Dua Lipa e nis fjalimin në gjuhën shqipe në Këshillin e Atlantikut - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

11/11/2021 13:54

Dua Lipa e nis fjalimin në gjuhën shqipe në Këshillin e Atlantikut

Lajme

Gazeta Express

11/11/2021 13:54

Organizata “Atlantic Council” dje i ka ndarë këngëtares kosovare me famë botërore, Dua Lipa Çmimin për Udhëheqësi të Dalluar Artistike, shkruan Gazeta Express.

Fjalimin e saj ylli i muzikës pop e ka nisur në gjuhën shqipe duke i përshëndetur të pranishmit me fjalën “Mirëmbrëma”.

Lexo Edhe:

“Siç themi ne në Kosovë, Mirëmbrëma” ka thënë ajo.

Prishtinasja e lindur dhe e rritur në Londër ka folur për Kosovën dhe kreativitetin e kosovarëve si popullsi e re e me suksese në art, së fundi me filmin “Hive”

“Qëndroj para jush si fëmijë i Kosovës, e lindur dhe rritur në Britaninë e Madhe. Vi nga një vend që shumica prej jush keni dëgjuar por ndoshta jo në mënyrën se si do ta përshkruaj unë tani. Dua të ndaj me ju disa gjëra për Kosovën time. Kosovarëve u pëlqejnë ndejat, kjo s’është befasi pasi 50% e popullatës janë nën 25-vjeç. Unë jam zyrtarisht e moshuar në Kosovë. Për një shtet të vogël Kosova është duke shpërthyer me kreativitet, si psh me filmin e bukur kosovar “Hive” që morri tri çmime të mëdha”, ka thënë mes tjerash Lipa.

Dua Lipa ka kërkuar edhe liberalizimin e vizave për Kosovën.

Lipa tha se pasi Kosova ka mbushur të gjitha kriteret dhe Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për më shumë se tre vjet më parë, ‘a nuk është koha të arrihet tani?’.

“Të rinjtë luftojnë për të gjetur punë dhe mundësitë e tyre pengohen nga kufizimet që e bëjnë të vështirë udhëtimin për punë ose kënaqësi. Pasi kemi përmbushur të gjitha kriteret, Komisioni Evropian në fakt ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën për më shumë se tre vjet më parë. Pra, a mendoni se ne mund ta arrijmë atë tani?”.

“Kosova është edhe shteti më i ri në Evropë në një mënyrë tjetër. Janë vetëm 13 vjet të shkurtra në rrugëtimin tonë të pavarësisë. Dhe si pjesë e një komuniteti të fortë ndërkombëtar, ne do të lulëzojmë emocionalisht. Ne do të lulëzojmë ekonomikisht dhe kulturalisht. Është në gjenet tona. A nuk do të ishte e përshtatshme nëse Kosova mund të zinte vendin e saj brenda atij bashkimi paqësor, të lulëzonte ekonomikisht përkrah fqinjëve tanë dhe të shëronte lëndimin e konfliktit të fundit?”.