Dronët “MADE IN KOSOVA”, ish – ushtarakët vlerësojnë se fillimisht duhen ndryshime ligjore - Gazeta Express
string(85) "dronet-made-in-kosova-ish-ushtaraket-vleresojne-se-fillimisht-duhen-ndryshime-ligjore"

Lajme

Gazeta Express

10/09/2025 7:13

Dronët “MADE IN KOSOVA”, ish – ushtarakët vlerësojnë se fillimisht duhen ndryshime ligjore

Lajme

Gazeta Express

10/09/2025 7:13

Një miliardë euro për katër vite, premtoi Kurti për ushtrinë dhe armatosjen e saj.

Pjesë përbërëse e këtyre premtimeve të mandatarit për kryeministër, janë edhe dronët “Made in Kosova”.

Në kuadër të këtyre synimeve, paraprakisht ishte premtuar nisja e ndërtimit të fabrikës së municioneve në Kosovë.

Por për gjithë këto synime e premtime, vlerësohet si e domosdoshme që paraprakisht të bëhen ndryshime ligjore.

“Kosova ka një ligj për armatime dhe municione vetëm për sektorin civil, jo për atë ushtarak. Për ta kryer këtë punën e dytë dhe për ta mbështetur FSK-në, ashtu siç po premtohet në vitet me radhë nga kjo qeveri, fillimisht duhet të krijohet një ligj i veçantë për municione dhe armatime luftarak, ku në mesin e tyre hyjnë edhe dronët. Dhe pa u miratu ky ligj prej Kuvendi, këto të tjerat janë fjalë boshe”, ka thënë ish-koloneli I FSK-së, Hysen Gecaj.

Përkundër kësaj, rëndësia e pajisjet së Kosovës me dronë dhe pajisje të ngjajshme ushtarake, konsiderohet si qenësore.

“Është një gjë që imponohet ose tepër e nevojshme që autoritet tona qeveritare si dhe ato të ushtrisë, dhe patjetër edhe të policisë, të armatosen me këto lloj armësh. Sepse siç e shohim të gjithë, se dronët sot po hyjnë në përdorim edhe nga shtetet më të zhvilluara të botës. Edhe në paqe po armatosen me to, por edhe në luftë e keni parë se fjala është për një armë jashtëzakonisht precize dhe e suksesshme sidomos kur bëhet fjalë për mbrojtje të vendit”, thotë Nuredin Ibishi, ish- usharak.

Të hënën, ministri në detyrë i Mbrojtjes bëri të ditur se Kosova është pajisur me dronët taktikë “PUMA”, të njohura si fluturake pa pilotë, për të cilat që nga viti 2021 shteti i Kosovës kishte nisur procedurat e prokurimit me SHBA-në.