Dua kishte arritur më parë të kryesonte këtë listë edhe në vitin 2020…
Ylli i muzikës pop Dua Lipa ka mposhtur në mënyrë të jashtëzakonshme Taylor Swift, duke u shpallur artistja më e transmetuar në radio, televizion dhe hapësira publike në Britani për vitin 2024 dhe duke përfunduar dominimin trevjeçar të Ed Sheeran në vendin e parë.
Këngëtarja 29-vjeçare, e njohur për hitet si “Dance The Night” dhe “Levitating”, ka kaluar në krye të listës duke lënë pas këngëtarin e “Shape of You”, Ed Sheeran, i cili këtë vit renditet në vendin e tretë, ndërsa Taylor Swift mban vendin e dytë.
Dua kishte arritur më parë të kryesonte këtë listë edhe në vitin 2020. Në një reagim për këtë arritje, Dua Lipa u shpreh: “Është një nder i madh të shpallem artistja më e transmetuar në Mbretërinë e Bashkuar për herë të dytë. Viti 2024 ishte i jashtëzakonshëm dhe jam thellësisht mirënjohëse për gjithë ata që kanë përkrahur muzikën time në radio, televizion dhe ambiente publike në të gjithë vendin”.
Hiti i saj i vitit 2018, “One Kiss” në bashkëpunim me Calvin Harris, mbetet kënga e saj më e transmetuar, me një mesatare prej 55 transmetimesh në ditë. Në total, këngët e saj janë transmetuar rreth 400 herë në ditë në të gjithë Britaninë gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të PPL.
Dua është gjithashtu personi më i ri në listën Sunday Times “40 Nën 40” të më të pasurve për vitin 2024. Kënga e saj “Houdini”, e publikuar në 2024 dhe që arriti vendin e dytë në toplistën britanike, ishte një nga këngët më të transmetuara të vitit, duke u renditur e gjashta në total.