksionojnë mbikëqyrje dhe organe të Asociacionit. Po të ishte ashtu, ky aktgjykim do zinte vend në strukturat normative të Ohrit/Brukselit dhe në draft-Statutin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Strukturat normative të Brukselit/Ohrit, sipas ligjit ndërkombëtar janë marrëveshje e re e kryeministrit Albin Kurti me serbët lokal për vënien në jetë të një autonomie të plotë politiko-territoriale dhe kulturore – historike. Forma parë konkrete juridike e shprehjes së kësaj marrëveshjeje të re është draft-Statuti i Bashkësisë së komunave serbe, i cili nuk është asgjë tjetër pos një kushtetutë e re materiale e Kosovës, e cila qëndron përballë me Kushtetutën e Kosovës sovrane dhe të pavarur, të miratuar më 9 prill 2008, të cilën e rivalizon në të gjitha dimensionet e saj. Nuk bëhet fjalë për kompetenca ekzekutive, shprehja magjike që ka vite që ka shërbyer për prodhim të mjegullës rreth problemit thelbësor – natyrës juridike të entitetit që kërkojnë serbët: a është ai entitet nga e drejta publike, apo një entitet krejtësisht i pa vlerë që normohet me rregullat e të drejtës private. Brukseli/Ohri e ka hequr këtë dilemë: bëhet fjalë për entitet nga e drejta publike, që nuk është komunë, por pushtet rival i pushtetit qendror. Sikur me shprehjen “kompetenca ekzekutive”, në ndërkohë janë futur në përdorim  aspektet periferike të rrezikut gjoja real që paraqesin marrëveshja e re e Albin Kurtit dhe kushtetuta e tij materiale. Të tilla janë, ta zëmë, çështja e arbitrazhit dhe simboleve të Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Këto dy dimensione janë produkt i pashmangshëm dhe i domosdoshëm i zotimeve të Brukselit/Ohrit, mirëpo kanë peshë periferike kundrejt dimensioneve që prishin rendin kushtetues, pavarësinë dhe sovranitetin e vendit. Thënë shkurt, këto janë pasoja dhe me pasoja nuk duhet marrë. 

Marrëveshja e Brukselit/Ohrit ka disa dimensione që formojnë katastrofën e Kosovës: ato përfundimisht e kanë futur në binarët e zhbërjes graduale të shtetësinë e shpallur më 17 shkurt 2008, të konfirmuar nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në korrik të viti 2010. Këtu nuk duhet harruar qindra njohjet e Kosovës, që tani e tuje vihen mbi një fuqi baroti që çdo ditë të bardhë mund të përfundojnë në ajër. Dimensioni i parë lidhet pikërisht me dobësimin e njohjeve ndërkombëtare  të Kosovës: paragjykimi i statusit në raport me Serbinë, përfundimisht ka marrë legalizim të plotë dhe, si i tillë, do të bartet në mekanizmat e të gjitha forumeve të OKB dhe të BE. Nëse deri dje BE dhe OKB kanë pasur paragjykim në çdo raport dhe marrëveshje me Kosovën, tani e tutje ky paragjykim legalizohet edhe në raport me Serbinë, e cila jo vetëm që paragjykon statusin shtetëror të Kosovës, por mohon çdo status tjetër që nuk përcaktohet me kushtetutën e saj në fuqi. Kjo nënkupton që, kurdoherë, në mes të dy vendeve do të ketë biseda për statusin e Kosovës, që nënkupton se zgjidhja e këtij statusi shkon nga federalizmi i brendshëm i Kosovës deri të federalizmi me Serbinë, ose ndonjë status tjetër asimetrik, në vartësi nga raporti i forcave në Ballkan dhe më gjerë. Gënjejnë krejt ata që thonë se marrëveshja në mes të dy gjermanive ka qenë modeli: dy gjermanitë janë njohur mes veti më 1972, kurse vendet perëndimore kanë njohur Gjermaninë e Lindjes më 1974. Aspekti vetëm që mund të ketë dhe duket se ka ngjashmëri – dhe që është marrë fuqishëm parasysh nga hartuesit e marrëveshjeve të Brukselit/Ohrit –  ka të bëj me Serbinë, e cila barazohet me Gjermaninë e Perëndimit; Serbia, pra, trajtohet si shtet që ruan të drejtën e rikthimit të territorit të shkëputur sipas ligjit ndërkombëtar; dëshmi për këtë është futja e referencave për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Kjo është esenca e modelit të dy gjermanive siç është zbatuar në Bruksel-Ohër, asnjëherë ndryshe: Serbia ka fituar të drejtën e rikthimit gradual të Kosovës nën sovranitetin e saj formal, duke zhvlerësuar shtetësinë e Kosovës së shpallur më 17 shkurt 2008.

Kjo tregon sa naiv janë pushtetarët e sotëm që besojnë se sulmi i 24 shtatorit ka qenë për të ndarë veriun e Kosovës dhe dërgimin e tij në Serbi, më naiv se ata para tyre që besonin se opsioni i ndarjes së Kosovës përbënte propozim që Serbia synonte. Serbia nuk ka asnjë qëllim e synim – as dje, as sot dhe as në të ardhmen – për të ndarë Kosovën, aq më pak për të marrë pjesë të caktuara të saj. Kjo që shohim është fund e krye ide e Dobrica Çosiqit, e shkruar më 2001 dhe më herët gjatë ish-Jugosllavisë, por që për herë të parë në terrenin ndërkombëtar e ka shitur me sukses kryeministri i vrarë serb Zoran Gjingjiq. Kjo arritje serbe në Bruksel/Ohër shoqërohet edhe me dy arritje të tjera: largimin përgjithmonë nga agjenda të njohjes, de facto dhe de jure, dhe futjen e Kosovës në binarët e bisedimeve për kohë të pacaktuar, që do të diktohen nga Beogradi, jo nga Kosova. Kjo e fundit do të bëhet edhe më e dukshme pas fillimit ë zbatimit të Statutit të Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, i cili normon një strukturë të pushtetit që ka ndarjen horizontale dhe vertikale të punëve, krejtësisht të njëjtë me atë që gjendet në nivel qendror, me përjashtim të përfaqësimit. Në ndërkohë që në Kosovë ka një sistem zgjedhor, bazuar në Kushtetutën e Pavarësisë, për serbët do të vlejë një përfaqësim i bazuar në sistemin e delegimit. Ky lloj përfaqësimi është akti i parë që zbaton rrënimin e dispozitave të Kushtetutës së Pavarësisë, të cilat definojnë karakterin unitar të shtetit të Kosovës. Ky sistem arkaik zgjedhur, por politikisht tepër i fuqishëm sepse i centralizuar dhe dirigjuar nga Beogradi, nis procesin e shndërrimit të Kosovës në një shtet rajonal. Kjo është vetëm fillimi – synimi serb nuk është rajonizimi i Kosovës, por rikthimi i sovranitetit formal serb në Kosovë, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Këtë synim e ka formuluar Dobrica Çosiq në veprat e veta të vitit 2001, të cilat kujtdo mund t’ia ofroj për lexim, në të cilat ka rekomanduar krijimin e strukturave të vogla parashtetërore nëpër Kosovë për ta bërë jo funksional çdo strukturë të saj shtetërore. Ky fakt, shpjegon pse në draft-Statut figuron si bazë juridike Rezoluta 1244, e cila në asnjë pikë nuk mund të jetë në pajtim me Kushtetutën e Pavarësisë, njëra përjashton tjetrën. Kjo dhe të tjerat si më sipër, siç shihet, nuk kanë asnjë lidhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Ndoshta po të ishin në pushtet të tjerët, do kishin bërë të njëjtën, por objekt i analizës nga këndi i profesionit që kam nuk është psikologjia dhe antropologjia politike, por e drejta ndërkombëtare dhe e drejta kushtetuese, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe marrëdhëniet kushtetuese.

Nënshkrimi si formë tjetër e britmës së njëjtë

Siç e kemi sqaruar në shkrimet mëhershme, njëra ndër karakteristikat e pushtetit aktual ka qenë britma e piskama e kryeministrit Kurti, si ndaj ndërkombëtarëve ashtu dhe ndaj vendorëve. Në ndërkohë që me ndërkombëtarët ka arritur paqe shumë shpejt, duke pranuar çdo gjë që ka kundërshtuar në fillim, me politikën vendore ka ngelur në këmbën e luftës dhe konfliktit – krejt për qëllim të ruajtjes së votës, që përbën një hap legjitim politik dhe i takon politikës të merret me te, jo këtij autori. Ajo që shohim sërish është vazhdimësi e britmës dhe piskamës së kryeministrit Kurti dhe ka të bëj me çështjen e nënshkrimit. Ajo që qarkullon si draft-Statut, me një siguri të madhe mund të thuhet se paraqet versionin e tij përfundimtar, me ndonjë ndryshim kozmetik. Kjo për dy arsye: e para, sepse nuk mund të prodhohet diçka tjetër, nëse merren për bazë marrëveshjet e Brukseli/Ohrit; dhe, e dyta, sepse deklarimet e Kurtit qartë flasin për përfundim të  procesit të hartimit të tij përfundimtar. Atëherë, çfarë duhet nënshkrimi i marrëveshjeve që kanë nisur të zbatohen?! Përgjigjen e pjesshme e gjejmë të britma e piskama e radhës: pak ditë më herët, Kurti tha se komentet e tij në draft-Statut do të bëhen publike, pasi i njëjti të shpallet nga ndërkombëtarët, krejt kjo me shpresë se qytetarët fascinohen nga propozimet e Kurtit, të cilat as që i ka honeps ndokush në Bruksel, dhe atë me shumë të drejtë.

Pas Aneksit të Ohrit, Kosova nuk ka pasur më asnjë ndikim. Nuk ka mund të ketë ndikim sepse  çdo gjë ka hyrë në kanale të integrimit të vendit, gjoja në BE ! Kurti bën mirë të ruaj ato propozime në kushtetutën e tij materiale për ndonjë kujtim të tij. Mirëpo, duhet ta ketë parasysh se edhe Lajçak, por edhe ata që i ka afër, do të shkruajnë kujtimet e tyre – është kulturë perëndimore. Kur të lexojmë ato kujtime – siç pamë me Kethrin Eshton – çdo gjë do të jetë vonë. Jam i sigurt që do shohim një Lajçak tjetër dhe një qasje tjetër të tij ndaj profilit të Kurtit dhe Besnik Bislimit. Edhe më e dhimbshme se kjo do të jetë koha kur një ditë të hapen arkivat, nga ku do të shihet teknologjia e formësimit të aksionit terrorist të 24 shtatorit 2023: pak ka gjasë të konfirmohet teza e pushtetit në Kosovë për përfshirje të drejtpërdrejtë në këto ngjarje të A. Vuçiq dhe Shtetit serb. Pa asnjë dyshim, kjo lidhet edhe me paralajmërimin e presidentit ukrainas Volodimir Zelenski për rrezikun e konfliktit në Ballkan. Paralajmërimi, megjithatë,  nuk ka të bëj me konflikt ndërshtetëror. Zero janë shanset që Serbia të nis rrugën e njëjtë si Sllobodan Millosheviq dikur. Bëhet fjalë për konflikte të iniciuara nga strukturat parashtetërore në Ballkan! Nejse, kjo temë kalon caqet e këtij shkrimi, ndoshta një rast tjetër do diskutojmë më gjatë. Tani kthehemi sërish te nënshkrimi.

Nga gjysma e dytë e shekullit të  19-të, doktrina gjermane ka instaluar kategorinë e personalitetit juridik të shtetit sovran dhe të pavarur, që është krejt i ndarë dhe i ndryshëm nga personaliteti i organeve dhe individëve që udhëheqin në emër të shtetit. Kjo sot është ligj ndërkombëtar, pra shteti dhe individët që flasin në emër të tij janë dy kategori të ndara dhe të ndryshme. Kjo nuk është teori, ka pasoja të rëndësishme praktike. E para dhe kryesorja ndër to është se përgjegjësia penale e shtetit nuk mund të shtrohet asnjëherë: shteti nuk ka përgjegjësi penale. Ai nuk mund të vihet në bankën e të akuzuarve, siç thoshte në ligjërata profesori i ndjerë Zejnullah Gruda. Individët që udhëheqin me shtetin, ndërkaq, mund të ulen në bankën e të akuzuarve, por për krime e vepra që janë përgjegjësi penale individuale, sipas modaliteteve të ndryshme që i përcakton ligji penal ndërkombëtar. E dyta pasojë me rëndësi ka të bëj me aktet shtetërore: të tilla janë aktet që ndërmarrin organet e shtetit, me disa përjashtime që këtu nuk i shtjellojmë; pra, aktet që drejtuesit dhe organet e shtetit i ndërmarrin në planin e jashtëm dhe të brendshëm, janë akte të shtetit. Po e them këtë sepse ditë më parë një funksionar i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se, po parafrazoj lirshëm, “perëndimorët ia kanë pru punën Albinit vetë personalisht me kanë përgjegjës për Ohër dhe Bruksel me e formu Zajednicën, sepse e ka kundërshtu tanë kohën”.  Ky nivel arsyetimi –  si dhe vetë sjellja e kryeministrit Kurti dje dhe sot – reflekton sjellje tipike jo shtetërore, ku individët identifikohen me shtetin dhe organet e tij. Kur zotohet kryeministri, shefi i shtetit dhe ministri jashtëm i një vendi, ajo detyron shtetin, bile edhe atëherë kur kjo bëhet me gojë. Kemi përmendur disa herë rastin Ihlen para Luftës së Dytë Botërore, kur ministri Jashtëm norvegjez ia ka humbur vendit të tij ishullin e Grenlandës sikur asgjë, për një fjalë goje të pamatur mirë. Ka shumë kësi rastesh, që duhet t’i dinë këta që flasin në emër të shtetit, sepse votat shkojnë e vijnë. Nuk ka dy vite që në një arbitrazh të Organizatës Botërore të Tregtisë, njëri prej funksionarëve të vendeve arabe kishte mohuar mesazhet e shkruara në WatsApp, për çka nuk ishte pajtuar asnjëri prej arbitrave. Në kontestin miliona dollarësh, arbritrat konstatuan se akti që ata mohonin ka qenë akt shtetëror. Kjo çon peshë, jo mënyra e përçimit të aktit. Edhe një rast, në mesin e shumë të tjerëve, që është i kohës së Luftës së Ftohtë, dhe lidhet me kufirin në det mes Greqisë dhe Turqisë: Edhe këtu, Greqia kishte mohuar juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shkak se nuk kishte dhënë pëlqim për të. Gjykata ka refuzuar mohimin grek, duke konstatuar se një “press-release” e përbashkët në mes të zyrtarëve grek dhe turq, pa asnjë nënshkrim, mjaftonte për të themeluar juridiksionin e saj mbi rastin. Me atë komunikatë për shtyp, palët ishin pajtuar që rasti të përfundoj në gjyq. Nuk besoj se Kosova do përfundoj në gjyq meqë ekziston një komision, formimi i të cilit  është bërë me pëlqimin e vetë kryeministrit Kurti. E kemi fjalën për Aneksin e Ohrit, që formon një komision me juridiksion për çdo interpretim dhe drejtim të mënyrës së zbatimi të zotimeve të Brukselit/Ohrit. Rastet si më sipër që përfolëm janë rikujtim se Kosova operon në marrëdhënie ndërkombëtare, ku ekzistojnë disa rregulla e parime që nuk lejojnë shtetet të dalin jashtë binarëve të komunikimit standard ndërkombëtar. Nëse dalin – pason sanksioni; pastaj shtetet kthehen në binarë normal! Mosnjohja e këtyre normave dhe parimeve dëmton : shtetet që nuk i dinë ato bëhen objekt mashtrimi dhe detyrohen të ndjekin agjenda dhe politika që fare nuk paraqesin interes të tyre nacional. Këtë deshëm të tregojmë me shembujt e sipërm, por edhe atë se ato provojnë katërçipërisht që nënshkrimi që kërkon Kurti nuk çon asnjë peshë: zotimet e Brukselit/Ohrit kanë filluar të zbatohen, Statuti është produkti i tij më sublim. Jo vetëm kaq! Kryeministri duhet të dijë se Kosova do të detyrohet, viteve në vijim, të ndryshoj Kushtetutën e Pavarësisë, për t’iu përshtatur kushtetutës së tij materiale të Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, jo anasjelltas. Arsyeja për këtë është fare e thjeshtë: nuk mund të funksionojnë organet qendrore të pushtetit të Kosovës sipas dispozitave aktuale kushtetuese, në çdo hap do ndeshen me pengesat e kushtetutës materiale. Kryeministri Kurti le të nis që tani britmën dhe piskamën e radhës: kanë skaduar ato që janë bërë për shkak të krijimit të autonomisë serbe politiko-territoriale dhe  kulturore – historike!    

Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare